Pse nuk bëhet ky vend?

Nov 3, 2015 | 12:24
SHPËRNDAJE

Geri SelenicaGERI SELENICA

Ku qëndron problemi real i menaxhimit ekonomik të shtetit shqiptar? Së pari, nuk është nevoja të jesh ekonomist të kuptosh që Shqipëria është një vend relativisht i varfër nga potencialet ekonomike natyrore dhe këtë e përforcon më shumë largësia nga epiqendrat ekonomike rajonale e globale.

Shqipëria ka disa pasuri natyrore (energji, minerale, potenciale turistike), në vlerë disa miliardë euro, por që nuk janë krejt të mjaftueshme për të garantuar një mirëqenie të krahasueshme me vendet e Europës. Pa llogaritur këtu faktorin historik dhe keqmenaxhimin sistematik joprofesional, madje kriminal të tyre, sidomos në 25 vitet e fundit. Ky është faktori objektiv, që nuk mund ta ndryshojmë. Së dyti,faktori më kryesor në ekonomi është ai subjektiv, janë njerëzit. Të cilët mund të ndryshojnë krejtësisht ekonominë, madje dhe në mungesë të pasurive natyrore, siç ka qenë rasti i Singaporit. Fuqinë intelektuale dhe profesionale, ajo që quhet teknokraci, që ka prodhuar dhe prodhon Shqipëria më së shumti e eksporton, duke mbetur një vend i varfër nga dijenitë. Tokë djerr.

Humbja më e madhe e Shqipërisë në 25 vitet e fundit ka qenë humbja e një të tretës së popullsisë ose pjesës më vitale e më të ditur të saj. Pjesa më e madhe e popullsisë së mbetur janë kryesisht të paaftë të konkurrojnë në tregun ekonomik global të dijeve dhe as të organizohen në një shtet funksional. Kështu ka ndodhur nëpër shekuj dhe s’kemi pse t’u fshihemi fakteve historike dhe fatkeqësisht vazhdon ende sot me ritme të shpejtuara. Dhe zhvillimi ekonomik që ka pasur Shqipëria në vitet 1945-1990, ka ardhur më së shumti si pasojë e subvencionioneve me dijeni dhe financime nga Kina dhe Bashkimi Sovjetik. Në momentin që u prishëm me Kinën, software u prish, asistenca u hoq dhe çdo gjë u shkërmoq, pasi ekonomia shqiptare nuk qe e vetëqëndrueshme dhe qe e paintegruar mirë me ekonominë globale.

Ky qe rezultati i menaxhimit të shtetit nga partizanët dhe joprofesionistët. Më kujtohet kur në fakultet, në vitet ’80, na dhanë detyrë që të argumentonim përparësinë ekonomike të “tufëzave dhe arrëzave” dhe me gjithë sasitë e larta të fërnetit e konjakut nuk arrinim dot të fantazonim argumente të mjaftueshme ekonomike, për përparësinë e tyre. “Tufëzat dhe arrëzat” qenë serumi i fundit që i jepej një ekonomie të falimentuar. Sepse ndiej një paralelizëm të fortë midis “tufëzave dhe arrëzave” me këto “kasat e magjishme fiskale”, që do të na sjellin rritje ekonomike, aq sa dhe Rama është mërzitur me mua për këtë. Pas vitit 1990, Shqipëria zhvilloi një ekonomi të tipit “laissez faire” alla shqiptarçe, ose më saktë një anarki totale, çka nën moton e ndërtimit të një “shoqërie të re kapitaliste” shkatërroi e grabiti pothuajse çdo aset ekonomik pozitiv të krijuar në vitet e mëparshme, diçka që nuk ndodhi në asnjë nga vendet e Europës Lindore.

Duke punuar në disa vende të Ballkanit, kam vënë re se institutet dhe universitetet e kohës së Jugosllavisë në Maqedoni, Serbi etj. janë ende projektues kryesorë të ekonomisë, rrugëve, hekurudhave, energjetikës etj. Ndërsa në Shqipëri edhe ata teknokratë inxhinierë, që u shkolluan dhe mendoj që janë shkolluar mirë me dijet e kohës, pas vitit 1990 i nxorën në pension, pasi ishin pjesë e “së vjetrës”. Dijenitë duan shumë shekuj që të transmetohen nga një gjeneratë në tjetrën.

Por politika shqiptare në 70 vitet e fundit nuk e ka kuptuar kurrë këtë mekanizëm shtetformues. Komunistët në 1945-n pothuajse eliminuan teknokracinë e lavdërueshme të kohës së Zogut dhe të Italisë dhe i zëvendësuan me partizanë. Dhe partizanët de facto e shkatërruan ekonominë e Shqipërisë. Pjesa që u ndërtua qe falë subvencioneve materiale e në dijeni nga Lindja dhe punës skllavëruese të shqiptarëve. Edhe pas vitit 1990, qenë po partizanët “demokratë” e “socialistë” që eliminuan teknokracinë “komuniste” të edukuar mirë. Por në 25 vite këta partizanë të rinj nuk po krijojnë dot një “teknokraci të re”, por vetëm partizanë “demokratë”, “socialistë”, “nacionalistë” etj. Dhe kjo ka një shkak të thjeshtë: teknokratët nuk bëhen dot partizanë dhe partizanët gjithmonë kanë frikë nga dijet e teknokratëve, se nuk i kontrollojnë dot. Ky është konflikti themelor i ndërtimit dhe drejtimit të shtetit në Shqipëri.

Të gjithë këta partizanë të rinj ëndërrojnë me naivitet ardhjen në pushtet, pasi ardhja në pushtet, u krijon atyre “Shllafarinë” e tyre ekonomike. Nëse ju kujtohet një përrallë e fëminisë me vendin ideal të quajtur “Shllafari”, një botë në fantazi, ku gjithçka në natyrë është e gatshme dhe e thjeshtë, male me djathë të mbuluara me pilaf, lumenj me mjaltë, pemë që prodhojnë kremviçe, salsiçe. Një parajsë e vërtetë pa punë, vetëm si dhuratë nga natyra, që duhej shijuar. Me ç’shohim, askush nuk mendon për një zhvillim real të Shqipërisë. Së paku nuk po shohim ta kenë as si dëshirë. Zhvillimi ekonomik faktikisht është një punë shumë më e thellë dhe e vështirë, që forcat politike aktuale nuk kanë kapacitete ta bëjnë, po për faktin e thjeshtë se këto parti, jodemokratike në organizim e funksionim, janë plot me partizanë që luftojnë për pushtet, por jo për shtet.

Partizanët thjesht ndërrojnë portat, por pa rezultate pozitive në zhvillimin e shtetit dhe të ekonomisë. Kjo sepse NUK DINË. Dhe kur vijnë në pushtet sillen si pushtues plaçkitës kalimtarë dhe jo si shtetarë ndërtues të së ardhmes. “Politikanët mendojnë si të vijnë në pushtet, ndërsa shtetarët mendojnë për shtet dhe për brezat e ardhshëm”. Çdo politikan aktual në Shqipëri lufton vetëm për të krijuar “Shllafarinë” e tij dhe s’mund të jetë një përjashtim nga sistemi.

Faktet po e tregojnë këtë çdo ditë, që po ndiqet e njëjta traditë e drejtimit të shtetit dhe nuk ka asnjë ndryshim sistemi. Çdo tender, koncesion a marrëveshje është një delegim i turpshëm i detyrave të shtetit te “privati” dhe shkatërrim i ekonomisë dhe sovranitetit kombëtar. Është një tallje publike me inteligjencën tonë dhe varfërim i mëtejshëm i popullit. Është një mungesë totale vizioni ekonomik afatgjatë. Është një vrasje e shpresës për fëmijët tanë, që të jetojnë në një vend normal. Shqipëria ka tamam profilin e një shteti afrikan e jo më të denjë për në Europë.

Por jo nën një diktator, por nën disa diktatorë partish të korruptuara në palcë, që ndërrojnë portat sipas rezultatit zgjedhor “demokratik”, por sistemi është po ai. Pavarësisht pëshpëritjeve, fatkeqësisht në skenën politike nuk ka asnjë alternativë premtuese për ndryshim, por vetëm për riciklim diktatorësh politikë. Teknokratët gjithmonë po pakësohen dhe partizanët gjithmonë e më shumë po shtohen. Është më kollaj dhe më me leverdi të bëhesh partizan, sesa teknokrat dhe kjo është një dekadencë morale e popullit shqiptar, që po merr përmasa vetëshkatërruese. Po rritet një brez i ri injorant, parazit, mashtrues dhe plaçkitës, sipas vetë modelit “Shllafarinë” të partive politike. Nuk besoj se një tërmet politik si i Greqisë do të mund ta ndërrojë këtë trend, pasi këtu nuk kanë mbetur shumë teknokratë dhe idealistë, por dhe ata që janë, në pjesën më të madhe nuk janë koherentë nga dijenitë ose janë personalitete të shtypura nga dhuna dhe padrejtësia, që udhëheq shoqërinë shqiptare.

Fatkeqësisht, politikanët shqiptarë en-bloc janë po aq teveqelë edhe pas 70 vitesh,kur ende mendojnë, që shteti është politikë, madje media, art, sport, telenovela, intriga, manipulim, koalicione, kostume Brioni su misura, takime me politikanë e biznesmenë të huaj, që i nënçmojnë këta tanët në ekstrem. Dhe askush nuk e kupton që shteti është së pari një sipërmarrje ekonomike dhe sociale, që kërkon shumë dijeni të kualifikuara dhe shumë orë pune të sinqertë cilësore, dhe jo partizanë, “Shllafarinë” apo korruptim mediash të korruptuara, për të manipuluar opinionin e lodhur publik, për të shtyrë ditët në “Shllafarinën” e tyre, kur ky vend po degradon dhe po shpopullohet nga dita në ditë, për faj të keqdrejtimit politik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura