16 Prill, 2019

Plot 300 milionë euro për rindërtimin e Notre Dame, ja dy biznesmenët që dhuruan shifrën marramendëse


Një nga biznesmenët më të pasur të Francës, shefi ekzekutiv i LVMH, Bernard Arnault dhuroi miliona euro për rindërtimin e Katedrales Notre Dame.

“Familja Arnault dhe Grupi LVMH, në solidaritet me këtë tragjedi kombëtare, janë të përkushtuar për të ndihmuar në rindërtimin e kësaj katedraleje të jashtëzakonshme, simbol i Francës, trashëgimia dhe uniteti i saj. Ata do të dhurojnë një shumë totale prej 200 milionë euro për fondin e dedikuar për rindërtimin e kësaj pune arkitekturore, e cila është një pjesë thelbësore e historisë franceze. Ndërkohë, Grupi i LVMH vë në dispozicion të shtetit dhe autoriteteve përkatëse të gjithë ekipet e tij, duke përfshirë specialistë krijues, të arkitekturës dhe të financave, për të ndihmuar me punën e gjatë për rindërtimin dhe mbledhjen e fondeve, që tashmë është në progres e sipër”, shkruhej në deklaratën zyrtare.

Grupi LVMH është një nga bizneset më të njohura franceze për mallrat luksozë dhe përfshinë kompaninë “Moët & Chandon” dhe shtëpinë e njohur të modës “Louis Vuitton”.

Ndërkohë kujtojmë se një ditë më parë, burri miliarderi i Salma Hayek ka premtuar 100 milionë euro për të ndihmuar në rindërtimin e katedrales pasi një zjarr katastrofik shkatërroi kulmin e saj.

Biznesmeni francez Francois-Henri Pinault e bëri njoftimin vetëm disa orë pas tragjedisë.

Pinault, i cili u martua me aktoren meksikane-amerikane Salma Hayek në 2009, është shefi ekzekutiv i Kering, i cili zotëron markat si Gucci dhe Yves Saint Laurent.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al