14 Prill, 2022

Pasi u bë aksioner, Elon Musk bën ofertën e papritur për të blerë Twitter-in


Elon Musk dëshiron të ketë në pronësi të plotë Twitter. Disa javë pasi u bë aksionari më i madh në kompani, ai i ka dërguar një letër Bret Taylor, duke shkruar se platforma e njohur duhet të bëhet private për të mbrojtur fjalën e lirë.

“Kam investuar në Twitter pasi besoj në potencialin e tij për të qenë platforma për fjalën e lirë në mbarë globin dhe besoj se liria e fjalës është një imperativ social për një demokraci funksionale,” shkroi ai. “Megjithatë, që kur kam bërë investimin tim, tani e kuptoj se kompania as nuk do të lulëzojë dhe as nuk do t’i shërbejë këtij imperativi social në formën e saj aktuale. Twitter duhet të transformohet si një kompani private.”

CEO i Tesla bëri një ofertë për të blerë 100% Twitter-in për 54.20 dollarë për aksion, që është ekuivalente me 43 miliardë dollarë. “Oferta ime është oferta më e mirë dhe përfundimtare dhe nëse nuk pranohet, do të më duhej të rishqyrtoj pozicionin tim si aksioner”, shkroi ai, duke shtuar se Twitter ka “potencial të jashtëzakonshëm” që ai “do ta zhbllokojë”.

Pas ofertës së Musk, Twitter bëri një deklaratë duke konfirmuar se mori propozimin dhe bordi i drejtorëve do të shqyrtojë me kujdes propozimin për të përcaktuar kursin e veprimit që beson se është në interesin më të mirë të kompanisë dhe të gjithë aksionerëve.

Më 4 prill, Musk zbuloi se ai u bë aksioneri më i madh i Twitter me pronësinë e 9.2% të aksioneve. Të nesërmen, ai njoftoi se do t’i bashkohej bordit të Twitter, megjithatë, disa ditë më vonë, CEO i Twitter, Parag Agrawal tha se Musk “vendosi të mos bashkohej me bordin”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al