Përvjetori/ Akademik Stefanaq Pollo, përfaqësues i shquar i shkencës sonë historike

Dec 13, 2023 | 9:51
SHPËRNDAJE

stefanaq polloGJERGJI KRISTO FRASHËRI

Para disa ditësh, dëgjova prej miqtë të mi, të cilët janë persona grata për Akademinë e Shkencave të Republikës sonë, se më 14 dhjetor, ajo do të organizojë një tryezë shkencorejubilare në formatin akademik-ad honorem, në nderim të 100-vjetorit të lindjes së historianit akademik Stefanaq Pollo.

Po të isha i ftuar për të marrë pjesë në këtë eveniment, do ta kisha shqetësuar me siguri sallën e mbushur me akademikë të nderuar, me pyetjen kurioze fare të thjeshtë – Akademiku Pollo ka lindur më 7 shkurt 1923. Për cilën arsye, Akademia e nderuar e Shkencave e kujton 100-vjetorin e lindjes së tij, më 14 dhjetor 2023 dhe nuk e përkujtoi atë më 7 shkurt 2023, plot 100 vjet të lindjes? E pati harruar? Apo nuk e quan detyrim t’i respektojë datat e lindjes dhe të vdekjes së akademikëve, kur këto data dihen!

Sjelljeve të tilla vendase prej kohësh nuk iu dhuroj kurrfarë rëndësie, sepse, shumë prej atyre që janë vënë në institucionet e sotme për të kryer këto punë, në rradhë të parë nuk kanë respekt për vetveten, e jo më kur bëhet fjalë për të nderuar me seriozitetin përkatës kontributin e historianit Pollo, i cili nuk është vetëm njëri prej historianëve më të shquar që hodhën themelet e shkencës historike shqiptare bashkëkohore, por edhe një nga figurat po aq themelore në konceptimin dhe drejtimin e strategjisë kombëtare të Historisë Shqiptare të Kohës së Re. Është fakt, se ne historianët e brezave të mëpasmë, e gjetëm rrugën e hapur prej tyre, madje edhe të ndriçuar drejt labirinteve të shkencës. E ndjej për detyrim vetjak, të gjej mundësinë për të shprehur këtë mirënjohje, si nxënësi ndaj profesorit të tij, vlerësimin tim modest mbi figurën e Akademikut dhe Mësuesit Stefanaq Pollo.

KUSH ISHTE QYTETARI STEFANAQ POLLO?

Lindi më 7 shkurt 1923, në Përmet, në një djep patriotik. Ishte fëmija i tretë i Themistokliut dhe i Aretisë. I ati kishte emigruar në fillim të shekullit 20 në Amerikë, në Boston, Massachusetts e St Louis, Missouri dhe ishte një ndër aktivistët e lëvizjes patriotike shqiptare. Me porosi të Fan Nolit, Themistokliu kthehet në Atdhe në vitin 1911, takon Edit Durhamin në Podgoricë. Mandej atje, i dorëzon Ded Gjo Lulit, flamurin shqiptar të Vatrës dhe udhëton me kryengritësit nga Gjakova në Përmet, ku ngritën flamurin e pavarësisë. Nëna e Stefanaqit, Areti Pollo-Frashëri ishte një grua e kultivuar që kishte botuar poezi, p.sh., në 1908 në revistën shqip “Kalendari Kombjar” që dilte në Sofje të Bullgarisë. Hapat e parë të edukimit Stefanaqi i nisi në Përmet, për të vazhduar më pas në Liceun Francez të Korçës ku shfaqi prirjet e tij të para për historinë, letërsinë dhe gjuhën shqipe (si zakonisht përmetarët dhe pa mëdyshje, frasherllinjtë). Ishte pushtimi i vendit nga Italia në vitin 1939 që nxiti edhe Stefanaqin si shumë liceistë, të ndërpriste studimet në vitin e fundit të Liceut për t’u përfshirë në organizimin e qëndresës antifashiste në qarkun e Korçës. Kështu u bë kryeredaktori i gazetave “Kushtrimi i Lirisë” dhe “Zëri i Rinisë”, si dhe pjesëmarrës në Divizionin e Dytë Sulmues. Në Kongresin e Parë të Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare (8 gusht të vitit 1944) aiu zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm.

1. Pas luftës, prej vitit 1945, Stefanaqi ndoqi studimet në Universitetin Lomonosov të Moskës, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera në shkencën e historisë. I sapo diplomuar (28 vjeç) nis punën si pedagog i historisë në vitin 1950në Institutin Pedagogjik Katërvjeçar në Tiranë, ndërsa në vitet 1951-1957, pedagogu Stefanaq Pollo vazhdonpunën si nënkryetar i Institutit të Shkencave. Me një vizion të qartë mbi perspektivën, ai ngulmoi që arsimi ynë i lartë të ndërtohej me standarde të kohës, me synimin për të arritur sa më shpejt në nivelin e institucioneve analoge të vendeve të përparuara me tradita e përvojë të konsoliduar. Është koha e hartimit prej tij, të tekstevetë një numri disiplinash formuese në Institut.Ka gjithashtu meritën, se krijoi fizionominë e tyre të parë në auditorët tona. Gjithashtu aty dha një kontribut në fushën e hartimit të planeve dhe programeve fillestare mësimore të arsimit të lartë në Institutin Pedagogjik Katërvjeçar të Tiranës, ne Institutin e Shkencave dhe më pas, edhe në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.

Veç punës së tij të gjerë në fushën e arsimit, ai dha në këto vite një kontribut të dallueshëm në organizimin e studimeve historike dhe albanologjike. Aftësitë e tij organizative ai i vuri në jetë në organizimin e Arkivit të Shtetit, të Muzeut Arkeologjik-Etnografik, të Muzeut të Shkencave të Natyrës, të Shërbimit Hidrometeorologjik dhe Laboratorit të Kërkimeve Kimike. Në nëntor 1952 drejtoi punën organizative të Institutit për Konferencën Kombëtare me temë: “Formimi i kombit shqiptar dhe fillimet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”, e cila u bë tema themelore e jetës së tij. U afirmua shpejt si njohës i mirë i historisë shqiptare, për forcën e analizës dhe sintezës shkencore, si dhe për objektivitetin, logjikën e rreptë dhe mprehtësinë e vëzhgimit dhe të arsyetimit. Në referatin e tij: “Probleme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare” ai reflekton një varg tezash themelore për burimin, origjinalitetin dhe gjenezën e popullit shqiptar, për karakterin autokton të këtij populli në trojet e sotme, për rolin aktiv e dinamik të shqiptarëve në marrëdhëniet historike me popujt e tjerë, për njësinë e gjuhës shqipe dhe të kulturës historike shqiptare.

Në fund të viteve ’50 të shekullit të kaluar, ai ishte bërë një historian i mirëshkolluar, një intelektual shumëplanësh me angazhime të shumta, kishte vënë mendjen dhe dorën e vet në hedhjen e themeleve të institucioneve shkencore të modelit evropian në një terren, ku kishte munguar prej shekujsh ushtrimi i gjuhës dhe i arsimit kombëtar, dhe ndërkohë po i dhuronte vitet e arta të pjekurisë, çështjes së Rilindjes Kombëtare, për t’u bërë një ndër përfaqësuesit më të shquar të shkencës sonë historike, një personalitet i historiografisë shqiptare.

2. Ndër veprat themelore të historianit akademik Stefanaq Pollo, të cilat sipas mendimit tim qëndrojnë në krye të piedestalit të tij si personalitet në drejtimin e shkencës shqiptare, është kontributi i tij thelbësor midis personaliteteve të tjerë, në themelimine Universitetit Shtetëror të Tiranës (përfshi ndërtimin e Fakultetit Histori-Filologji)në vitin 1957, më pasnë ngritjen e Akademisë së Shkencave të Republikës sonë (përfshirëngritjen e Institutittë Historisë) në vitin 1972dhe në vijim, roli i tij themelor në arritjen e “Marrëveshjes së bashkëpunimit midis Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës”(në shkëmbimet shkencore-arsimore mes Shqipërisë dhe Kosovësnë vitet 1971-1981).

Pa iu larguar temës, më duhet të bëj një parantezë, duke sjellë në kujtesë, se deri në kapërcyellin e mesit të shekullit të kaluar (mbas Luftës së Dytë Botërore), jo vetëm Republika Popullore e Shqipërisë, por asnjë nga pjesët e kombit tonë të përfshira në formacione të tjera shtetërore në Ballkan, nuk kishin pasur kurrë gjatë historisë së tyre, as universitet dhe aq më pak një Akademi Shkencash Kombëtare. Siç dihet, perspektiva historike për një shtet të pavarur kombëtar të trojeve shqipfolëse në Ballkan, nisi me përpjekjet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, me Lidhjen e Prizrenit (1878) dhe u kurorëzua me Shpalljen e Pavarësisë të mbarë trojeve shqiptare (të katër vilajeteve) në një shtet të vetëm kombëtar (28 Nëntor1912). Në agimin e këtij zgjimi kombëtar, kur momenti i mbijetesës së tyre historike kombëtare dhe i pjekurisë së tyre civilizuese i diktoi dhe i bindi, se duhej të shpallnin shtetin e tyre të pavarur dhe t’a qeverisnin më vete ndaj të tjerëve, atëherë përfaqësues të Kuvendeve Krahinore mbarë shqiptare u mblodhën në Vlorë më 28 Nëntor 1912 dhe i bashkuan viset e tyre kombëtare në Ballkan nën Flamurin e Skënderbeut, nën strategun dhe shtetarin patriot Ismail bej Vlorën. Pavarësia u shpall, flamuri i saj u ngrit, por shteti lehonë shqiptar mbarëkombëtar nuk arriti të rritej dhe të mbrohej.

Mbas tetë muajsh lehonë, Fuqitë e Mëdha me vendimet e Konferencës së Londrës në korrik të vitit 1913, i kafshuan duke i copëtuar trojet shqiptare dhe ua shpërndanë ato, hienave ballkanike përreth për të qetësuar urinë nacionaliste të tyre. Kufijtë që caktoi Konferenca e Ambasadorëve në Londër e rrudhën në mënyrë të pakrahasueshme Shqipërinë e asaj kohe, duke lënë jashtë hapësirës së trojeve etnike të saj rreth 60% të territorit dhe dy të tretat e popullsisë shqipfolëse.

Asokohe, kombin shqiptar në trojet e veta historike në Ballkan,Fuqitë e Mëdha e patën të lehtë për ta kafshuar, sepse ishte krijesa më e dobët midis fqinjëve, jo vetëm nga pikëpamja politike, ekonomike dhe ende e paorganizuar me mëvetësinë ushtarake, por mbi të gjitha, dukshëm për nga niveli i ulët arsimor i shumicës dërmuese të popullatës, përpos mungesës vajtuese të institucioneve arsimore dhe akademike shkencore kombëtare në mbarë trojet shqipfolëse të Ballkanit. Sipas mendimit tim, nuk është për ta fshehur konstatimin, se Shqipëria e Ismail bej Vlorës (e katër vilajeteve shqiptarenë Ballkan) e shpalli formalisht Pavarësinë e saj mbi rrënojat e Perandorisë Osmane pas një sundimi më se të stërlodhshëm pesëshekullor (1385-1912), e fundit pas pavarësisë së kombeve të tjera ballkanike, madje e mohuar në mënyrë të pamerituar ndaj kontributit që shqiptarët i kishin dhënë më shumë dhe më kohëgjatë se të tjerët strukturave shtetërore të saj. Deri aq, sa kjo Perandori si shpërblim, u mohoi atyreme mosmirënjohje me shekuj, të drejtën për të shkruar dhe lexuar në gjuhën shqipe të tyre të stërlashtë amtare. Por nga ana tjetër, kjo tregon qartazi edhe mosinteresimin dhe mosndërgjegjësimin e vetë shqiptarëve në përparimin e tyre qytetërues kombëtar. Dëshmi e qartë për këtë vonesë historike në përvojën shtetërore dhe mungesën e qytetërimit kulturortë tyre, është Kongresi i Manastirit më 1908, në të cilin shqiptarët, me shumë-shumë vonesë ndërgjegjësimi kombëtar, madje kur Perandoria Osmane gulçonte gërhimat e fundit në shtratin e vdekjes, “fituan” së fundmi të drejtën ligjore të shkollës dhe të shkollimit të tyre në gjuhën shqipe amtare.

Përballë analfabetizmit të tyre masiv popullor dhe mungesës së plotë të institucioneve shkencore akademike shtetërore, shqiptarët nuk mund të ishin në gjendje tash e 110 vjet më parë, të mbanin trojet e tyre shqipfolëse të bashkuar nën një shtet të vetëm në hapësirën ballkanike. Pikërisht, prandaj Rilindësit tanë kishin vërshuar me veprën e tyre kombëtare përgjatë shek. 19, të zgjonin dhe të përgatitnin shqiptarët për të luftuar dhe fituar me armët e mëvetësimit qytetar. Mesazhi i veprës së Sami Frashërit ishte një flamur kombëtar që tregonte, se një komb nuk mund të bëhet dhe të mbahet i bashkuar pa ushtruar së paku gjuhën e shkruar dhe leximin e saj. Ai nuk mund të qëndrojë i bashkuar pa qenë i pajisur me kulturë qytetare kombëtare, pa shkolla në gjuhën kombëtare, pa dije dhe dituri, pa institucione akademike që punojnë në interes të Atdheut dhe të Mëmëdheut, pa u pajisur me arsimin, dijet dhe shkencën, të cilat i përkasin një kombi të qytetëruar dhe të vetëdijshëm për unitetin dhe sovranitetin e tij. Naim Frashëri la mesazhin, se një komb nuk mund të shkojë përpara në rrugën e qytetërimit pa dituri, madje pa dritën e diturisë. Gjithnjë sipas vëzhgimit tim, kjo duhet të ketë qenë arsyeja e pa shkruar, përse fuqitë e Mëdha e panë “më të arsyeshme” (gjetën “argumentin”, apo osmanisht “sebepin”) ta parcelonin kombin shqiptar në 4-5 apo 6 shtete më 1913, pasi ai ishte vetëshpallur i pavarur në një shtet të madh ballkanik një vit më parë (1912). Shkurt, në tavolinat diplomatike të Fuqive të Mëdha ka qenë shtruar me siguri edhe pyetja – Çfarë mund të bënte një komb analfabet i pajisur me një shtet të madh me energji luftarake natyrore në qendër të Evropës Juglindore?! Sa energji qeverisëse evropiane do të kishte një shtet-komb i tillë, që të ishte i aftë dhe partner për qeverisur veten dhe të bashkëjetonte në paqe dhe mirëqenie edhe me të tjerët?Koha vërtetoi se ky vendim i Fuqive të Konferencës së Londrës paskësh qenë afatgjatë. Tashmë kanë kaluar plot 100 vjet nga Konferenca e Fuqive të Mëdha të Londrës, pyesim – sa kanë realizuar shqiptarët nga projekti i Shpalljes së Shqipërisë së Pavarur më 28 nëntor 1912?

Republika jonë me një analfabetizëm të pashembullt deri në fund të Luftës së Dytë Botërore nuk pati kurrë Akademi Shkencash përpara se ajo të krijohej së fundi më 1972. Po ashtu, edhe Kosova nuk pati kurrë Akademi Shkencash përpara se ajo të themelohej tre vjet pas saj, më 1975. E njëjta gjë është edhe për Akademitë e vendeve fqinjë me popullsi shqiptare. Akademia e Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi u themelua në vitin 1976 (fillimisht si Shoqata Malazeze për Shkenca dhe Arte në vitin 1973), ndërsa ajo e Shkencave dhe e Arteve të Maqedonisë u themelua si Akademi në vitin 1967. Me këtë tregues të ulët të zhvillimit arsimor dhe qytetërues kombëtar shqiptar në Ballkan, nuk mund të ketë qenë rastësi që fuqitë e mëdha e përçmuan më 1913 vullnetin e kombit shqiptar për të qëndruar nën një shtet të vetin kombëtar. Ato e përçmuan këtë të drejtë kombëtare të shqiptarëve jo vetëm në Konferencën e Londrës 1913, por edhe në Konferencën e Paqes më 1946 pas Luftës së Dytë Botërore, duke e rikonfirmuar edhe më tej ndarjen e trojeve shqiptare dhe shpërndarjen e tyre si parcelanën hijen e vendeve fqinjë. Mendoj, se në këtë qëndrim përçmues ndaj kombit shqiptar, dolën vetvetiu mbi ujë, epërsitë e zhvillimit qytetërues dhe politik të fqinjëve tanë, veçanërisht epërsitë në lëmin arsimor dhe akademik, të cilat të gjitha sëbashku ndikuan padyshim që të merrnin prioritet kërkesat nacionaliste dhe hegjemoniste të vendeve fqinje, përkundrejt një Shqipërie të madhe të paqytetëruar dhe të paarsimuar (për të mos thënë analfabete).

Epërsinë e zhvillimit arsimor historik të fqinjëve të asaj kohe, e tregojnë simbolikisht dhe vetë pajisja e këtyre vendeve me universitete dhe akademi, të tilla si Serbia me Universitetin e Beogradit i themeluar qysh në vitin 1808 dhe me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Serbisë të themeluar fillimisht më 1886 si Akademia Sërbe Mbretërore, e riquajtuar më 1947 si Akademia Sërbe e Shkencave dhe pagëzuar prej vitit 1960 me emrin e sotëm si Akademia Sërbe e Shkencave dhe e Arteve. Nga thellësi më të mëdha në kohë vjen Universiteti i Zagrebit i themeluar në vitin 1669 dhe me Akademinë Kroate të Shkencave dhe të Arteve në Zagreb prej vitit 1848. Nuk është e nevojshme të rradhisim këtu Akademitë e shumta disa shekullore të qyteteve të Italisë, si ajo e Romës, e Napolit, etj. Por, nuk do të linim pa përmendur Akademinë Bullgare të Shkencave të Sofies themeluar në Braila më 1869, si dhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Athinës të themeluar në vitin 1926 mbi këmbët e një akademie më të vjetër.

2a.E bëra këtë parantezë për të sjellë më në fokus kontekstin e vlerës historike të themelimit të Universitetit të parë të kombit shqiptar në Ballkan, Universitetin e Tiranës më 1957, në sajë të kontributit që dhanë shkencëtaret e asaj kohe, midis të cilëve ishte edhe Prof. Stefanaq Pollo. Themelimi dhe ngritja e institucioneve shkencore ishte pjesë e mendimit të ideologëve të Rilindjes Kombëtare, se si duhej të bëhej Shqipëria, por realizimi i tyre u bë tërësisht në kohën e Pasluftës, të Republikës Popullore të Shqipërisë, të Socializmit, apo të Diktaturës (vërini emrin si të dëshirojë secili, ajo është tërësisht një vepër gjigande kombëtare e asaj kohedhe e tillë do mbetet përjetësisht).

Me krijimin e Universitetit të Tiranës, në shtator 1957, Stefanaq Pollo emërohet dekani i parë i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, detyrë që e mbajti deri në vitin 1959, kur u caktua me detyrën e drejtuesit të Grupit të Autorëve për hartimin e veprës së parë shkencore përgjithësuese “Historia e Shqipërisë”

2b.Me themelimin e Akademisë së Shkencave në Tiranë më 1972, prof. Stefanaq Pollo u zgjodh anëtar i saj. Gjithashtu ai ishte edhe anëtar i Këshillit Drejtues të Akademisë, si dhe anëtar i Komitetit Ballkanik të AIESEsë. Tashmë, akademiku Stefanaq Pollo emërohet më 16 shkurt 1972 edhe drejtori i parë i Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave, detyrë që e mbajti deri në vitin 1989.

Me energjinë e një intelektuali shumëplanesh, ai ishte model pune, urtësie dhe moderacioni. Së bashku me prof. Aleks Budën, u përpoqën sa mundën për të krijuar një atmosferë pune e bashkëpunimi ndërmjet kërkuesve shkencorë për studimin e çështjeve madhore kombëtare mbarëshqiptare. Ata plotësonin njëri-tjetrin, duke e përballuar bashkërisht organizimin dhe drejtimin e punës shkencore për të shpënë përpara historiografinë shqiptare. Nuk mund të kuptohet shkenca shqiptare, në një periudhë 50-vjeçare të shekullit 20, pa historianët Aleks Buda dhe Stefanaq Pollon dhe pa bashkëpunimin e tyre.

2c.Një rol kryesor dhe vlerësim të veçantë i njihet Prof. Stefanaq Pollos në”Marrëveshjen e Bashkëpunimit midis Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës” gjatë dekadës 1971-1981. Bashkëpunimi mësimor-shkencor në këtë periudhë ishte një nga ngjarjet e rëndësishme në planin kombëtar për historinë e Kosovës dhe të Shqipërisë,që përtëritilidhjet e këputura prej vitit 1948 midis këtyre dy pjesëve kryesore të kombit shqiptar. Përmes këtij bashkëpunimi u bënë hapa të rëndësishëm drejt integrimit sidomos në lëmin e arsimit, shkencës, artit, kulturës, gjuhës, mjeteve të informimit, etj.Prof. Pollo ishte ndër pedagogët e parë që filloi të jepte leksione në Universitetin e Prishtinës. Këtij bashkëpunimi institucional të kësaj periudhe i atribuohet roli kyç në influencën e Universitetit të Prishtinës për rizgjimin e ndërgjegjes kombëtare ndër shqiptarët e Kosovës.Gjithashtu Prof. Stefanaq Pollo, ishte ndër te parët, që shkroi artikuj në mediet evropiane, në mbrojtje të të drejtave të vëllezërve shqiptarë kosovarë, duke argumentuar shkencërisht, si p.sh. me artikullin “Mite përballë realitetit” të botuar në gazetën franceze “Le Monde” në 4 qershor 1981, të vërtetën historike, se populli shqiptar i Kosovës banon në trojet e stërgjyshërve të lashtë dardanë.

3. Periudha e Rilindjes Kombëtare ka qenë fusha kryesore ku i përqendroi studimet prof. Pollo. Ai ka bërë analiza e shpjegime të qarta dhe të sakta rreth karakterit, përmbajtjes dhe synimeve themelore të saj. Kërkimet për këtë periudhë ai i ka paraqitur sidomos në përmbledhjen me dy vëllime “Në gjurmë të historisë shqiptare” ku e paraqet Rilindjen, një periudhë të Kohës së Re, cilësisht më të lartë të historisë sonë kombëtare, e cila çoi në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Kësaj çështjeje ai i kushtoiedhe një numër të madh artikujsh në gazetat e revistat e kohës, sidomos ato shkencore. Për konceptin e rilindësve mbi Atdheun, prof. Pollo shkruante, se “Atdheu u vu në qendër të mendimit politik e shoqëror të rilindësve për të ngjallur e forcuar dashurinë ndaj tij dhe lidhur me këtë, për të vënë interesat e larta të tij mbi ato vetjake, krahinore apo klasore. Nocionet e reja të kombit, të atdheut dhe të atdhedashurisë qëndruan në bazë të idesë së madhe të lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit kombëtar, që përbënte edhe synimin madhor të Rilindjes”.

Prof. Stefanaq Pollo ishte pjesëmarrës në kongrese e konferenca zonale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Me referatet dhe kumtesat e tij të thelluara paraqiti arritjet e shkencës historike shqiptare, duke zhvilluar, plotësuar por edhe konfrontuar teza të historiografisë ballkanike dhe evropiane. Studimi i tij “Historia e Shqipërisë, nga origjina e deri në ditët tona”, botuar në Francë në vitin 1974 dhe në Angli në vitin 1981, si dhe i ribotuar në vende të tjera në dhjetë gjuhë të huaja, ka shërbyer ndër burimet kryesor informacioni për botën e huaj akademike, në njohjen e saj me Historinë e Shqipërisë.

Pas katër dekadash veprimtarie intensive në sektorin e arsimit dhe shkencës, si specialist dhe drejtues Prof. Pollo në vitin 1989 u tërhoqnë moshën e pensionit nga detyra e drejtorit të Institutit të Historisë, për të vazhduar më pas krijimtarinë e tij të lirë. Ai vijoi punën shkencore për përgatitjen për botim të vëllimit të parë të veprës “Në gjurmë të historisë Shqiptare”, të cilin e botoi në vitin 1990. Më tej iu përkushtua vëllimit të dytë të kësaj vepre, por sëmundja që e goditi në shqisën edëgjimit,megjithë ndërhyrjen kirurgjikale, i a vështirësoi punën.Po ashtu monografinë “Fetë në Shqipëri” për të cilën prof. Pollo punoi me aq pasion e këmbëngulje gjatë jetës, sëmundja nuk do ta linte që t’a përfundonte. Ai u nda nga jeta më 15 maj 1997, duke na lënë ne brezave më të rinj, modelin e tipizuar të formimit intelektual dhe të dallueshëm të tij, si atdhetar, si drejtues i institucioneve bashkëkohore dhe historian shkencëtar. Akademiku Stefanaq Pollo qëndron në tribunën e themeluesve të historiografisë dhe institucioneve moderne kombëtare shqiptare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura