24 Nëntor, 2021

U shua dje, çfarë nuk dini për jetën e Hueyda El Saied/ Nga tabuja që theu në televizion te rrëfimi i martesës me njeriun e zemrës dhe mesazhi i fortë për gratë


Dita sot u gdhi me një buzëqeshje më pak; pa një buzëqeshje të madhe, plot dritë, që rrezatonte kaq shumë energji pozitive, që përçonte kaq shumë dashuri për jetën.

Dje u shua Hueyda El Saied, vajza çapkëne me kaçurrela, që ne e njohëm së pari si balerinë, që na zgjoi ëndrrat në “12 Vallëzime pa një të shtunë”, spektaklin që do të thyente tabu në fillim të viteve ‘90; por që e dashuronte kaq shumë artin; autore librash, tablosh; një imazh i dashur televiziv, që u shndërrua në mikeshën e të gjithë atyre që i njihte e nuk i njihte.

Lajmi i humbjes së saj pas një sëmundjeje të pashërueshme, përmbyti rrjetet sociale. Lajme, statuse, komente, fotografi… dhe sa më shumë shtoheshin, aq më i pabesueshëm të dukej fakti, sepse ajo qeshi me sëmundjen dhe vdekjen deri në fund; nuk e ndau lajmin që të mos mblidhte keqardhje. Ndaj edhe befasia për humbjen e saj ishte e jashtëzakonshme. Shprehën ngushëllimet, dhimbjen dhe befasinë për humbjen e saj Kryeministri Edi Rama, këngëtarja Aurela Gaçe, Irma Libohova, Jonida Maliqi, Vikena Kamenica, Blendi Fevziu, Rudina Magjistari, Xhani Shqerra, Bledi Strakosha etj.

ARTISTJA

Ajo lindi në Tiranë në vitin 1975, ndërsa prejardhja e saj është nga Sudani. Për shkak të sistemit jetoi 16 vjet e ndarë nga i ati, të cilin e takoi vetëm kur ishte 18 vjeç. El Sayed ishte zotëruese e mirë e katër gjuhëve si anglisht, frëngjisht, italisht dhe shqip. Kreu Shkollën e Baletit, por u diplomua për Drejtësi në Universitetin e Tiranës. Më pas mori Diplomë Master në Bashkëpunim Ndërkombëtar, të Drejta të Njeriut dhe Politikave Europiane në Universitetin Rome Tre në Itali. Gjatë karrierës së saj profesionale ka punuar në fusha e disiplina të ndryshme, si televizion, balet, këngë dhe pikturë.

Shfaqja e saj e parë televizive ishte në emisionin “Dymbëdhjetë vallëzime pa një të shtunë”, është shfaqur në ‘Një këngë për ty’, ‘7 nga shënimet e mia dhe Kioska’ dhe ‘Në restorant’. Hueyda ka marrë pjesë edhe në festivalet e muzikës shqiptare, ndër ta ‘Top Fest’ dhe ‘Kënga Magjike’. Ndërsa në vitin 2000 ka botuar romanin e parë me titull “Ngjyra e lëkurës sime”. 46-vjeçarja është larguar prej disa vitesh nga Shqipëria dhe jetonte në Luksemburg, së bashku me djalin dhe partnerin e saj, Thierry, dashurinë e jetës, me të cilin u martuan në ‘fshehtësi’ në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Në një intervistë në atë periudhë, Hueyda El Sayed tha se kishte një jetë që priste të martohej me partnerin e saj.

“Për vetë kontekstin mondial aktual që po përjetojmë, ishte një dasmë minimaliste, por e mbushur plot sharm, emocione dhe gëzim. Fustanet i kisha blerë në Paris njëzet e katër orë para se të mbylleshin dyqanet e të fillonte karantina e dytë për francezet. Buqetën e luleve e bleva në Luksemburg, por s’e mbajta kurrë në dorë sepse e harrova në shtëpi. Unazat i kishim zgjedhur prej kohësh te një bizhutier i njohur, por ngaqë ndryshuam datën e martesës për 18 dhjetor, në unazat tona është shënuar data 11 dhjetor.

I vetmi luks material që patëm mundësi të shijonim ishte limuzina që erdhi na mori në shtëpi për të na shoqëruar në bashki e pasi thamë ‘PO’, së bashku me dy mikeshat tona shijuam shampanjën dhe muzikën duke bërë xhiro nëpër Luksemburg”, u shpreh ajo asokohe, kur me shumë gjasë ishte duke luftuar për jetën. Por Hueyda i bënte ëndrrat realitet. Ajo këndonte, pikturonte, shkruante… gëzoi çdo moment me të birin, Grabrielin, veshi fustanin e bardhë në krah të njeriut që donte dhe shpresoi për jetën deri në fund, me buzëqeshjen që nuk iu shua.

Ajo ndërroi jetë në një spital në Luksemburg, ku edhe do të prehet. Homazhet për nder të saj u zhvilluan në orën 15:00 deri në 20:00 ne ambientet e Funeral Home 2000. Pas kësaj ikjeje, për shqiptarët, për ata që patën fatin ta kishin mikeshë apo që e njohën vetëm përmes ekranit, ajo do të mbetet e shtuna e munguar.

El Saied: Fati më vuri në sprovë, papërsosmëria është e bukur

Disa muaj më parë, në 8 Mars, kur flokët i kishte prerë të shkurtra, ose me shumë gjasë ato sapo kishin dalë sërish pas trajtimit, Hueyda El Saied shkruante: “Sot është Dita Ndërkombëtare e Grave. Dhe unë doja t’ju kujtoja vetëm disa fakte: Dëshiron të humbësh apo të shkosh disa kile – Pavarësisht kësaj dëshire ti mbetesh një grua/vajzë e bukur. Dëshiron të jesh pak më e gjatë apo pak më e shkurtër – Pavarësisht kësaj dëshire ti mbetesh një grua/ vajzë e bukur. Dëshiron të ishe bionde, brune, të kesh një lëkurë të bardhe, të kesh flokë të drejta apo kaçurrela, të gjata apo të shkurta, të jesh mulate, të kesh një trup më me forma apo me më pak forma, të mos kesh më pak rrudha, cikatrice apo celulit – Pavarësisht këtyre dëshirave, ti mbetesh një grua/ vajzë e bukur. Unë e para, deri para pak kohësh i kisha shumë nga këto dëshira, por një ditë, kur fati më vuri në sprovë e kuptova që bukuria nuk është standarde, por papërsosmëria është e bukur. Bukuria është kur je vetvetja, kur je e talentuar, kur je e edukuar, kur je e fortë!”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al