9 Maj, 2021

Nga “fëmijët” me Andin te xhelozia për Tean, Melisa rrëfen jetën e vërtetë pas trukeve të “Për’puthen”


Tani që konfirmoi lidhjen e saj me Andin Shehin, Melisa nuk ka më asgjë për të fshehur. Ish-konkurrentja e “Për’puthen”, e ftuar në “Roped with Olsi”, foli për herë të parë për lidhjen me Andin, si e mbajti të fshehtë e si ka duruar kur e shihte me Tean.

Melisa tregoi se i duhej të shtirej në çdo veprim dhe mezi e ka mbajtur veten. “E mbajta sa e mbajta veten… Kur dolën çift pastaj, unë shikoja Fatmën, shikoja Elonën, i kisha bërë parapërgatitjet. I thoja shoqes sime si të qesh? Kështu (qesh). Pavarësisht shakave, mendoj se mund të jem një ndër konkurrentet e ‘Përputhen’, që është ofenduar më së shumti, për çdo lloj fjale të mundshme dhe mora guximin të them të vërtetën se thashë nuk kanë çfarë të të shajnë më shumë. Unë personalisht i kërkoj falje publikut sepse nuk kanë faj ata që gënjeva unë!”, tha Melisa.

Melisa tregoi se bashkëjeton me Andin dhe shtoi se ata kanë “fëmijë”, duke iu referuar një qeni dhe një qenusheje.

“S’jemi vetëm ne të dy. Ne jemi katër. Ne kemi fëmijë, të paktën unë i konsideroj si fëmijë. Kemi një qen dhe një qenushe, Kiko dhe Mia. Mia është goca ime domethënë”, tha Melisa.

Por pas gjithë kësaj historie u duk qartë që “Përputhen” jashtë ekranit u bë më interesante se ajo brenda kur Melisa tregoi për Tean, dikur e prezantuar si partnerja e Andit.

Tea dhe Andi dolën çift nga “Përputhen” e më pas pranuan se bënë lojë dhe në fakt e paskan ditur shumë mirë për lidhjet e njëri-tjetrit. Pak kohë më parë, Tea tregoi se Andi e dinte për lidhjen e saj me Beartin, ndërsa Melisa zbuloi se Tea e dinte për lidhjen e saj me Andin.

“Po, e dinte dhe gjithmonë na ka mbështetur dhe nuk e kuptoj pse vazhdoni, doni të na përçani kur nuk do ekzistojë kurrë një përçarje. Gjithmonë kemi qenë bashkë, gjithmonë na ka mbështetur, ne duhemi shumë shumë!”, është shprehur Melisa, duke iu referuar Andit.

/Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al