Paradiabeti është faza e parë e diabetit. Mjekët e konsiderojnë atë si një shenjë paralajmëruese.
Paradiabeti ndodh kur niveli i glukozës në gjak ose niveli i sheqerit në gjak është më i lartë se normalja, por nuk është aq i lartë sa të konsiderohet diabet. Një nga faktorët e shfaqjes së paradiabetit është trashëgimia gjenetike.
Shenjat e Paradiabetit
Diabeti zhvillohet shumë gradualisht, kështu që kur jeni në fazën e paradiabetit, mund të mos keni fare simptoma mjekësore.
Megjithatë, mund të vëreni se:
• Ndjeni uri më tepër se zakonisht
• Jeni duke humbur peshë, pavarësisht se hani më shumë
• Jeni më të etur se zakonisht
• Ju duhet të shkoni më shpesh në banjë
• Ndjeheni më të lodhur se zakonisht
Të gjitha këto janë shenja tipike të lidhura me diabetin, prandaj nëse jeni në fazat e hershme të diabetit, mund t’i vini re ato.
Por lajmi i mirë është që paradiabeti është i kthyeshëm nëse merren masat e duhura.
Mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik, kolesteroli i dëmshëm, tensioni i lartë janë çka duhet të përmirësoni.
Zgjidhje natyrale për Paradiabetin
Njerëzit që konsumojnë më shumë bishtajore përballen me një rrezik më minimal për shfaqjen e paradiabetit, ose nivelit në rritje të glukozës në gjak.
Bishtajoret përfshijnë fasulet, bizelet, thjerrëzat e shumë të tjera, të cilat rekomandohen si ushqime shumë të shëndetshme për organizmin.
Të dhënat e një studimi të publikuar median mjekësore tregojnë se njerëzit që konsumojnë tre ose më shumë racione fasulesh në javë përballen me një rrezik 25% më të ulët të shfaqjes së paradiabetit.
Njerëzit që konsumojnë vetëm një racion ose më pak në javë, janë shumë herë më të rrezikuar.
Ekspertët e AgroWeb.org besojnë se konsumi i bishtajoreve ndihmon në rënien në peshë, lufton obezitetin dhe ul tensionin e gjakut.
Një studim i publikuar në British Journal of Nutrition analizoi lidhjen e bishtajoreve me paradiabetin.
Shkencëtarët u shprehën se ulja e masës dhjamore në organizëm është mënyra më e mirë për të trajtuar paradiabetin dhe parandaluar transformimin e tij në diabet.
Hani më mirë, jo hani më pak
Kufizimet kalorike janë në epiqendrën e të gjitha strategjive për rënien në peshë.
Por shkenca thotë se shumica e njerëzve që bien në peshë duke hequr kalori, i marrin sërish kilogramët e humbur në muajt apo vitet në vijim.
Për herë të parë studiuesit analizuan suksesin e dy hapave të rëndësishëm në ushqyerje, ngrënia e fasuleve dhe kufizimi i kalorive.
Pjesëmarrësit në studim u ndanë dy grupe. Grupit të parë iu dha detyra e ngrënies së pesë pjatave me thjerëza, qiqrra, bizele dhe fasule në javë.
Grupit të dytë iu kërkua vetëm të kufizonte numrin e kalorive, pra sasinë e ushqimit.
Me fjalë të tjera, grupit të parë iu kërkua të konsumonin më shumë bishtajore, dhe grupit të dytë iu kërkua të hante më pak.
Nuk është çudi që grupi i parë rezultoi fitues.
Konsumi i bishtajoreve rezultoi të ishte shumë efikas në uljen e faktorëve të rrezikut të shfaqjes së paradiabetit siç janë ulja e masës dhjamore dhe niveli i balancuar i sheqerit në gjak.
Shkencëtarët dolën në konkluzionin se ngrënia e pesë racioneve me fasule, thjerëza, qiqrra dhe bizele në javë pa bërë ndryshime madhore në stilin e ushqyerjes, pakësonte faktorët e rrezikut të shfaqjes së paradiabetit.
Konsumi i bishtajoreve ishte më efikas se marrja e 500 kalorive më pak në ditë.
Këto konkluzione janë shumë inkurajuese për njerëzit që vuajnë ose janë të rrezikuar nga diabeti i tipit 2.
Ato tregojnë se ndryshimet e thjeshta në regjimin ushqimor, siç është përfshirja e bishtajoreve sjellin ndikim pozitiv në nivelin e sheqerit në gjak.