Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit

May 10, 2016 | 12:30

gurakuqiROMEO GURAKUQI

Prokuroria e Republikës, funksioni më i rëndësishëm i së cilës është të përfaqë- sojë dhe mbrojë akuzën në emër të shtetit, të nxisë veprimin penal duke shqyrtuar / përfaqësuar dhe mbrojtur akuzën në emër të shtetit, shtypur krimet, së bashku me Policinë e Shtetit (e cila nga vetë mbiemri, quhet Policia e Shtetit dhe jo e Pushtetit), në rrethanat e një kriminalizimi shumë të rëndë të shoqërisë/politikes aktuale, janë dhe mbeten institucionet ligjzbatuese që paguhen me taksat e shqiptarëve vetëm për këtë detyre/pune, organet më të rëndësishme për të mbajtur gjallë shpresën e publikut për përmirësimin e situatës penale/kriminale në vend, që sa vjen dhe rëndohet.

Brenda institucionit të Prokurorisë, Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka mbajtur për një kohë të gjatë “barrën” e ruajtjes së disa parametrave të Shtetit, kundër goditjes së krimit të organizuar, mbetet një institucion që kërkon një trajtim të posaçëm, me theks të veçantë në modalitetet me të cilat do të duhet të parashikohet vazhdimi i punës së këtij institucioni pa ndërprerë, në rrethanat kur ndryshimi i nenit 148 të Kushtetutës, me Reformën në Drejtësi të aprovuar dje, nuk parashikon asgjë.

Gjithashtu, edhe fati/aspekti profesional, karriera pra dhe mbrojta në vijimësi e 20 prokurorëve më të rëndësishëm në vend, njëlloj si edhe e gjyqtarëve të këtij rangu, duhet të jetë i parashikuem dhe i garantuem, ndërkohë që nenet nga 45-54 të projektit nuk parashikojnë asgjë.

Jemi në limitet e fundit të zgjidhjes, me shpresë, të Projektit të Reformës në Drejtësi dhe nuk na lejohet që, për hir të konsensuseve të vështira për t’u arritur në këtë vend mes palëve politike që e dredhin dhe e tjerrin fatin e sundimit të ligjit, të “harrojmë” mbajtjen nën kujdes të posaçëm të këtij institucioni dhe ndërtimin e parashikimeve gjegjëse.

Projekti, së paku në këtë pikë, në këndvështrimin tim, duket se paraqet një zbrazëtirë dhe paqartësi të pajustifikueshme, të cilën profesionistët vendës në komisionin reformator, nuk munden me e lanë në harresë. Projekti parashikon shkrirjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pjesë e së cilës do të jetë edhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

Por ajo që është më e mangëta, në projekt nuk parashikohet se çfarë do të ndodhë me prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda(!) Sipas kuptimit të zbrazëtirës së lënë, këta prokurorë nuk do të trajtohen njëlloj me gjyqtarët e Krimeve të Rënda. Në fakt do të duhej të kishin mbrojtje të posaçme të tri strukturat bazë të Krimeve të Rënda, të krijuara pas vitit 2004 (Drejtoria e Krimit të Organizuar dhe Drejtoria e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Gjykata e Krimeve të Rënda).

Pyetja që bëhet është kjo: A krahasohet mafia dhe kriminalizimi në vend e kuvend me situatën e viteve 1992 në Itali? Çfarë do të ndodhë pas arrestimeve të kapove të krimit në politiken shqiptare, të lidhur me kriminelë të infiltruar në strukturat shtetërore, bizneset e “ligjshme”, median e “kapur” nga krimi dhe krimin e organizuar ndërkombëtar?

Jemi ende në kohë për të shtuar dy ose tri nene në lidhje me këto institucione. Reforma në Drejtësi nuk do të duhet të shuajë kështu, institucionin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe stafin punues, por mund të bëjë një shndërrim emëror, përmbajtësor, rikualifikues, me një kujdes krejtësisht të posaçëm, pa krijuar asnjë lloj shkurajimi.

Një hapësirë për zhvendosje të Prokurorisë së Krimeve të Rënda drejt Prokurorisë së Posaçme, krijimi i parashikimeve ligjore për zhvendosje të stafit themelor të saj, që ka mbartur peshën e mbrojtjes së Shtetit, mbrojtja e rekordeve dhe mbrojtja e statusit të të tillë prokurorëve të shquar e me integritet, rikompozimi -duhet të jetë në vë- mendjen e forcave vullnetmira të legjislatorëve dhe reformatorëve, në formulimin e draftit final.

Për fat të keq, Projekti i Reformës së Drejtësi ka këtë mangësi ose paqartësi “të vogël”, që do të duhet të korrigjohet, për të mbajtur në të njëjtin nivel praninë e Shtetit, punën vetëmohuese të prokurorëve të këtij institucioni, luftën kundër krimit të organizuem, mbrojtjen dhe vazhdimësinë institucionale dhe mbrojtjen e individëve që kanë punuar me ndershmëri dhe vetë- mohim në mbrojtje të Ligjit e që janë për Shtetin, më të rëndësishëm sesa politikanët e amnistuar.

Pra, reformë duke ruajtur rekordet dhe duke mbështetur Prokurorinë në punë, në një moment delikat dhe jo duke e shkurajuar. Politika ngjan të jetë edhe pas kësaj mangësie, nëna e së keqes. Ata që e kanë sjellë këtë situatë në vend, ata sot bëjnë reformën dhe “harrojnë” të “kujdesën” për prokurorët, që kanë punuar dhe kanë sakrifikuar për Shtetin.

Së paku ky korrigjim i kujdesshëm do të duhet të bëhet, sikurse edhe një parashikim ligjor mbi mbrojtjen speciale të këtyre punonjësve mbrojtës të Ligjit. A do të duhet dikush të mbajë Shtetin gjallë dhe Hetimin Penal të pandërpremë, deri sa institucionet e reja të ripërtërihen?! Mendoj, patjetër që po. Është një harresë kjo të mos kujdesesh për mbrojtësit më të rëndësishëm të Shtetit?!

Kjo është për t’u kuptuar dhe risistemuar. Mbështetja edhe në këtë pikë gati finale përmirësuese, e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, është shumë e mirëpritur nga publiku, i cili kërkon perfeksionim të legjislacionit pa vonuar procesin, duke mbyllur çdo hapësirë deri në fund për të keqen që depërton lehtësisht në këtë vend, sapo Forcat e Lirisë humbasin vëmendjen.

Thirrjet e përfaqësuesve të diplomacisë enveriste, që kërkojnë të vendosin kufij sjelljeje ndaj miqve të vërtetë të Shqipërisë dhe Publikut, nuk përfaqësojnë askënd dhe duhen injoruar si “protagonistë” mjeranë. Populli shqiptar shpreson tek aleatët, jo te politikanët e korruptuar dhe veglat e tyre të propagandës dhe presionit shkurajues.

Pyetja tjetër është: Po Policia e Shtetit, a do të rivendoset nën një kuadër të ri ligjor? A mund të pretendojmë se kemi reformuar sistemin e Drejtësisë, duke e lënë organin e parandalimit dhe zbulimit të krimit, në duart e njerëzve që s’pyesin për asgjë, veç për rrethin e tyre krahinor, shoqnor, barkor, mbi të cilin rreth ka rënë së fundi fajësia e një degjenerimi të pashoq të rendit publik?

Ministria e Brendshme, që drejton zoti Saimir Tahiri, është një prej departamenteve më të mëdha dhe më të rëndësishme të Qeverisë së shtetit shqiptar, që ka përgjegjësi kombëtare mbi shërbimin policor, për ruajtjen e rendit e qetësisë, sigurisë publike, parandalimin e krimeve, mbrojtjen e jetës dhe pronës, shkatërrimin e organizatave kriminale, luftën kundër terrorizmit.

Kam më shumë se dy vite që e përsëris, se duke thelluar qasjet pararendëse në përmasa të paimagjinueshme, zoti Tahiri, në cilësinë e ministrit të Brendshëm, ka shkatërruar tashmë plotësisht pavarësinë e Policisë së Shtetit, duke e vendosur atë nën kontrollin e tij politik, përmes njerëzve të tij të afërt, të impostuar në pikat themelore të kontrollit policor, që kanë nxjerrë jashtë akademikët e Policisë.

Në bazë të Ligjit për Policinë e Shtetit, është drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, d.m.th, titullar i Shtetit dhe jo i Qeverisë, ai që emëron të gjithë punonjësit e Policisë, me përjashtim të vetëm 4 zv.drejtorëve të Përgjithshëm. Sot shohim që praktikisht emërimet në Polici i bën më parë ministri dhe shpura e tij, dhe drejtori, fatkeqësisht, është kthyer në një “noter” të ministrit Tahiri.

Ky i fundit shquhet ndërkohë për ndërmarrjen e zero nismash legjislative për përmirësimin e legjislacionit në fushën policore dhe këtë e dallojmë qartë vetëm në qoftë se bëjmë një krahasim mes legjislacionit të Republikës së Shqipërisë dhe atij të Republikës së Kosovës, pa shkuar më tutje.

Ai nuk është kujdesur të krijojë asnjë Skuadër të Luftës Kundër Krimit në nivel nacional, asnjë Komisariat për inteligjencën në fushën e shmangies së tarifave doganore dhe sistemit të taksimit. Mjaftonin këto sjellje të munguara dhe skandali me deklarimin e makinës së tij personale, që ai të mos ishte përfaqësues në delegacionin e Qeverisë shqiptare në Shtëpinë e Bardhë.

Për fat të keq, të botës ideale shqiptare që e don vendin dhe lirinë, ai shkoi atje si “socialist demokrat”, i një qeverie aleate të aksit të lirisë, por zemrat tona e dinë se si kanë vuejt nga ky përfaqësim i përçudnuar i qenies së Shtetit Shqiptar.

* * *

Nuk e teproj në qoftë se e them me bindje të plotë dhe brenda të drejtës sime si qytetar i lirë i këtij vendi, se ka ardhur koha që zoti Tahiri të largohet pa mëdyshje nga posti që mban, për paaftësinë sistematike të shfaqur në tre vite për vendosjen nën kontroll dhe për mosdezintegrimin e “agjencive” ilegale që kontrollojnë hapësirat territoriale, për moskthimin e qetësisë së qytetarëve.

E gjithë linja përgjegjëse e Ministrisë së Brendshme dhe e Policisë së Shtetit, që ka qenë, së paku e paaftë me vendosë territorin nën kontroll nga veprimtaritë e rënda kriminale, duhet të vendoset nën një proces shqyrtimi nga një ekip i specializuar hetimor indipendent, i ngritur ad hoc, me marrëveshje pa kushte, i përbërë nga ekspertë dhe njerëz me autoritet publik.

Ndërkohë pritet një angazhim për vendosjen e institucionalizuar, të një përshkrimi të hollësishëm të karakteristikave që duhet të ketë përgatitja shkollore, nota mesatare, kontributi pararendës, prejardhja e figurës, prejardhja familjare, rekomandimi i forcës së karakterit, deklarimi me përgjegjësi ndaj ligjes, i një pyetësori të menduar mirë për CV e ndërlidhjeve familjare, krushqive, rekordeve kriminale të të afërmve, të ministrit të ri.

Ndërkohë pse jo: një Ligj i ri për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, brenda procesit të thellimit të Reformës së Institucioneve Penale të Republikës.

E shoh prioritare gjithashtu rikthimin në Policinë e Shtetit të oficerëve që kanë kryer Akademitë, me shkëputje nga puna, në kohën kur kryhej shkolla realisht, oficerëve me staturë profesionale, dhe integritet moral të spikatur, nga Policia Kriminale. Vendosja nën kontroll e Laboratorit të Kriminalistikës, Policisë Shkencore, modernizimi i këtij nukli shumë të rëndësishëm, duhet të jetë një prej prioriteteve të Qeverisë Shqiptare.

Ligji për kontrollin digital të territorit, vendosja e kamerave në vendet publike, nuk duhet të pengohet më. Suksesi i Britanisë së Madhe në kontrollin dhe zbulueshmërinë e krimit ka ardhë ndër të tjera nga një sistem i tërë i sigurisë digitale që vepron strikt vetëm nën kontrollin e ligjes, në të gjithë territorin dhe gjithë sektorët.

Mjaft më me dilitantë, militantë, besnikë e servitorë! Në qoftë se reformimi edhe i Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit nuk ndodh, atëherë kemi të bëjmë me një grup të gjithëpërfshirë me paramendim në krijimin e klimës së terrorit dhe kontrollit ilegal të shoqërisë. Nuk mund të tolerohet më së paku, nënvleftësimi që ministri i Brendshëm u ka bërë ndjeshmërive të publikut për jetë të sigurt.

Si qytetar, unë i kërkoj llogari atij dhe Kryeministrit Edi Rama, për mungesën e deklarimit në mbrojtje të jetës dhe lirisë së qytetarëve; për mosveprimin dhe parandalimin e oficerëve të policisë të skeduar si bashkëpunëtorë dhe informatorë të bandave; për besën e preme për një Shqipëri më të sigurt. Ministri i Brendshëm, megjithëse vazhdojmë ta presim, ende nuk i është drejtuar publikut për ta garantuar se ai nuk ka të bëjë me underground-in e zi; ai ende nuk ka thënë një fjalë për t’i bërë thirrje publikut, biznesit, për të denoncuar nën garanci.

Ai nuk i del garant jetës, lirisë së biznesit dhe mbrojtës i aktivitetit të ndershëm sipërmarrës në këtë vend. A ju bën përshtypje se nën drejtimin e ministrit Tahiri, kualifikimi dhe perceptimi publik i dikasterit që ai drejton, është si ministria e burgosjes së të varfërve dhe e stimulimit të paprekshmërisë së të fortëve? Si ministria që stimuloi Heshtjen Masive të Shoqërisë për Denoncim të Dëmtimeve?

Pse, me të tillë drejtim të punëve të brendshme do të shkojë Shqipëria në Europën e Bashkuar dhe do të garantohet suksesi i Reformës në Drejtësi? Në fakt, “moti i mirë duket në nadje”, thuhet në Shkodër. Ditën kur e vranë mikun tonë të mirë, bankierin intelektual Artan Santo, të gjithë kemi pritur një reagim të jashtëzakonshëm të Policisë së Shtetit dhe një deklarim dhe angazhim të fuqishëm të Kryeministrit, ministrit të Brendshëm.

Çuditërisht, zoti Edi Rama foli përçart dhe i frikësuar në “Twitter”. Kuptuam së paku që ky njeri s’kishte asnjë format dhe peshë “trupore reale kryeministrore” për t’u përballë me të keqen, e cila ia lëshoi paralajmërimin se deri ku mund të shkonte. Dhe ai e ka respektuar kufirin e asaj çfarë qeveris në të vërtetë, duke e vënë popullin e thjeshtë dhe të pambrojtur ose nën dhunë, ose në rrugën e ikjes nga Shqipëria, dhe i ka hapur rrugët e qarkullimit pa droje botës së delinkuencës së shoqërisë.

S’kishte si të ndodhte ndryshe: i rrethuar dhe i këshilluar me njerëz të lehtë, pa zë, pa dukje, pa fjalë e pa gjurmë të shkrueme, ai do të lëshonte vetëm shprehje të turbullta shmangëse. Ai e filloi dhe po mbetet një Kryeministër i Dobët, i rrethuar nga një rreth fëmijësh që nuk janë pjekur mjaftueshëm për t’u marrë me punët e rënda të qeverisjes së një vendi të vështirë, të cilin krimi, hajnia, injoranca dhe brutaliteti e kanë vënë përposh.

© Panorama.al

Te lidhura