Presidenca greke: Himara, Vorio Epir

Oct 18, 2014 | 13:28
SHPËRNDAJE

Faqja e Presidencës greke, ku citohet Himara e Vorio Epirit
Njoftimi në faqen zyrtare të Presidencës greke për takimin e Papulias me një qytetare nga Himara.

“Presidenti priti 81-vjeçaren Pringu nga Himara e Vorio Epirit”

Presidenca greke e konsideron Himarën si Vorio Epir.
Skandali politik nga fqinji jugor është dokumentuar një javë më parë, kur gjatë prezantimit të një aktiviteti të zhvilluar në Presidencë, Presidenti i Republikës greke, Karolos Papulias, ka pritur një banore të Himarës, 81-vjeçaren Ermioni Pringu. “Presidenti i Republikës priti sot, 10.10. 2014, në Presidencë zonjën Ermioni Pringu, nga Himara e Virio Epirit, e cila u nderua për aktivitetin patriotik të saj nga Shoqata e familjarëve të të rënëve në luftën e viteve 1940-1941”, thuhet në njoftimin e Presidencës greke. Ky skandal u bë i njohur vetëm nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Qirjako Qirko, i cili iu përgjigj notës së protestës së ambasadorit grek Rokanas për një incident në fshatin Dervician, me kërkesën për të rregulluar dhe njoftimin e bërë në faqen e Presidencës greke. Qirko i ka kërkuar ambasadorit grek heqjen e termit Vorio Epir nga faqja e Presidencës greke, pasi sipas tij “ky term nuk është koncept politiko-administrativ në Republikën e Shqipërisë, ndërkohë që përdoret rëndom në qarqe antishqiptare, të cilët në kuadër të pretendimeve territoriale identifikojnë me këtë term Shqipërinë e jugut”. Nga ana e tij, ambasadori grek ka premtuar se do të njoftonte menjëherë autoritetet e Presidencës greke, për të bërë korrigjimin përkatës. Por dhe pse takimi me sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme Qirjako Qirko u zhvillua dje paradite, edhe në orët e mbrëmjes, termi Vorio Epir nuk ishte lëvizur nga njoftimi i Presidencës greke. Himara mbetet rajoni, për të cilin Greqia po lobon që të mbetet një zonë minoritare në ndarjen e re territoriale. Deputetë grekë, por dhe kongresmenë amerikanë, që mbërritën në Shqipëri pak ditë më parë, Gus Bilirakis, Jack Kingston dhe Gregory Meeks kanë biseduar me qeverinë shqiptare duke transmetuar shqetësimet që komuniteti grek në SHBA ka për ndarjen e re territoriale, ku Himara është përfshirë dhe me komunën e Hore Vranishtit.

Marrëveshja për tekstet shkollore
Ministria e Arsimit e Shqipërisë dhe ajo greke kanë rënë dakord që të rregullojnë pasaktësitë që gjenden në tekstet e të dy vendeve në lidhje me historinë. Kështu është rënë dakord që nga librat grekë të historisë është hequr në bazë të marrëveshjes dypalëshe, historia reale për helenizmin vorio-epirot, nga lashtësia deri në ditët e sotme. Por disa deputetë grekë kanë shfaqur shqetësim për tekstet shkollore shqiptare. Sipas tyre, Shqipëria nuk e ka respektuar marrëveshjen me Greqinë për heqjen e referencave irredentiste në librat e gjeografisë apo ato të historisë.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura