Protesta e 11 korrikut, Protesta e Popullit Shqiptar

Jul 10, 2024 | 15:36
SHPËRNDAJE

Ermelinda DyrmishiNGA DR. MED EMANUELA DYRMISHI

Sidomos gjatë periudhës kur punoja si referente e emigracionit në Zvicër më pyesnin shpesh për Shqipërinë e viteve ‘90 që e njihnin vetëm nga emigracioni,   zbarkimet masive të  atyre viteve e kam përshkruar gjithnjë si një i porsalindur qe papritur mbetet pa prindër, sepse kjo ishim ne: një popull i mbyllur qe nuk dinte asgjë se c’ndodhte jashtë ose i ishte mësuar një e vërtete e shtrembëruar nga prindi-shtet.

Ky i porsalindur mësoi të ecë vet, duke u rrëzuar e duke u ngritur në këmbë përsëri …por me siguri analizat e thella, apo edhe  sipërfaqësore të vendit dhe mbi të gjitha të perceptimit që Populli Shqiptar ka për vendin, progresivisht në vitet e fundit  është përkeqësuar.

“Raporti Global i Lumturisë 2024” financuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, OKB, e renditi Shqipërinë në vend të 87-të mes 143 vendeve në total të marra në analizë. Krahasuar me vitin 2023 Shqipëria ra me 4 pozicione. Prej vitesh, duke filluar që nga viti 2017, renditet e fundit në rajon, kur në të njëjtën kohë, Motra Kosovë ka bërë  përmirësime të njëpasnjëshme duke lënë pas vendet e rajonit dhe  disa vende të BE.

Raporti i lumturisë merr parasysh faktorë që njerëzit i ndjejnë mbi supe në jetën e përditshme si perceptimi i korrupsionit, mbështetja sociale, lirinë për të bërë zgjedhje, prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë, bujarinë.

Ngjarjet e fundit, dhe që duken kaq të pafundme në vend sa nuk na tronditin më për korrupsionin, arrestimin e ministrave, drejtorëve e kryetarëve bashkiakë duken gati një kronikë e përditshme që nuk na bën më përshtypje. Por a është vërtet e mundur që ngjarje të tilla të na lënë të paprekur në emocione dhe në dinjitetin tonë si popull? Analizat e statistikat kombëtare e ndërkombëtare thonë të kundërtën; Populli Shqiptar ndjehet i tradhtuar dhe i plagosur nga politika.

Nga ana tjetër me siguri duket se nuk vuajnë të njëjtat emocione drejtoresha të Bashkisë të Tiranës të akuzuara për korrupsion, për vjedhjen e taksave të shqiptarëve dhe favorizim të paligjshëm që edhe pse me akuza kaq serioze mbi supe dhe në detyrim paraqitjeje, nuk ndalen të festojë në resortet më luksoze të vendit. I shumëfoluri Census 2023 flet mirë për këto ndjenja të shqiptarëve. Të dhënat thonë se në Shqipëri në këtë moment ka 2,402,113 banorë. Popullsia është reduktuar me 409,864 persona në krahasim me censusin e mëparshëm të vitit 2011. Edhe nëse përpiqemi të tregojmë se varet nga reduktimi i lindjeve që realisht janë ulur; pjestarë për familje në 2011 ishin 3.8 kurse në 2023 3.2, ky reduktim drastik i popullsisë është i lidhur me largimin nga vendi. Akoma sot numri i të miturve shqiptarë të pashoqëruar në shtetin fqinj Itali, ngelet i lartë; 1295 fëmijë e adoleshentë shqiptare .

Në vitet 2001/2011 popullsia u reduktua me 8% (pjesëtare për familje 4.2 vs 3.8), nga 2011 deri më sot reduktimi është dyfishuar.  Por shqiptarët përveç vendit kanë lënë masivisht edhe zgjedhjet dhe besimin te politikanët që teorikisht duhet ti përfaqësojnë.

Të dhënat e Komitetit Qendror të Zgjedhjeve-KQZ, nga viti 2005 deri më sot tregojnë qartë se përveç vitit 2019 kur opozita bojkotoi dhe u kërkoi votuesve të bojkotonin zgjedhjet dhe numri i votuesve arriti në 22.26%, viti 2023 shënoi pjesëmarrjen e 38.23 % të atyre që kishin të drejtë vote. Bojkotimi masiv dhe i pathirrur këtë herë nga opozita arriti në 61.77% të votuesve, 61.77% e shqiptarëve i zhgënjyer dhe që nuk ndjehet i përfaqësuar.

KQZ

Mendoj se kjo është e dhëna më domethënëse për politikën e sotme shqiptare.

Këto ditë isha e ftuar në Romë në Konferencën e Ekspertëve të lartë të Sigurisë Kombëtare lidhur me Samitin e Uashingtonit të NATO-s dhe me dialogun midis vendeve te paktit Euroatlantik, Vendeve të gjirit Persik dhe Mesdheut të Zgjeruar. Për këtë tryezë “mbaj përgjegjësinë” për hapjen e një debati të gjatë me temë “Sa vendet anëtare të NATO-s e kanë kuptuar rëndësinë e vendeve të Gjirit Persik dhe të Mesdheut të zgjeruar për stabilitetin afatgjatë politik, ekonomik të vendeve të NATO-s dhe sa vetë vendet e Gjirit Persik dhe të Mesdheut të zgjeruar e kanë kuptuar rëndësinë e tyre strategjike në lidhje me NATO-n?”.

Më domethënëse dhe realiste sjell mendimin e Sheikut të Kuvaitit, Al Sabah: “Vendet e NATO-s e kanë kuptuar pjesërisht rëndësinë e vendeve të Gjirit Persik , por akoma më keq vendet e Gjirit Persik nuk e kanë akoma vetëdijen e rëndësisë së tyre strategjike në lidhje me marrëdhëniet me NATO-n”. Paralelizmi i këtij mendimi mund të qëndrojë shumë mirë me realiteten shqiptar sot; politikanët shqiptarë pas shumë skandalesh kanë filluar ta kuptojnë se nuk mund të ekzistojnë pa një popull që i voton, por fatkeqësisht në të njëjtën mënyrë populli akoma nuk ka arritur vetëdijen se pa popull nuk ka politikanë.

Protesta e 11 korrikut edhe pse e thirrur nga opozita përputhet në këtë moment me një protestë më të heshtur të Popullit Shqiptar për të cilën flasin qartë të dhënat e mësipërme.

Shpresoj dhe uroj, për të gjithë popullin, që këto protesta të mos bien pre e demagogjive të dhunës por të jenë shprehje e protestës përfaqësuese të mbarë popullit për të gjetur vetëdijen dhe vlerën që meriton.

Dr. med Emanuela Dyrmishi
Eksperte e Sigurisë kombëtare
Analiste e Rrezikut ekonomik, Gjeopolitikës dhe Inteligjencës
Eksperte e Marrëdhënieve Ndërkulturore
Eksperte e Ekonomisë dhe Politikave të BE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura