Projektligji i spitaleve, dështim i paralajmëruar!

Jun 28, 2022 | 7:55
SHPËRNDAJE

TRITAN SHEHU

Tritan-Shehu-1

Qeveria ka sjellë një draft të tillë ligjor sikur ai të ishte ligji i mrekullive! E para është absurde të mendosh se mundet që një ligj i vetëm me 34 nene të përfshijë gjithçka është brenda perimetrit “spitalor”.

Ne nuk kemi nevojë për një ligj të tillë, që ngel vetëm propagandë e pengesë zhvillimi, ne kemi nevoje për paketa ligjore zhvilluese për sistemin tonë spitalor. Por termi i këtij drafti është i madh, impresionues do të thosha: “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, ndërsa përmbajtja “bosh”.

Ai jo vetëm nuk ka asgjë të re, por shumë më keq: bën hapa mbrapa në disa nga konceptet e ndërtimit të sistemit tonë spitalor. Ne fakt hap mbrapa është dhe fakti i mosprezantimit të asnjë zhvillimi pozitiv në vite nga kjo maxhorancë, kur këto koncepte, forma organizimi, menaxhimi, bashkërendimi evoluojnë me shpejtësi jo vetëm në vendet europiane, por dhe në ato përreth, duke përfshirë edhe Kosovën. Dhe mbas 8-9 vitesh qeverisje sjellin këtë draft ligjor, sikur ta kishte shkruar ndonjë këshilltar i qeverive të dikurshme sovjetike.

Pra, u “mbars mali e polli një mi”, por që edhe “miu” ngjan me ndonjë të vdekur, nga të balsamosurit e mureve të Sheshit të Kuq! Dhe ky ligj abrogon paraardhësin e tij, i cili për hir të së vërtetës, nuk ishte i përsosur. Ai duhej amenduar, pasuruar me ligje të tjera, përshtatur me realitetet e reja në përputhje me atë që po ndodh me sistemet spitalore, me realitetet e krijuara edhe në vendin tonë. Dhe sot kjo serviret pa krijuar asgjë të re, në mos mës keq, thjesht për t’u ribërë, kur në të gjithë botën ligje të tilla pothuajse nuk abrogohen as në dekada të tëra, por pasurohen, amendohen, shoqërohen me ligje të reja më të thelluara në kolonat e shërbimit, zgjerohen e sofistikohen.

Abrogimi i një ligji të tillë e zëvendësimi totalisht me një të ri do të ishte për çdo qeveri e parlament në Europë një vepër madhore, pothuajse e pamundur. Ndërsa te ne kjo është gjeja më e thjeshtë. Qeveria kujton se kështu “lë gjurmë”, edhe pa bërë asgjë, duke harruar se ka edhe “gjurmë” për keq, siç po ndodh me këtë Rilindje. Dhe kjo kërkohet të realizohet pa asnjë diskutim publik, pa autorë, pa thellim në atë se çfarë është pengesë e çfarë e reje do të shtohet. Apo akoma më keq, duke “harruar” edhe premtimet “historike” të vetë atyre, siç është ai i “shëndetësisë falas”, që tashmi është shpallur heretike edhe si shprehje.

E me tej kërkohet që Parlamenti ta miratojë këtë ligj në harkun e disa javëve, kur një parlamenti tjetër serioz mund t’i duheshin edhe vite për të bërë diçka të tillë, n.q.s. do ta bënte. Megjithatë, ai draft, me vetëm 34 nene për të gjithë veprimtarinë spitalore shqiptare, publike e private, që në realitet jo vetëm nuk thotë asgjë të dobishme, përkundrazi, paraqet regres veçanërisht përballë nevojave e mundësive reale të sistemit tonë, mund të “votohet” edhe për disa minuta nga kartonët “automatikë” të maxhorancës, sepse aq bosh është brenda tij, sepse aq i lehtë është në “peshë”.

Kjo për realitetin e thjeshtë se ai projektligj nuk shpreh asgjë progresive, nuk fut asnjë koncept të ri, kolonë zhvilluese, duke qenë i ndërtuar mbi koncepte shumë të vjetra në kohë e të ezauruara tashmë të menaxhimit centralist ekstrem të sistemit spitalor, i mbushur me llafologji e propagandë të vjetër shterpë. Por edhe një pjesë e kësaj llafologjie e disa terma të saj vendosen aty në mënyrë shumë timide, si për të “larë gojën”, pra vetëm për të krijuar idenë e ndonjë ndryshimi progresiv, si fjala “autonomi spitalore”, kur në fakt jo vetëm janë sipërfaqësore, por dhe ato vetë a implementimi i tyre, futen në disa labirinte, që në realitet i bëjnë të paimplementueshme.

Edhe konceptet e “reja” që kërkojnë të serviren atje si “kulmi i modernizmit” janë të diskutueshme tashmë, i gjen në spitalet publike të Europës që në vitet ‘70, siç është ai i “privè”. Sa për të tjera aty nuk ka asgjë tjetër, qoftë kjo për spitalet publike, private apo edhe për lidhjen e privatit me publikun. Ndërsa ajo që është edhe më e keqja, por që vjen si një pasojë e mentalitetit “bolshevik” të ndërtimit të atij ligji, është se mungon tërësisht vendi e roli i qytetarit e pacientit, qendror ky për sistemin dhe motor i zhvillimit, konkurrencës, në përputhje kjo edhe me të drejtat themelore të tij për të zgjedhur shërbimin mjekësor. As që mund të bëhet fjalë në atë draft për diçka të tillë. Pra, pacienti aty nuk ekziston, duke e kthyer në një “send”, lihet në harresë i përbuzur, pa të drejta, për të cilin vendosin të tjerët, nëpërmjet shumë procedurave burokratike.

Sidoqoftë, le të shikojmë disa elemente që e kthejnë këtë ligj në një atavizëm të regjimeve ekstremisht të centralizuara, të papërputhshëm me një vend demokratik, ku mbizotëron ekonomia e tregut, që reflektohen direkt edhe në mënyrën e trajtimit të pacientit si një objekt çfarëdo. Ne atë draft nuk ka asnjë fjalë për konceptin real të spitalit në një vend me ekonomi tregu, zhvillues të tij, atë të “spitalit ndërmarrje”. Kjo pa dyshim shoqërohet me mungesën e plotë të çdo nocioni të matjes së kostos së spitalit.

Asnjë fjalë për sistemin DRG të kostos, pa implementimin e të cilit është e pamundur të matet e të kuantifikohet në vlera materiale aktiviteti i çdo spitali. Mungesa e këtyre elementeve u mbyll derën koncepteve të reja stimuluese e zhvilluese të “spitalit ndërmarrje”, autonomisë së vërtetë me raportin kosto/cilësi si thelbësore, për të mos folur këtu për “tregun” e shëndetit, konkurrencën nxitëse, vendimmarrjen e vërtetë spitalore etj. Në fakt, akoma më keq, ai term dhe vizion modern vazhdon të zëvendësohet me një terminologji sovjetike, duke e çuar spitalin drejt një entiteti pa dinamikë, të centralizuar e statik. Këto janë përcaktimet e atyshme arkaike si spital bashkiak, qarku, rajoni, terciar, ndarjet të përgjithshëm apo të specializuar të tij etj., që janë jo vetëm të tejkaluara veçanërisht për mënyrën si ofrohen, duke u bërë kështu të papërshtatshme e bllokuese sot.

Spitali duhet trajtuar si një njësi e vërtetë autonome, si një “ndërmarrje e shëndetit” me indekset e tij të cilësisë së shërbimit, por edhe të kostos. Spitali është spital, ku të gjitha shërbimet e tij klinike janë “specialitete”, duke filluar nga mjekësia interne, te kirurgjia e përgjithshme, gjinekologjitë, laboratorët që tashti i janë dhënë privatit me PPP, gjithçka e deri te kardiokirurgjia, trapiantet etj., që ai mund të përmbajë e zhvillojë për t’u bërë atraktiv e i dobishëm për pacientin dhe në “treg”. Ndërsa klasifikimet e përdorura në atë draft, jo vetëm e deformojnë atë, por dhe bllokojnë çdo të drejtë të pacientit për ta zgjedhur ai shërbimin mjekësor që preferon, kudo qoftë ky në territor, si një e drejtë universale e kushtetuese e tij.

Si rrjedhojë, në të gjitha ato 34 nene nuk flitet asnjë fjalë për qytetarin e pacientin, që ka të drejtë të zgjedhe shërbimin, ta kërkojë direkt atë aty ku dëshiron, i paguar më tej nga sistemi i sigurimeve në bazë të indekseve të kostos, duke u kthyer kështu në epiqendrën zhvilluese për të gjithë sistemin. Fatkeqësisht, për hir të së vërtetës, në atë ligj dhe sistemi sigurativ vazhdon të mbetet në konceptin regresiv të “blerësit të vetëm”, kur ka ardhur koha për krijimin e tregut sigurativ, si stimulues në mbledhjen e të ardhurave, konkurrencën brenda tij, kontrollin e cilësisë së shërbimit e të kostos së realizuar në spitale, apo dhe në sistemin parësor.

Nga ana tjetër, është spitali ai që në ditën e parë të aktivitetit të tij funksionon së paku si autonom e mund të marrë vendime të rëndësishme për organizimin e vet, pa pasur nevojë “t’i jepet e drejta e autonomisë” në një kohë të dytë kjo, duke e futur kështu edhe këtë proces shumë sipërfaqësor e të pamjaftueshëm në “kalendat greke” nga Ministria, gjë që e vendos definitivisht nën vartësinë e saj. Qesharake kjo për Shqipërinë e viteve 2022! Gjithashtu, në ligj mungon tërësisht mënyra e trajtimit të spitaleve private. Një gjë duhet kuptuar mirë, spitalet private janë pjesë e sistemit tonë spitalor, janë pasuri kombëtare të krijuara nga privatët pa investime shtetërore. Si të tilla, i takon shtetit tashmë t’i vërë në dobi të qytetarëve të tij këto investime, që në vendin tonë kapin shuma gjigande.

Dhe kur them në dobi të qytetarëve, jo vetëm të një grupi të vogël, që mund të paguajnë me para në dorë për të marrë shërbime mjekësore, disa herë jetike e që sistemi publik nuk i ofron. Sepse ndryshe, do të vazhdonim me divizën “o paguaj, o vdis”, që shpesh është një realitet i hidhur për shqiptarët. Dhe mekanizmat për të ndryshuar ketë tashmë janë e po përdoren me sukses në të gjithë botën që në kohën e Bismarkut. Ndërsa ky draft ligjor i vitit 2022 nuk përmban asnjë koncept e mundësi të tillë, gjë që duhej filluar me vendosjen e konceptit të spitaleve private të kovencionuara, si dhe me pranimin e përkohshëm të formës së “bashkëpagesës” në ato, bashkëpagesë që me kohë do të shuhet.

Por ky koncept kërkon edhe atë çfarë thamë më lart, domosdoshmërinë e indekseve të kostos, që as “gjurmët” nuk i duken në këtë draft. Pra, çdo gjë bllokohet prej themelit. Dhe së fundmi, kam një pyetje për autorët anonimë të tij. Po me PPP-të qindra milionëshe në euro – që të imponuara nga “qendra” kanë zeruar jo vetëm atë pak “autonomi” spitalore, por kanë krijuar kështu edhe monopole shkatërruese private kombëtare të paguara nga shteti – si do të veprohet? Apo që kanë shkatërruar edhe unitetin klinik, shkencor e universitar të spitalit, siç është ai i laboratorëve, çdo të bëhet?

Pse nuk përmenden në këtë draft si një “gangrenë” serioze për funksionimin e spitaleve në përputhje me konceptet e domosdoshme, duke dhënë edhe zgjidhjen, e cila duhet bazuar mbi ligje. Këto janë vetëm një pjese e vogël e problemeve që mbart apo do të sjellë ky projektligj, se për zhvillime pozitive as që behet fjalë! Në këto kushte, kur ky draft nuk përmban thelbin, esencën e një ligji sadopak progresiv e zhvillues për spitalet tona, të përputhshëm me realitetin e vitit 2022, por vetëm centralizëm burokratik, ai do të kthehet në regresiv e pengesë nesër, në stimulues të mundësive korruptive, n.q.s. do të miratohet.

Nga ana tjetër, ky projektligj nuk mund të përmirësohet, se është ndërtuar mbi kolona të gabuara, centraliste, të vjetra, jashtë realitetit, nevojave e mundësive edhe shqiptare. Si i tillë, ai duhet të kthehet mbrapa në qeveri e më tej të punohet me seriozitet, vizion, transparencë e kolegjialitet, për t’u filluar së përgatituri drafte të vërteta ligjore spitalore a për sistemin parësor, farmaceutik, stomatologjik, etj., etj. në vendin tonë. Si përfundim, ky draft ligjor duhet flakur në “kosh”!

© Panorama.al

Te lidhura