Përplasi për vdekje fëmijën dhe të riun në Kamzë, si u mbrojt në gjyq shoferja. Tha se…

Aug 13, 2018 | 15:48
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Rozina Kolecin, drejtuesen e mjetit që shkaktoi aksidentin tragjik në Kamzë përpara disa ditësh. Koleci është shfaqur në seancë ditën e shtunë krejt e tronditur për çfarë ka ndodhur. Ajo është mbrojtur përmes avokatit të saj, duke thënë se nuk ka qenë duke lëvizur me shpejtësi në momentin që ka humbur kontrollin e mjetit.

aksident kamze

Megjithatë, aksidenti shkaktoi vdekjen tragjike të një vajzë 8-vjeçare me inicialet E.N. dhe të një përdoruesi biçiklete të identifikuar si Ramazan Isha, 57 vjeç. Seanca gjyqësore drejtohej nga gjyqtari Ardian Kaliaj, i cili në përfundim të saj pranoi kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për caktimin e masës së arrestit me burg për drejtuesen e mjetit. Ajo është justifikuar në seancë, duke pretenduar se ka qenë viktima që lëvizte me biçikletë që i preu rrugën dhe për pasojë humbi kontrollin e mjetit.

“Nuk po lëvizja me shpejtësi dhe ka qenë personi me biçikletë që më preu rrugën. Në këto kushte, tentova ta shmang, por humba kontrollin e mjetit”, ka thënë ajo në Gjykatë. Mirëpo, prokurori Bajram Breçani ka një tjetër tezë. Sipas tij, drejtuesja Rozina Koleci ka qenë duke përdorur celularin në momentin që po drejtonte mjetin.

Një gjë e tillë është kundërshtuar nga ajo vetë dhe avokati i saj në seancë. Prokuroria pret edhe analizimin e materialeve të tjera filmike të sekuestruara në bizneset përreth ku ndodhi aksidenti, për të dalë në një konkluzion më të saktë. Deri në përfundim të hetimeve, Rozina Koleci mund të qëndrojë në burg. Megjithatë, avokati i saj la të kuptohej se do ta apelojë vendimin.

DËSHMITË

Aksidenti tragjik është parë nga dhjetëra dëshmitarë, kalimtarë, por edhe drejtues mjetesh. Ata kanë treguar tmerrin që përjetuan kur panë makinën që mori para nënën me dy fëmijë, ndërsa vajza e vogël u vdiq para syve pa mundur t’i bënin dot asgjë.

Dëshmitarët kanë thënë në organin e akuzës se shoferja, që drejtonte mjetin dhe shkaktoi aksidentin, nuk po lëvizte me shpejtësi të madhe, por pas përplasjes, ajo në vend që të frenonte i dha gaz mjetit.

Sipas dëshmitarëve, edhe pas përplasjes së automjetit “Mercedez-Benz”, ai ka vazhduar rrugën dhe ka ndaluar vetëm pasi është përplasur me mjetet e tjera.

“Në rast se nuk do e ndalonin makinat me të cilat u përplas, aksidenti do ishte edhe më i tmerrshëm. Do kishte shkaktuar një tragjedi të madhe. Me vjen shumë keq, jam e tmerruar nga ajo që pashë. Nëna ishte në trotuar bashkë me vajzat, kur makina i përplasi të tria”, ka rrëfyer një dëshmitar që ndodhej fare pranë vendit ku ndodhi aksidenti tragjik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura