“Për ta nuk është folur kurrë, shërbimi i tyre ishte diskret”/ Nga Beogradi në Kinë, sekretet e “diplomatëve” zbulues! Historitë e patreguara të shërbimit inteligjent të ushtrisë

Nov 12, 2023 | 13:00
SHPËRNDAJE

GANI ELEZI/ Zbulimi, ndryshe shërbimi inteligjent i ushtrisë, ka qenë një nga sektorët më të rëndësishëm të Forcave të Armatosura shqiptare në përmbushjen e misionit për ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të vendit. Ka qenë natyra diskrete, që aktiviteti i këtij shërbimi është mbajtur i paekspozuar për opinionin publik.

mehmet musaj

Pikërisht për këtë arsye, përveç të tjerave, protagonistët dhe misionarët e tij kanë mbetur jashtë vëmendjes dhe për ta nuk është folur asnjëherë. Një libër i kolonel Mehmet Musai, njëri nga drejtuesit e shërbimit për shumë vite, i promovuar ditët e fundit, hedh dritë për herë të parë mbi historinë e këtij shërbimi. “Zbulimi Ushtarak Shqiptar”, libri i ushtarakut të lartë, që ka ndërruar jetë vetëm pak kohë më parë, është kështu historiku i munguar i shërbimit inteligjent të Forcave të Armatosura. Po edhe një refleksion i thelluar i specialistit të dorës së parë për natyrën dhe misionin e këtij shërbimi të veçantë. Mehmet Musai njihet ndryshe nga kolegët dhe bashkëpunëtorët një lider ushtarak me integritet të lartë profesional e moral dhe mbi të gjitha, si studiues modest, që nuk kërkoi kurrë privilegje për kontributet e spikatura në shërbim të detyrës dhe funksioneve të larta që kreu ndër vite. Monografia e tij për zbulimin nis me gjurmët në hershmëri të këtij shërbimi…

ZBULIMI USHTARAK NË VITE

Zbulimi ushtarak është një faktor i domosdoshëm e shumë i rëndësishëm për njohjen dhe analizën e realiteteve politike, ushtarake, gjeografike e demografike në kohë e situata të caktuara. Është sjellë ky argument në librin e Mehmet Muasit me shume fakte e të dhëna për shërbimin e zbulimit në periudha të ndryshme nëpër të cilat ka kaluar kombi ynë, si është periudha e heroit tonë kombëtarë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, periudha e Bushatllinjëve të Shkodrës, ajo e Ali Pashë Tepelenës, Luanit të Janinës, periudha afatshkurtër e qeverisë së Ismail Qemalit, periudha pas pavarësisë dhe ajo e mbretërisë së Ahmet Zogut. Pavarësisht nga përbërja në strukturë, nga vartësia, nga njerëzit dhe mjetet që kanë pasur në dispozicion grupet, nënrepartet, repartet e ngarkuara për zbulim dhe informacion, çka janë shpjeguar në libër, ajo çfarë insiston të shpjegojë Mehmet Musaj në shënimet e tij në këtë pjesë është rëndësia dhe domosdoshmëria e njohjes së kundërshtarit dhe e faktorëve që e ndihmojnë apo e pengojnë atë në një konflikt ushtarak. Pra, rëndësia dhe vlerat e zbulimit ushtarak. Në mënyrë më të plotë na është dhënë historia, aktiviteti dhe kontributi i zbulimit ushtarak në kuadër të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, si pjesë, si shërbim shumë i rëndësishëm në strukturat e ushtrisë shqiptare. Sigurisht, kjo ka lidhje me faktin se LANÇL është zhvilluar në bashkëkohësi me disa nga kuadrot e hershëm të zbulimit ushtarak dhe me faktin tjetër se për këtë luftë kemi shumë kujtime dhe dokumente të shkruara.

SHËRBIMI PAS LUFTËS

Zbulimi ushtarak pas përfundimit të L2 B deri në fillim të viteve ’90 ka qenë një shërbim për të cilën është investuar ndjeshëm. Zbardhja e kësaj pjese është kontributi më i madh i Mehmet Musajit në përpjekjen për të shkruar historinë e Zbulimit Ushtarak shqiptarë. Kur them këtë kam parasysh këto argumente. Së pari, kapitull pas kapitulli libri na njeh me situatat politike dhe ushtarake, të cilat kanë kushtëzuar parimet dhe synimet e politikës sonë të mbrojtjes, të strategjisë ushtarake, të artit operativ e atij taktik e për rrjedhojë edhe detyrat e zbulimit ushtarak. Në librin “Zbulimi ushtarak” bëhen të ditura detyrat dhe strukturën e zbulimit ushtarak në qendër, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në njësi e reparte. Zbardhen kështu shumë aspekte të paditura jo vetëm nga opinioni publik, por edhe nga komuniteti i ushtarakëve që nuk kanë pasur lidhje pune me këtë shërbim. Kolonel Musai në libër na njeh me faktin që në Ministrinë ë Mbrojtjes pas Luftës së Dytë Botërore zbulimin ushtarak në fillim e drejtonte një seksion zbulimi, më vonë një degë zbulimi e më vonë Drejtoria e Zbulimit apo Drejtoria e Dytë siç është njohur. Po kështu, sillen të dhëna, urdhra, data kur janë krijuar bërthamat, elementet, nënrepartet e parë të zbulimit me trupa, të radiozbulimit, të informacionit, të zbulimit të jashtëm, të kriptoanalizës etj.

Së dyti, duke na sjellë në vëmendje ndryshimin e herëpashershëm të situatave politike dhe ushtarake në libër Mehmet Musai sjellë domosdoshmërinë e ngutshme, urgjente të përmirësimit, të përsosjes së strukturës, të pajisjeve e të metodave të punës të shërbimit të zbulimit ushtarak për t’iu përgjigjur këtyre situatave, për t’u përballur me rreziqet që paraqisnin ato për vendin tonë. Duke evidentuar situata të tilla, rendit disa syresh, si përballimi i aktivitetit armiqësorë e kriminal i aktorëve dhe qarqeve antishqiptare që synonin rrëzimin e pushtetit të pasluftës dhe copëtimin e Shqipërisë. Prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, çka solli intensifikimin e veprimeve armiqësore të qarqeve antishqiptare serbe kundër vendit tonë. Provokacionet e monarko-fashistëve grekë në gusht të vitit 1949 dhe synimet shoviniste të qarqeve voriepirote greke. Ndërprerja e marrëdhënieve me BS dhe politika antishqiptare e udhëheqjes hrushoviane. Denoncimi dhe dalja nga Traktati i Varshavës pas sulmit kundër Çekosllovakisë dhe rreziku i një sulmi të tillë edhe kundër të vendit tonë.

Vitet e luftërave mes Izraelit dhe disa vendeve arabe. Periudhat e rritjes së prezencës së Flotës së 6-të të Amerikës e të NATO-s si dhe të Traktatit të Varshavës në Mesdhe. Periudhat kur FA të Greqisë a të Jugosllavisë ngriheshin në prova gatishmëria dhe stërvitje me trupa. Ripërcaktime të detyrave dhe strukturave të zbulimit ushtarak kanë ndodhur sa herë ka pasur ndryshime të strukturës së Forcave tona të Armatosura. Psh., me kalimin nga ushtria partizane, në strukturën e korparmatave, më vonë në atë të divizioneve, përsëri në strukturën e korpuseve e përsëri në atë të divizioneve në vitin 1983. Si një situatë që ndikoi në ripërcaktimim e detyrave, të strukturës e të metodave të punës së zbulimit ushtarak, në librin në fjalë përcaktohen ngjarjet e fund vitit 1974, kohë kur u dënua udhëheqja e lartë e Ministrisë së Mbrojtjes, në këtë rast edhe njëherazi udhëheqja e Drejtorisë së Zbulimit Ushtarak. Së treti, libri është një histori e gjallë e të gjithë elementëve të zbulimit ushtarak. Të seksionit, të degës, të drejtorisë së zbulimit në MM; të shërbimit të informacionit; të zbulimit të jashtëm, të zbulimit me trupa; të radiozbulimit; të kriptoanalizës e të elementëve të tjerë.

Për ta pasqyruar sa më objektivisht, Mehmet Musai e sjellë këtë histori me anë të dokumenteve arkivorë, me anë të kujtimeve dhe të shumë skemave sqaruese të strukturës së zbulimit ushtarak. Libri ngërthen të gjithë sektorët e shërimit, duke filluar me radiozbulimin, i cili në fakt ka qenë sektori që në kohë paqeje ka siguruar të dhëna të shumta dhe të sakta për strukturat, gjendjen, përhapjen dhe qëllimet imediate të kundërshtarëve tanë. Radiozbulimi është një histori me të vërtetë mbresëlënëse.

Nisur nga dy grupe radiomarrëse të Divizionit të Korçës dhe atij të Gjirokastrës, në vitin 1951 me urdhër të shefit të Shtatmadhorisë të ushtrisë shqiptare, gjeneral major Beqir Balluku, u krijua reparti autonom i radiondërlidhjes të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, me kuadrot e parë Izet Zaçe, Bajram Sinani, Zenel Koshaj, Sotir Tiko, etj.. Nga kjo bërthamë radiozbulimi çdo vit u riorganizua dhe u plotësua me reparte të tjera të këtij shërbimi. Në shpërndarjen, pajisjen, përgatitjen dhe përgjegjësitë e këtyre reparteve u zbatua parimi i shtetit objekt zbulimi. Në bazë të këtij parimi u përhapen reparte radiozbulimi në drejtimin e Greqisë në Sarandë, në Bureto, në Postenan, në Moravë. Në drejtimin me Jugosllavinë në Kukës, në Tarabosh, në Shtoi. Në drejtimin me Italinë në Kavajë, në Sazan, në Dhërmi etj.. Më vonë radiozbulimi u përforcua me disa reparte me kapacitete të mëdha përgjuese si reparti radiozbulimit në Krujë dhe ai në Kaninë në Vlorë. Repartet e radiozbulimit i kanë siguruar qeverisë shqiptare, Këshillit të Mbrojtjes dhe Komandës së Përgjithshme të dhëna shumë të vlefshme mbi të cilat këto institucione kanë marrë vendime shumë të rëndësishme për garantimin e mbrojtjes së vendit. Ndërsa zbulimi me trupa mund ta provonte aftësinë, profesionalitetin vetëm në kushte lufte, çfarë fatmirësisht nuk ndodhi, shërbimi i Informacionit, ai i zbulimit të jashtëm, e më shumë radiozbulimi ka qenë vazhdimisht në luftë.

Radiozbulimi ka qenë në luftë që nga fillesa, që nga grupet e radios të D5K dhe D8K në vitin 1948 dhe deri në fillim të viteve ’90. Jo pak e rëndësishëm ka qenë edhe struktura e zbulimit me trupa. Zbulimi me trupa është konsideruar si shërbimi më efikas i zbulimit në kohë lufte. Pas çlirimit të vendit, ky shërbim u organizua në çdo njësi të nivelit DK, BRK, RK. Domosdoshmëria e këtij shërbimi doli në pah sidomos në ditët e provokacioneve greke në kufirin me Greqinë. Në faqet e librit mësojmë edhe një fakt, për të cilin nuk kemi pasur dijeni. Në ditët e provokacioneve greke në Korçë nga ana e komandës shqiptare janë organizuar grupe zbulimi për kalim në prapavijat greke për kapje robërish, praktikë kjo që më vonë nuk është përdorur më.

Është kjo përvojë që e detyroi Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë shqiptare që në periudhën 1950-1955 të insistojë në riorganizimin dhe përgatitjen e reparteve të zbulimit me trupa në njësitë e brezit të parë të mbrojtjes. Në këtë rrugë, në vitin 1956 është krijuar kompania e zbulimit me trupa, e quajtur Reparti Ushtarak 1152, në varësi të drejtpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, me disa kuadro të njohur të zbulimit ushtarak si Shahin Leka, Kutel Çino, Fran Doda, Viktor Dhroso, etj. Kjo kompani është paraardhësja e Detashmentit të Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm, i cili u kthye në një laborator përvoje e përgjithësimi për ngritjen e nivelit e të cilësisë së përgatitjes luftarake për gjithë armët dhe shërbimet e tjera të ushtrisë. Për faktin se zbulimi me trupa në kohë paqe mund të kryente vetëm detyra vrojtimi në distanca të afërta, detyrë që e plotësonte vetëm me mjete pamore, përgatitja e tij më shumë synonte në përgatitjen e tij për veprime në kohë lufte. Plotësimi i detyrave të zbulimit në kohë lufte, detyra zbulimi por edhe detyra sulmi kundër objekteve të rëndësishme të kundërshtarit, kërkonin një përgatitje të madhe morale, fizike dhe profesionale.

Është kjo arsyeja që programi i përgatitjes se reparteve të zbulimit me trupa ishte shumë i ngarkuar dhe shumë i vështirë. Përgatitje në poligone speciale, përgatitje për veprime në verë e në dimër në kushte dëbore, përgatitje për mbijetesë, veprime luftarake me ski, veprime luftarake gjatë hedhjes me parashutë, përdorim të mjeteve eksplozive, veprime në kushte maskimi për një kohë të gjatë, kalim pengesash ujore, etj. ishin sprova të mëdha për repartet e zbulimit me trupa, sprova që i kanë kaluar me sukses.

INFORMACIONI, SYRI DHE VESHI I KOMANDËS

Në librin “Zbulimi Ushtarak”, Mehmet Muasi ka shkruar për punën e madhe të Degës së Informacionit të Drejtorisë së zbulimit, e cila ishte një element shumë i rëndësishëm për grumbullimin dhe sidomos përpunimin e informacioneve për institucionet e sigurisë e të mbrojtjes. Duke u mbështetur në burime e materiale legale, por edhe burime e materiale konfidente, sidomos në të dhënat e radiozbulimit dhe të zbulimit të jashtëm, kjo degë i siguronte Shtabit të Përgjithshëm, Komandës së Përgjithshme, Këshillit të Mbrojtjes, por edhe institucioneve e ministrive të interesuara informacione të shumta në lidhje me situatat politike dhe ushtarake në rajon a në shkallë globale e veçanërisht për rreziqet që paraqisnin për vendin tonë këto situata. Po ashtu mbi bazën e të dhënave nga elementët e ndryshëm të zbulimit ushtarak kjo degë përgatiste materiale teorike, manuale për përbërjen, strukturën, kapacitetet ushtarake, për konceptet strategjike, operative e taktike të ushtrive të cilat mund të sulmonin vendin tonë. Në këtë kuadër kjo degë kishte një kontribut të madh edhe në përgatitjen e kuadrove të nivelit të lartë që studionin në Akademinë tonë Ushtarake.

Pa u futur në emra dhe të dhëna konkrete, të cilat për arsye të karakterit ende sekret të tyre, Mehmeti ka shkruar edhe për shumë kuadro të zbulimit që kanë punuar në shërbimin tonë diplomatik. Sigurisht përpos detyrave të tyre diplomatike këta kuadro zbulimi kanë siguruar të dhëna konfidente edhe për problemet ushtarake, kryesisht për organizimin, kapacitetet ushtarake të vendeve ku ata akreditoheshin e sidomos për planet e tyre ushtarake ndaj vendit tonë. Në shumë raste të dhënat e këtyre kuadrove të zbulimit ushtarak kanë bërë që Ministria e Mbrojtjes, Komanda e Përgjithshme dhe Këshilli i Mbrojtjes të marrin masa për forcimin e gatishmërisë luftarake, deri në mobilizimin dhe daljen në rajonet, brezat, zonat e mbrojtjes të reparteve e njësive të drejtimeve që mund të kërcënoheshin. Së katërti, libri i Mehmet Musait ka një vlerë e cila mund të quhet unikale. Është nga librat e rrallë që në faqet e tij ka kaq shumë emra. Është një arkivë, një “hipotekë” me qindra, mbase më shumë se njëmijë emra kuadrosh dhe punonjësish, të cilët kanë punuar në zbulimin ushtarak. Në sektorin e informacionit, në atë të zbulimit të jashtëm, në radiozbulim, në kriptoanalizë, në repartet e zbulimit me trupa, në sektorin e kuadrit, të teknikës dhe të prapavijës etj..

Evidentimi i kaq shumë emrave (mund të jenë të rrallë emrat e harruar) që kanë punuar në Drejtorinë e Zbulimit dhe në repartet vartëse të saj, të atyre që kanë punuar në degët, seksionet dhe repartet e zbulimit të njësive ushtarake të ushtrisë sonë, është homazh që u bëhet atyre të cilët nuk kursyen asgjë, as mundin, as djersën, disa as jetën e tyre, për ta ngritur, për ta drejtuar me sukses zbulimin ushtarak. Libri i Musait pasqyron ndërkaq jetëshkrime dhe kontribute të drejtuesve kryesorë të zbulimit ushtarak si Hamit Keçi, shef i Seksionit Informativ të Komandës së Përgjithshme në vitin 1949, të Teme Sejkos, të Vehbi Hoxhës, të Andon Shetit, të Eqerem Osmanit, të Kujtim Jahos të cilët kanë pasur funksionin e drejtorit të Drejtorisë së Zbulimit, por edhe të drejtuesve të tjerë të lartë si Spiro Adhami, Ilo Furxhi, Xhemil Çela, Izet Zaçe, Skënder Çela, Shefqet Troqe, Xhelal Novosela, Pandi Opari, Zenel Koshaj, Lame Liti në drejtorinë e zbulimit dhe Shefqet Haxhiaj, Syrja Sinollari, Sali Qazimi, Ylvi Demiraj, Kujtim Lumani, Xhemali Abazi, shefa zbulimi në korpuse etj..

Përtej kësaj autori i librit zbulon aty faktin pak të njohur se shumë kuadro të zbulimit janë dalluar edhe në sektorë të tjerë, si drejtues të Shtabit të Përgjithshëm dhe drejtorive të ndryshme; si drejtues të lartë të njësive të ushtrisë e njësive të tjera të mëdha. Po kështu, Musai, vë në dukje se përvoja dhe karriera në shërbimin e zbulimit, i ka bërë shumë nga kuadrot e zbulimit të spikasin në shërbimin diplomatik, në sektorë të punës shkencore dhe akademike, si krijues letrarë dhe publicistë, etj..

ZBULUESIT ME STATUSIN E “DIPLOMATIT”

Një vend të veçantë në historikun e zbulimit ka sidomos pjesa e atyre që shërbyen në zbulimin e jashtëm. Deri në mesin e viteve ’60 ky shërbim i kishte zyrat në Ministrinë e Jashtme. Shumë nga oficerët e zbulimit emëroheshin në ambasadat e Shqipërisë në vende të ndryshme, zyrtarisht me detyra të njohura si atashe tregtarë, atashe kulturorë, sekretarë ambasade etj.. Në fakt, detyra e tyre kishte të bënte me sigurimin e informacioneve dhe të dhënave për ushtritë e vendeve ku ata punonin, për strukturat ushtarake, llojet e armatimit dhe kryesisht për planet e mundshme ushtarake kundër vendit tonë. Sakaq, ata ishin syri dhe veshi i vendimmarrësve për dinamikën e stërvitjen të dy blloqeve ushtarake, Traktati i Varshavës dhe NATO. Përveç zbuluesve me petk diplomati, funksiononte edhe një grup tjetër, që njihej ndryshe si zbuluesit e anijeve që shkoni e vinin nga Kina e në portet e Mesdheut. Nga lundrimet e gjata ata transmetonin të dhëna për Drejtorinë e Zbulimit rreth detyrave të përcaktuara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura