26 Janar, 2018

Mund të kishte qenë pjesë e skenave të nxehta me Arben Derhemin, pse i tha “jo” Soni Malaj propozimit


Ka plot 21 vjet në muzikë dhe sfidat, por edhe sukseset për Soni Malajn, nuk kanë qenë të pakta. Prodhime shumë të rëndësishme muzikore, hite, ture, disa musical-e të rëndësishme, pjesëmarrje dhe çmime në gara muzikore, por edhe eksperienca në fusha të tjera të artit, të cilat po njëlloj si muzikën, Soni i ka bërë me shumë pasion.

Por sot, ajo rrëfeu se i iku nga duart një shans, që për të, do kishte qenë një eksperiencë shumë e vyer. Në fillim të viteve 2000 (2002-2003), seriali “Njerëz dhe Fate” ishte ndër më të pëlqyerit e publikut shqiptar. 10 seritë e para patën sukses absolut dhe kjo e detyroi grupin realizues ta vazhdonte, edhe për disa seri të reja. Por kur stafi kishte nisur të përzgjidhte grupin e aktorëve, mes tyre paska qenë edhe Soni Malaj.

Këngëtarja, e cila në ato vite vijonte të këndonte me grupin “Spirit Voice”, kishte marrë një propozim për të qenë pjesë e grupit të aktorëve.

Pasditen e sotme, e ftuar në “Pop Culture”, Soni rrëfeu edhe për rolin që për pak mund të kishte qenë i saj. Duke treguar për shumë prej eksperiencave në vite, Soni kujtoi se shumë vite më parë, ajo kishte marrë një propozim për serialin “Njerëz dhe fate” (edhe pse pa dashje tha “Fate të kryqëzuara” – Sa mirë do të ishte!) dhe roli që i ishte propozuar për të luajtur ishte Didi, që iu besua pastaj aktores nga Kosova, Arta Muçaj: “Do të isha partnerja e Arben Derhemit, atë që luante Arta”, – tha Soni, por rrethanat nuk ia dhanë mundësinë që ky rol të ishte i saj. Por nuk mbeti jashtë këtij projekti, që për publikun u prit mjaft mirë.

Kompozitori Adi Hila i kërkoi Sonit të bënte kolonën zanore të serialit, kështu që këngëtarja bëri edhe këtë herë atë, që di të bëjë më mirë. Edhe pse, nëse do të ndodhte, edhe Soni Malaj, si Didi, mund të kishte qenë interesante.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al