18 Nëntor, 2022

Nuk kanë fund telashet për Don Xhonin/ Reperi gjobitet me 2 mijë euro, ja arsyeja


Xhonatan Isufi ose ndryshe i njohur si Don Xhoni është gjobitur me dy mijë euro për armëmbajtje pa leje.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të premten, nga gjykatësi Kushtrim Shyti.

Në seancën e mbajtur në po të njëjtën ditë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Hivzi Bajraktari, reperi është deklaruar fajtor.

“Ndihem shumë i penduar dhe shpresoj të mos ndodhë më kurrë”,– është shprehur Don Xhoni.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në gusht të 2022-ës ka ngritur aktakuzë kundër Xhonatan Isufit, të cilin e ngarkonte me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, Isufi në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi pistolëten e tipit “Cervena zastava” me një karikator dhe gjashtë fishekë të kalibirit 7,65 mm.

Aktakuza thotë se Policia e Kosovës- Njësia për Reagim të Shpejtë gjatë një kontrolli rutinor, kanë ndaluar të pandehurin dhe në brez ia kanë gjetur dhe sekuestruar armën.

Me këtë, Isufi akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al