Poeti dhe artisti i laureuar në mjekësi

Sep 11, 2015 | 14:08
SHPËRNDAJE

MYFTAR BARBULLUSHIPROF. MYFTAR BARBULLUSHI

    Ai ishte i përgatitur. Në shkurt të këtij viti, nëpërmjet një editoriali të botuar në faqen e parë të “New York Times”, mjeku dhe shkrimtari i famshëm do të njoftonte se vuante nga kanceri në fazën përfundimtare të sëmundjes.
Sikur të mos i mjaftonte një jetë e mbushur me beteja për mjekësinë, për kërkimin shkencor dhe për humanizmin, fati i mbrapshtë do t’i rezervonte dhe një betejë tjetër të fundit me sëmundjen e pashërueshme, një test ky që do konfirmonte madhështinë, dinjitetin dhe kurajën e tij para vdekjes.

Ai konsiderohet mendimtari më i rëndësishëm i kohës sonë. Një portret i gjallë që shpaloset me një mendje brilante, një entuziazëm fëminor, që nuk rresht së inspiruari mjekët, e sidomos neuroshkencëtarët, një aventurier i pakorrigjueshëm që nuk rresht së kaluari kufijtë e vetë jetës, cilësi të cilën e përshkruan bukur mësuesi i tij, kur thotë se: “He will go far, if he does not go too far”. Ai shpesh ka prekur limitet, pasi beson në një koncept të tijin mbi shpejtësinë – Shpejtësi do të thotë lëvizje, reflekse, mendime, vëmendje, reagim, qëllim, arritje.

Shpejtësi do të thotë sfidë e hapur ndaj kohërave të vdekura, të humbura, ndaj mërzisë. Shpejtësia nuk është element, por sistem, sistem për të jetuar, për të fituar, për të qëndruar në botë, duke qenë se bota është në përshpejtim marramendës. Shpejtësia është aspiracion, dhe shpesh një zgjedhje apo një qëndrim që gjeneron sensacione, reaksione, shije. Natyrisht, duhet të kesh kokë dhe fizik për shpejtësinë – insiston ai. Energjitë dhe pasionet e tij të pashtershme fizike për motoçikletën, notin, do të shkonin paralel me pasionet e tij cerebrale, përfshi dhe amfetaminën.

Empatia dhe kurioziteti i tij intelektual i shtrirë jo vetëm në neuroshkencë, por në çdo cep dhe skutë të jetës është më evident se kurrë, sidomos në librat e tij. Ky mega-memorial, i shtrirë në disa botime që unë kam pasur fatin t’i lexoj, është i qartë, thellësisht afektues, human dhe akoma më shumë se human, gati-gati marsian.
Mjekësia është oksigjen për mua. Oksigjen që rrjedh nga enët e gjakut të prindërve të tij mjekë. – Vetëm kur fillova t’u dedikohem pacientëve, kuptova që jeta ime mund të kishte një qëllim dhe nuk e lëshova kurrë atë spirancë shpëtimi.

Dashuria e tyre, kënaqësia klinike, netët e gjata në laborator dhe publikimet në revistat shkencore më dhanë jetë – do të shprehet ai. Ai, si askush tjetër, të drithëron e të “detyron” ta ndjekësh në rrugën e të bërit mjek e sidomos, në mënyrën e papërsëritshme, se si ai ndërthur jetën e tij të lirë me atë të pacientëve të tij. Dhe, çka është më surprizuese, këtë ai e realizon jo vetëm me njohuritë e një njeriu të mjekësisë dhe shkencës, por edhe me një simpati Çehovjane për pacientët e tij, për të cilët thotë se pa ata nuk do të kishte mundur të jetonte kaq gjatë.

Ky mjeshtër i trurit dhe i shpirtit zbulon sekretaret e jetës, duke na ndriçuar pikërisht ato rrugë të mendjes që na bëjnë ne humanë, duke zbuluar në vetvete një sentiment tjetër, atë të humanizmit, të një mjekësie që futet thellë jo vetëm në problemet, por dhe në shpirtin e pacientëve. “Në shkollën e të sëmurit mjekët vinë të papërgatitur. Ka ardhur koha që në Fakultetin e Mjekësisë të futet një provim për ata që kurojnë të sëmurët, ai i humanizmit”.

“Libri ka qenë për mua një histori dashurie”, thekson shpesh ai në veprat e tij. “Procesi i të shkruarit, kur ecën mirë, më jep një kënaqësi, një gëzim, që nuk ngjan me asgjë tjetër. Më çon në një gjendje që më absorbon tërësisht, duke më bërë të harroj gjithçka, ankthin, preokupacionet e deri dhe kalimin e kohës. Në këtë gjendje të rrallë paradisiake të mendjes arrija të shkruaja pa frymë, derisa nuk arrija të shihja dot as fletën. Dhe vetëm atëherë zbuloja se po binte nata…”.

Sikurse shkrimtarët e mëdhenj të shekullit XIX, metoda e tij letrare e mbështetur shumë në të dhëna që derivonin nga klinika, iu ngjan historive të Frojdit dhe të neuropsikologëve rusë. Shkrimet e tij inspiruan Hollivudin dhe u vlerësuan edhe me “Oscar”. “Awakenings”, me aktorët Robin Williams dhe Robert De Niro, do ta fuste atë edhe në shoqërinë e artit, duke e detyruar gazetën “New York Times” ta konsiderojë atë si “poeti dhe artisti i laureuar në mjekësi”.

Ai nuk resht së surprizuari edhe kur gjatë leximit të veprave të tij ti nuk gjen Mjekun e Madh në sintoni të fortë me pacientët, por një njeri shumë delikat, një të rritur me shpirt fëmije dhe, për më tepër, në disharmoni me botën përreth, një koncentrim të autodestruksionit që luan gjatë gjithë kohës me vdekjen dhe që pavarësisht dështimeve të shpeshta plateale që ai nuk i ka pasur të rralla në jetën e tij, ai rigjen harmoninë në saje të punës në klinikë dhe shkrimeve.

Qasja ndaj ditëve të fundit të jetës së tij ishte krejtësisht e veçantë. Modeli, leksioni i një jete kundrarryme do ta shoqëronte atë deri në ditët e fundit të jetës. Me zbulimin e sëmundjes së pashërueshme ai kishte filluar ta shihte jetën e tij “nga një lartësi e madhe, si një lloj peizazhi, me një sens më të thellë refleksioni se më parë”. Raporti i tij me kancerin u shoqërua me një retiçencë të veçantë në planin psikologjik — një tipar paradoksal për një mjek që na kishte mësuar ta lexonim jetën e të sëmurëve që vuanin nga sëmundje të tilla, si Tourette, Autismi, Afasia dhe Amnesia, shoqëruar me aventura të kurajës, rezistencës dhe kreativitetit. Ai ndiente nevojën të tregonte, por pa dhënë asnjë shpjegim se përse. Dhe këtë ai e bëri, por sipas mënyrës së tij, nëpërmjet një libri, “On the Movie”.
“Jeta ime është argumenti im” – pa dyshim neurologu dhe shkrimtari i madh Oliver Sacks, i cili ndërroi jetë para disa ditësh, do ta mëshironte këtë motiv deri në fund të jetës së vet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura