8 Maj, 2022

Pas konflikteve Sarah dhe Dj PM i japin fund lidhjes/ Prapaskenat e sherreve të çiftit


Sarah Berisha dhe Dj Pm janë ndër çiftet më të ndjekura që në “Big Brother”. Dyshja që e nisi raportin me shumë dilema duket se jashtë shtëpisë gjeti një ekuilibër, natyrisht shoqëruar me uljengritjet e veta. E duket se dhe për këtë çift ka momente ndarjeje.

Nga aq sa kemi mundur të mësojmë, aktualisht dy të rinjtë e kanë shkëputur marrëdhënien pas një debati të ndodhur. Kjo është zënka e tyre e radhës, dhe me aq sa zbulojnë miqtë e afërt këtë herë të dy duken shumë të vendosur për ta lënë me kaq marrëdhënien. Po t’i hedhësh një sy rrjeteve të tyre sociale, Dj dhe blogerja ndiqen akoma, por ndërkohë kanë larguar të gjitha fotot që kishin së bashku. E si për të larguar disi mendjen nga kjo ndarje, moderatorja ka vendosur të kalojë disa ditë në Turqi me mikeshat e saj.

Ajo që vihet re në fotot që ka publikuar në rrjetet sociale është fakti se në asnjërën prej tyre, PM nuk i ka dhënë ‘Like’. Nuk dihet nëse arsyeja është xhelozia apo fakti që tashmë lidhja e tyre është e ngrirë. Raporti mes tyre ka pasur shpesh herë ulje-ngritje, duke pasur debate, për të cilat vetë Sarah ka folur.

“Lidhja ka luhatjet e veta. Një herë zihemi një herë jemi shumë mirë. Ka ditë që nuk flasim për disa orë. Kalojmë shumë kohë bashkë. Nuk e kemi ndjerë distancën sepse ai ka ardhur shpesh në Tiranë edhe unë kam shkuar në Prishtinë. Prishtina është ndër vendet e mia të preferuara dhe më pëlqen shumë. PM më ka prezantuar me gjithë rrethin e tij shoqëror dhe kam raporte shumë të mira me të gjithë. Mendoj se lidhja jonë ka nisur pas ‘Big Brother’. Kemi rreth 2 muaj që po përjetojmë lidhjen jashtë kamerave dhe është herët për të folur për bashkëjetesë, fejesë, martesë. Nuk i kemi diskutuar dhe është shumë e largët kjo pjesa”, tha Sarah në një intervistë për “Prive”.

Në një intervistë në “Top Albania Radio”, Sarah zbuloi se një nga gjërat për të cilat zihen më shumë janë veshjet dhe fakti që ajo nuk e dëgjon shumë se çfarë i thotë PM. Madje tha se edhe për veshjen në koncertin e Malumës kishin ‘debatuar’.

“Njerëzit mbase në Instagram duan të shohin atë që ata duan. Kemi një marrëdhënie si çdo çift. Kemi luhatje, zihemi. Për shembull për veshjet zihemi shpesh, se PM nuk i pëlqen diçka, unë e vesh sepse shkoj me mendjen time. Ai mundohet për të mirë, por unë ia marr mbrapsht. Kur shkuam te koncerti Malumës, më tha ‘Pse nuk vesh hoodie?’, kurse unë doja të vishja croptop. Dhe e vesha sepse doja të nxirrja pak barkun. Kur unë i them çfarë të vesh, ai më dëgjon. Më shumë po rrimë në Tiranë dhe unë e ndjek në një pjesë të koncerteve”, tha blogerja.

Bashkë me të, në intervistë ishte edhe e motra, Ditea, e cila njihet jo vetëm si blogere në rrjetet sociale, por së fundmi ka nisur edhe një aventurë të re si moderatore në “Top Channel”. E pyetur rreth komenteve negative që vinin në “Instagram”-in e Sarah kur ajo ishte në “Big Brother VIP”, Ditea tha: “Gjëja më e çuditshme ishte që disa persona më parë i kishin shkruar dhe Sarah i kishte kthyer përgjigje. E më pas ktheheshin me gjuhë urrejtje. Kam kaluar dy muaj plot stres dhe ishte shumë presion i madh. Dola vetëm në dy intervista dhe hoqa dorë. Njerëzit gjenin komente për çdo gjë. ‘Pse nuk e ka hequr makeup’ etj.”, tregoi Ditea.

Lajmi i ndarjes vjen pikërisht kur në rrjet është përfolur për një shtatzëni e Sarës. Mjafton një foto me barkun paksa të rrumbullakosur e një personazhi publik ose një veshje rozë/blu që njerëzit të fillojnë të aludojnë për shtatzëni. Kështu ka ndodhur edhe me blogeren Sarah Berisha, e cila edhe pse ka deklaruar se plane të tilla janë të largëta, kohët e fundit është përfolur disa herë se është në pritje të ëmbël.

Ditë më parë ajo ka reaguar për herë të parë. Një faqe në “Instagram” ka publikuar një foto nga ditëlindja e Monikës ku Sarah shkoi e veshur me një fustan totalisht rozë. “Sarah është në pritje të ëmbël”, shkruhej krah fotos. Teksa e ka rishpërndarë në llogarinë e saj, blogerja shkruan me ironi: “Çun apo gocë, dini gjë ju?”, duke mohuar kështu se është shtatzënë.

Ndërkohë, edhe vetë Pajtimi ka folur pak kohë më parë në media për raportin e tyre. Në një nga intervistat e tij të pakta të dhëna së fundmi PM foli për lidhjen e tyre duke u shprehur se edhe pse janë në distancë, ndonjëherë kjo i ndihmon sepse i merr më shumë malli për njëri-tjetrin.

Dj po ashtu ka zbardhur detaje rreth takimit të Sarah-s me nënën e tij, duke treguar se ishte një takim i thjesht dhe jo mes vjehrrës dhe nuses, pasi nëna e tij ka qenë fanse e blogeres. Sipas tij, ato kanë zhvilluar një bisedë natyrale dhe joformale. Sa i përket familjes së Sarah-s, ai foli me superlative duke thënë se janë njerëz të kulturuar dhe shumë të mirë.

“Goca ime jeton në Shqipëri unë në Kosovë. Por prej punës udhëtojmë shumë. Kur kanë ato kohë vijnë këtu. Më mirë është një lidhje në distancë se të merr më shumë malli. Edhe e bën lidhjen më të shëndosh, por të presim. Unë e kam takuar familje e Sarah-s edhe ajo të mitë. Janë shumë njerëz të mirë, të kulturuar. Nëna ime ka dashur ta shoh Sarah se fanse dhe u zhvillua një muhabet natyral i një familje. Edhe motrën e ka takuar”, tha ai për “Mirage”.

Ndërkohë i pyetur rreth planeve për të ardhmen, Pajtimi tha: “E kam një plan por nuk po guxoj ta them se nuk e di a bëhet”.

Por që pas kësaj deklaratë gjërat kanë ndryshuar mes tyre, ndonëse si dyshe janë ndër më të ndjekurit, por edhe më të paguarit për postimet e tyre në rrjetet sociale. Pas lidhjes së tyre, të dy kanë pasur mundësinë të shtrinë bashkëpunimet me marka të ndryshme edhe në shtetet ku partnerët e tyre jetojnë. Kështu, Sarah është parë gjithnjë e më shpesh, duke postuar nga bizneset e Kosovës, por edhe me miqtë VIP të partnerit të saj.

Ndërkaq, për Pajtimin, kontaktet e reja në Tiranë përkthehen në punë dhe projekte të reja, duke qenë më pranë edhe një tregu si Shqipëria. Që nga dalja e tij në “Big Brother”, të shumta janë ftesat me Dj për të luajtur në club-e të ndryshme. Natyrisht që ftesat ishin në çift, ku nuk mungonte as Sarah.

Që pas përfundimit të lojës, ish-banorët janë të ftuar shpesh në evente të ndryshme, ku edhe një numër i madh fansash i pret. Në këtë linjë janë edhe Dj PM dhe Dagz, veçse për ta vëmendja është dyfish, pasi krah tyre janë edhe dy partneret e tyre, Einxhel dhe Sarah. Por teksa lidhja e Einxhel dhe Dagz është konsoliduar dhe çifti po mendon për të bërë fëmijë, Pajtimi dhe blogerja duket se herë pas here ngecin në këtë raport.

Në media ajo ka folur për takimin që ka pasur edhe me nënën dhe motrën e të dashurit të saj, por duke mos u zgjatur shumë në detaje. Duke thënë se ishte më shumë si një takim me një grua që e ka ndjekur dhe e ka mbështetur nga jashtë, ndërsa duke qeshur u shpreh se e ka qejf që është në krah të Pajtimit. “Në fillim ishte e sikletshme, por ishte shumë e mirë, shumë e sjellshme, ma bëri edhe takimin më të lehtë. Folëm në përgjithësi, më shumë ishte takim si një grua që më ka ndjekur e më ka suportuar nga jashtë dhe më ka qejf që jam në krah të djalit të saj”, tha Sara.

Por duket se as takimi me familjarët nuk i ka ulur gjakrat e ndezura mes dy partnereve, që shpeshherë i thonë njëri-tjetrit “do ndahemi”, për t’u rikthyer sërish bashkë pak momente më vonë. Mbetet për t’u parë se si do të vijojë kjo marrëdhënie, tashmë që ndarja duket pak më serioze se herët e tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al