Pse duhet një enciklopedi për hortikulturën

Jun 2, 2017 | 10:50
SHPËRNDAJE

Këto ditë, lexuesi shqiptar, i bombarduar tashmë e mbi njëzet vjet e tëhu me përkthime jo gjithnjë mjeshtërore letrare e filozofike, sociologjike-fantastiko-shkencore dhe më tej, do ketë në duar një libër pak të zakontë për këto 30 vitet e fundit, por mjaft të dobishëm: një enciklopedi për bimët e kopshtit – perime, fruta e lule me titull “Hortikultura: vështrim enciklopedik”, të shkruar nga Dr. Nazim Gruda e Dr. Andrea Shundi.

Pasurisë së termave të cilat trajton ky libër – mbi 4600 në mbi 850 faqe, i shtohet një begati, e cila i mungon rëndom morisë së botimeve në gjuhën shqipe: begatia e një gjuhe shqipe të pastër e fort të selitur nga të dy autorët. Botimi i një vepre të tillë është meritë e veçantë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e cila në këtë mënyrë mbush një zbrazëti dhe u hap rrugë botimeve të tjera në këtë fushë. Nuk mund të ishte ndryshe kur të dy autorët vijnë me këtë vepër madhore në fushën e njohurive enciklopedike për bimët, mbas një veprimtarie fort të dendur në fushën kërkimore e hulumtuese.

Që të dy autorët kanë studiuar në Shqipëri dhe është pikërisht dëshira dhe dashuria për fjalën shqipe dhe për lexuesin shqiptar, të cilat i kanë bashkuar në këtë sprovë sa të bukur, aq edhe të vështirë: njëri me banim në Gjermani dhe tjetri në SHBA. Në këtë rast, lehtësitë bashkëkohore të udhëtimeve dhe të komunikimeve u kanë lehtësuar punën, por sidoqoftë poli magnetik i këtij bashkëpunimi të frytshëm është Shqipëria dhe gjithë trevat ku flitet gjuha shqipe përreth vendit: Mal i Zi, Çamëri, Arbëri e vogël – pra Kalabri, Sicili, Molise në Itali dhe doemos Kosovë e Maqedoni e sotme.

Dr. Andrea Shundi, për një agronom të viteve 1970-1980 ishte shembulli i brezit tim të agronomëve: një agronom qytetar, i cili dallohej nga të tjerët dhe nga një anë përçonte në fshat kulturën e tij qytetare e, nga ana tjetër, dinte të vlerësonte e të vilte përvojën dhe traditat aq të vyera të bujkut shqiptar të mbetur pa tokë, pra pak të interesuar. Kjo nuk i përshtatej fort klishesë politike të kohës, ku agronomët e mirë duhej të ishin doemos bij të fshatit.

Kush i njihte mirë edhe origjinën familjare, arrinte të perceptonte shkallën e mundimeve të intelektualit të asaj kohe për të përballur me sa më pak humbje (për vendin e jo personalisht) kërkesat e egra dhe jashtë arsyes të planeve 5-vjeçare, të cilat diktonin me forcë drejtimet e zhvillimit bujqësor të vendit. Lidhja e njëkohshme e tij me jetën bujqësore të fshatit nga një anë dhe me botën kërkimore nga ana tjetër, të kryqë- zuara me bagazhin kulturor jo vetëm në lëmin e bujqësisë, por edhe në atë të historisë dhe etnografisë, përbëjnë themelet e ndihmesës së vyer të tij për një bujqësi të frytshme dhe sidomos për hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar.

Në suazën kohore mbas viteve ’90, dr. Andrea Shundi përfaqëson përsëri intelektualin e pjekur e me potencial të madh për zhvillimin e vendit, zëri i të cilit, si i shumë intelektualëve të tjerë shqiptarë, mbetet i padëgjuar, duke i shkaktuar dëm jo të vogël vendit. Për shqiptarët filloi epokëza e himnizimeve partiake dhe e fitimeve tregtare. I paaftë për këto zanate, ndihmesa e dr. Andrea Shundit u ngushtua në fushën e mundimshme të organizimit të seminareve për të rritur ndjeshmërinë e politikëbërësve shqiptarë dhe, meqë edhe ky qyrk nuk e nxinte, i kapërceu kufijtë e Shqipërisë.

Dha ndihmesën e tij me kumtime, projekte e seminare ndërkombëtare për FAO-n e vende të tjera europiane. U bë i njohur, i dashur dhe i nderuar sidomos nga vreshtarët e gjithë trevave shqiptare, nga viset arbëreshe të Italisë e Greqisë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. I palodhur në punën e tij sot vjen me këtë libër të ri për ta rivërtetuar veten si “Mjeshtër i Madh i Punës”. Dr. Nazim Gruda i përket një brezi mjaft me të ri. E kam njohur qysh kur ishte i ri fare dhe filloi të studiojë me ngulm pranë Institutit të Perimeve dhe Patates në vitet ’80. Me këmbënguljen, vullnetin dhe aftësinë e lartë profesionale, doktoroi në Universitetin e Mynihut dhe nuk u ndal.

Lektor në Universitetin e Bonit, në Irlandë, Florida e Virxhinia e deri në Kinë – është autor shumë “pjellor” i qindra artikujve, kumtesave, studimeve e raporteve. Drejtues në disa borde shkencore e bashkëpunëtor i shumë organizatave ndërkombëtare, të cilat punojnë në kontinente të ndryshme – është nderuar me çmim nga Universiteti i Mynihut. Dr. Gruda shquhet për racionalitetin e punimeve të tij, si dhe për guximin për të shkelur në shtigje të reja hulumtimi. Shumë herë ka ndërmjetësuar për projekte me vlerë për Shqipërinë nga ana e institucioneve gjermane – punë jo fort e lehtë në një vend me tranzicion aq të zgjatur dhe aq të vuajtur.

Dhe Dr. Gruda është vetëm një përfaqësues i dhjetëra bashkëmoshatarëve të tij – brezi i viteve ’60-70 – të cilët punojnë me shumë sukses në vise të ndryshme të Europës. Dr. Shundi e Dr. Gruda me punën dhe botimet e tyre jashtë Shqipërisë e kanë nderuar vendin e lindjes shumë më tepër se qindra përfaqësues zyrtarë dhe, bashkë me dhjetëra e qindra specialistë të talentuar shqiptarë, mbeten njëkohësisht potencial i madh për zhvillimin e ardhshëm të vendit. Ashtu si e thotë vetë titulli – ky libër përmbledh 4600 terma, të cilët janë jo vetëm bujqësorë, por edhe të përgjithshëm.

U takojnë gjithë fushave të cilat lidhen me bujqësinë – nga meteorologjia, fizika, kimia, botanika, pedologjia, plehërimi, mekanika bujqësore, gjenetika e deri në njoftime me vlera etnologjike. Bën përshtypje trajtimi i plotë dhe me gjuhë të kuptueshme i termave jo fort të lehtë, siç janë certifikimi i bimëve, mbrojtja e bimëve me pesticide, analizat kimiko- fizike e shumë të tjera. Me trajtimin e zërave të tillë të përgjithshëm kjo enciklopedi e hortikulturës i tejkalon dukshëm kufijtë e vet dhe shndërrohet në një themel të shëndoshë për një enciklopedi të përgjithshme të ardhme të bujqësisë, mbasi vetë fjalori dhe zërat e hortikulturës përfshijnë larminë më të madhe të grupeve bimore bujqë- sore.

Pra, mbeten vetëm bimët e arave (drithëra, bimë për përpunim) dhe bimët foragjere. Të gjithë termat jepen shqip bashkë me sinonime apo barbarizma të përdorur deri sot, si dhe anglisht. Emrat e bimëve jepen edhe latinisht në bazë të klasifikimeve më të fundit botanike. Kujt i drejtohet ky libër? Përgjigjja është e thjeshtë: si enciklopedi u drejtohet të gjithëve. Specialistët e bujqësisë dhe vetë bujqit, nën emërtimin e ri ‘fermerë’ (të cilët tashmë përdorin kompjutera e celularë edhe për komandimin e serrave, ujitjes, etj.), do të gjejnë përshkrime botanike dhe mënyra kultivimi – të cilat këtu quhen selitje, duke ringjallur një fjalë e cila po humbte nëpër fjalorë e kuptime dytësore. Po ashtu edhe koncepte themelore bujqësore, biologjike e tokësore, të cilat mund t’i zgjedhin sipas nevojës dhe thellimit të tyre arsimor.

Këto koncepte, të cilat ata i kanë lexuar më parë në tekste, shumë herë të përkthyera e jo të shqipëruara, të cilat bartin edhe shprehje jo fort të kuptueshme si mbetje e gjuhës bazë të përkthimit, vijnë këtu shqip dhe të risuara: lexohen me kureshtje e në një formë e cila bart njoftimet klasike, si dhe përdorimet moderne në fusha të ndryshme. Bujqit për kënaqësi (edhe ky është term i shqipëruar nga autorët për të zëvendë- suar fjalën ‘hobby’) do të gjejnë në këtë libër përshkrime bimësh perimore, frutore e zbukurimi dhe mënyra si t’i selisin jo vetëm përreth shtëpive a në kopshtet e tyre, po edhe në tarraca e ballkone.

Për më tepër – mund të zgjedhin bimët më të përshtatshme për të plotësuar dëshirat e tyre: të rrethohen me gjelbërim dhe amëza erëmira, të shijojnë fryte dhe të kenë kënaqësinë që sjell selitja e bimëve e cila është gjysma e kësaj kënaqësie sipas thënies të revistës amerikane ‘Horticulture’: Half of the fun is in the groëing! Kujt nuk i pëlqen a nuk ka kohë t’i selisë, por dëshiron t’i ketë në tavolinë të paktën tri herë në ditë – do të gjejë në këtë libër arsye të tjera dhe më shumë të dhë- na dietetike, të cilat do ta nxisin për t’i ngrënë edhe katër a pesë herë në ditë e madje për t’ua këshilluar edhe të tjerëve.

Natyrisht që një enciklopedi nuk kufizohet vetëm në të dhëna e dukuri që vërehen për këto bimë në trevat shqiptare, por aty gjejmë njoftime e kuriozitete sa të këndshme, aq edhe të dobishme historike e gjeografike për këto bimë, të cilat e lehtësojnë leximin dhe pasurojnë më tej nga ana kulturore dijet e lexuesit. Mbasi lexon një zë – edhe për një bimë të thjeshtë si speci a spinaqi, molla apo dardha, trëndafili apo lulemëngjesi e lulebora, jam i sigurt se lëçitësi do t’i këqyrë ndryshe këto bimë e fruta kur t’i ketë përpara në tavolinë a kur t’i shohë të rriten në fusha e në mjedise të mbrojtura.

Terma të ditëve të sotme si hortikultura e qytetit – apo urbane, turizmi bujqë- sor e të tjera, hapin horizonte të reja si për specialistët e bujqësisë, ashtu edhe për bujqësidashësit, të cilët, edhe pse sot jetojnë në qytete, kanë dëshirë të mbjellin një pemë, një lule, një pjergull apo një agrume në ballkone e në tarraca të apartamenteve të tyre. Në këto raste, libri në fjalë është një ndihmesë e madhe për rritjen e vetëdijes sa i përket vlerës së ushqimit të freskët nga një anë dhe, në anën tjetër, të vlerës së paçmueshme që ka madje edhe një pëllëmbë tokë, pa të cilën nuk do të mund të ekzistonim.

Prej kohës së rritjes së madhe të qyteteve si shenjë qytetërimi e cila jo kurdoherë u shfaq si e tillë (mjafton të kujtojmë mjerimin e bidonvileve dhe ndotjet industriale me përmasa të frikshme), në botë zhvillohet një fushatë e madhe për rivlerësimin e jetës në fshat, për gjelbërimin e qyteteve, pra për ta bërë më të mirë jetën e njerëzve. Pikërisht këtij përmirësimi i shërben fort ky libër. Së fundi, por jo së paku, ashtu si u cek tërthorazi edhe më lart, libri është shkruar me një shqipe të pastër e të pasur. Termat përshkruhen me gjuhë të zhdërvjellët dhe këndellëse.

Janë lënë mënjanë barbarizma të vjetra e të reja, të cilat keqpërdoren rëndom në mediat e sotme. Por autorët kanë shkuar edhe më tej: kanë bërë një përpjekje të madhe për të farkuar një terminologji shqipe në të gjitha fushat teknike, që lidhet me perimet, frutat e lulet. I është ridhënë qytetari fjalës ‘selitje’ në vend të fjalës ‘kultivim’, ‘artisje’ për ‘trapiantim’, ‘dorëzani’ për ‘garanci’, ‘amësues’ për ‘aromatik’, drejtpeshim’ për ‘balancim’, ‘qëndrueshmëri’ për ‘rezistencë’ e shumë të tjera. Një pjesë e mirë e këtyre fjalëve tashmë kanë hyrë në përdorim të zakontë, ndërsa për mjaft të tjera autorët, me guximin e tyre gjuhë- sor, kanë shtruar për diskutim e zgjidhje përfundimtare një numër të madh termash bujqësorë, të cilët përdoren me kuptime të ndryshme e në mënyra të ndryshme nga lektorë e specialistë të bujqësisë.

Ky diskutim do të duhet të përfshijë gjithë bujqësinë, si dhe gjuhëtarë dhe është meritë e veçantë e autorëve, të cilët me përdorimin e fjalëve të reja apo shqipërimin e termave, kanë shtruar për diskutim një çështje të tillë thelbësore. Termat janë të shumtë dhe një pjesë e madhe e tyre janë përfshirë në një fjalorth në fund të librit. Autorët, siç rrëfejnë vetë në hyrje të librit, kanë qëmtuar jo pak në fjalorë të vjetër të gjuhës shqipe – nga Frang Bardhi e deri tek Thimi Mitko e me tej; kanë shkuar në sitë fjalorë të Shqipërisë, të Kosovës dhe të arbëreshëve.

Fryt i kësaj pune është edhe zëvendësimi i mbaresave të huaja –ike, -ale me mbaresa të mirëfillta shqipe si p.sh. –are, -ore, etj. Duhet me të vërtetë dashuri e madhe për gjuhën shqipe për t’i hyrë e për t’ia dalë mbanë një pune të tillë! Ky përkushtim ndaj përdorimit të një shqipe të pastër do të duhet të ndiqet qysh nga hartuesit e librave shkollore e universitare e deri tek korrigjuesit. A do t’i qëndrojnë kohës të gjitha fjalët e reja të risjella nga e kaluara apo të shqipëruara në mënyrë krijuese? A do të futen në përdorim të përditshëm në trajtimin e çështjeve?

Këtu dëshiroj të kujtoj një nga titanët e shqipërimit të fjalëve, Faik Konicën, i cili, me gjithë përgatitjen e thellë në fushën filologjike, nuk arriti të parashohë trajtën e fjalëve të reja që do të përthithte gjuha shqipe. Pati menduar se shqipes i shkonte më shumë ‘udhë e hekurt’ (nga fr. Chemin de fer) sesa hekurudhë (ang. Railway). Edhe fjalët e propozuara nga autorët, mbasi të përballen me diskutime të propozuara më lart, do t’i nënshtrohen një gjykimi të përdoruesve të fjalëve – specialistëve dhe bujqve. Po këtu lipset që të mos përballen me përdorim të detyruar të barbarizmave të reja, shumë shpesh të ndikuara nga anglishtja e pam- ësuar mirë nga përkthyes e specialistë. Katrahurës së sotme gjuhësore (jo vetëm në bujqësi) i shkon më së miri thënia anglisht se ‘Little learning is a dangerous thing’ – ‘Dija e paktë është e rrezikshme’).

Sa më sipër i përmenda për të vlerësuar vështirësinë e madhe gjuhësore të autorëve për të shkruar një vepër të tillë voluminoze në një gjuhë teknike ende jo të formësuar. Për vlerat në përmbajtje, në shtjellim teknik si dhe në atë gjuhësor, parashohim një ribotim edhe më të zgjeruar të tij. Dhe së fundi një ftesë lexuesit shqiptar: libri Hortikultura: vështrim enciklopedik është një libër tejet profesional dhe i denjë për të zbukuruar bibliotekën e për të shtuar njohuritë në një fushë me e të cilën ndeshemi të paktën tri herë në ditë.

* Qendra Ndërkombëtare e Studimeve të Larta Agronomike Mesdhetare – Bari (Itali)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura