17 Nëntor, 2017

U përjashtua në 1982’-in nga muzika, Alida Hisku rrëfen ndjesitë jashtë skene


Ishte vetëm 13 vjeç, kur zëri i saj jehoi në Festivalin e Këngës në RTSH! Me një cilësi të rrallë zëri, e dhuntie muzikore, Alida shkëlqeu për 10 vjet me radhë! Shumë kompozitorë u dashuruan ne të kënduarit dhe në zërin e saj, dhe sikur garonin se kush do të krijojë këngë për timbrin dhe  ngjyrën e zërit të saj! Alida Hisku ka qenë ndër këngëtaret më të njohura në Shqipëri në vitet 70’ dhe 80’ , por që për shkak të regjimit komunist ëndrra për një karrierë në rritje u këput në mes, duke e gozhduar që mos të kishte më projekte artistike.

Sot, e ftuar në emisionin “Kush vjen për drekë”, në Tv Klan këngëtarja tha se pas përjashtimit nga skena muzikore shqiptare është ndjerë sikur e kanë larguar nga shtëpia.

“Jam rritur në skenë nga nëna ime e cila ka qenë në Teatrin e Operas. Në atë kohë na merrnin me vete për të mbushur skenën, por në të vërtetë ka qenë një ndjesi e veçantë. Skena pa publik ishte edhe si vend loje për ne fëmijët e artistëve në atë kohë.

Kur u përjashtova isha 23 vjeç dhe u ndjeva sikur më hoqën nga shtëpia. Skenën e përjetoj më shumë se gjithçka, duartrokitjet janë suksesi i një këngëtari. I jam mirënjohës publikut që edhe pa aktivitet artistik nuk më ka harruar”, tha Hisku. Ajo prej vitesh jeton në Gjermani dhe ai vend është kthyer në shtëpinë e saj të dytë. Kujtojmë këtu se një intervistë e saj disa kohë më parë bëri bujë, teksa rrëfente si këngëtaret e bukura  bëheshin viktima gjuetie seksuale nga zyrtarë të lartë të Partisë Komuniste, madje dhe jane perdhunuar prej tyre. Para dy vitesh ajo tronditi gjermanët, teksa publikoi librin autobiografik për vuajtjet në burgjet komuniste, ku thoshte se gratë janë përdhunuar masivisht. Madje, duke i treguar me detaje abuzimet seksuale të të dënuarave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al