20 Qershor, 2022

Sunny Hill rikthehet në Prishtinë/ Zyrtarët konfirmojnë: Nuk iu dha toka prej 17 hektar, pranuan kushtet tona


 

Festivali “Sunny Hill” rikthehet në Prishtinë. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Kulturës, bashkia Prishtinë dhe Sunny Hill.

Festivali i Dua Lipës do të mbahet në Prishtinë në datat 4,5,6 dhe 7 gusht, ashtu si ishte programuar. Nga ana tjetër Sunny Hill do të mbahet edhe në Tiranë. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se festivali do të jetë në kryeqytetin tonë në datat 26, 27 dhe 28 gusht. Pas gati 1 javë nga përplasja e institucioneve në Kosovë, duket se është gjetur një gjuhë e përbashkët edhe organizatorët. Konflikti nisi pikërisht për tokën 17 ha që fondacioni “Sunny Hill”, kërkonte për mbajtjen e këtij eventin.

Pasi procedura ishte në proces, Dukagjin Lipa dha njoftimin se edicioni i këtij viti do të mbahej në Tiranë. Por duket se përgjatë kësaj jave gjërat kanë ndryshuar dhe sipas burimeve të “Panorama Plus”, fondacioni i Dua Lipës ka bërë një ‘hap pas’ në kërkesat që kishin për Qeverinë e Kosovës. Burimet konfirmojnë se Sunny Hill do të mbahet në Prishtinë, me kushtet e vjetshme. Pra toka e kërkuar, nuk i është dhënë fondacionit të këngëtares së famshme. Nga ana tjetër zyrtarët e lartë nuk kanë ende një përgjigje për vendndodhjen e këtij festivali, duke qenë se sipas “Sunny Hill”, Parku i Gërmisë nuk i plotëson kushtet. Institucionet kosovare janë ende duke diskutuar për një lokacion të ri të aktivitetit të njohur.

Deklarata e plotë:

 

Deklaratë e përbashkët e Ministrisë së Kulturës (në emër të Qeverisë së Kosovës), Komunës së Prishtinës dhe Sunny Hill Festival

Sunny Hill Festival mbahet në shtëpinë e vet, në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022.

Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival bashkojnë forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë.

Institucionet qendrore dhe lokale bashkërisht, sipas mandatit që kanë do të ofrojnë mbështetje të plotë për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm.

Të gjithë shprehin gatishmërinë që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Synimi i përbashkët është që nga viti i ardhshëm, festivali Sunny Hill të organizohet në lokacionin e vet afatgjatë.

Në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht.

Në Prishtinë, Sunny Hill Festival për këtë vit ka përgatitur lineup-in më të fuqishëm nga festivalet e rajonit ku përveç artistëve të njohur si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë, për këtë edicion pritet të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botëror.

Një verë e jashtëzakonshme i pret të gjithë shqiptarët në Prishtinë dhe në Tiranë.

Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al