18 Mars, 2019

Martesa 10-vjeçare plot ulje-ngritje e Linda Halimit bekohet me një fëmijë, por rikthen problemet e racizmit


Vetëm pak ditë më parë, këngëtarja e njohur kosovare, e cila është duke jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Linda Halimi, ka sjellë në jetë vajzën e saj të parë, të cilën e ka pagëzuar me emrin Kaimana.

Ky ishte ndoshta sekreti më i madh që një personazh i njohur mund të mbajë fshehtë larg syrit mediatik e që Linda arriti të bëjë. Ajo sekretin e shtatzanisë e mbajti deri në momentin kur ka lindur, ndërkohë që ishte shkëputur nga bota e muzikës për pak kohë, por që aktive në rrjetet sociale ka qenë gjithmonë, edhe pse, sipas këngëtares, në muajin e dytë të shtatzënisë kishte xhiruar klipin “Murda”.

Pasi ndau me të gjithë lajmin e gëzueshëm, shumë njerëz ishin kuriozë të dinin përse e mbajti aq të fshehtë periudhën më të bukur të jetës. Siç duket, ky ka qenë një vendim i mirëmenduar nga ana e Lindës dhe ia arriti qëllimit të saj deri në fund. Në profilin e saj në “Facebook”, këngëtarja ka treguar se donte që ta mbronte vogëlushen e saj nga bota dhe ta shijonte këtë fazë vetëm me njerëzit më të afërt.

“Unë nuk e fsheha atë nga bota, largova botën nga ajo. Të gjithë kanë opinionet e tyre, por kur vjen puna te bekimet e Zotit, nuk ka rëndësi opinioni i askujt. E gjithë familja dhe rrethi im miqësor e dinin dhe u jam mirënjohëse që respektuan privatësinë time dhe nuk thanë asnjë fjalë. Kështu që e ndjeva në zemër ta mbaja të gjithën përbrenda dhe thjesht të numëroja bekimet e mia. Jo të gjithë do të festojnë për ty, pa pasur rëndësi sesa shumë luftojnë për t’ju bërë përshtypje! Dhe po, jam duke jetuar kohën më të bukur të jetës sime me të në krahët e mi”, ka shkruar mes të tjerave këngëtarja e njohur Linda Halimi.

Por si është pritur ky lajm nga fansat e saj? Për fat të keq, ka pasur shumë komente me përmbajtje raciste, të cilat ne nuk duam t’i risjellim tekstualisht në këtë shkrim, që të mos bëhemi padashje përhapës të kësaj fryme.

Fansat e kritikonin këngëtaren se ka prishur racën, duke lindur fëmijë me një burrë me ngjyrë. Nga ana tjetër, vetë Linda, në foton që ka publikuar, nuk ka preferuar të tregojë fytyrën e vajzës, mbase edhe kjo për arsyen që të mos hapej debati i ngjyrës së lëkurës për një krijesë aq të vockël e të pafajshme, që gjithsesi nuk u shmang, sepse, për fat të keq, rrjetet sociale e kanë këtë fuqi që të lejojnë këdo të komentojnë si të dojë.

Përsa i përket lidhjes së Linda Halimit me bashkëshortin e saj, me të cilin u martua në vitin 2010, mund të themi se ajo ka pasur uljengritjet e veta. Një moment që tregonte një krizë mes çiftit, ose mbase edhe një provokim nga ana e këngëtares ka qenë në Shën Valentinin e vitit të kaluar.

“Dëshiron të jesh ti Shën Valentini im?”, ishte ftesa e hapur që këngëtarja nga Kosova u bëri djemve nga rrjetet e saj sociale atë ditë, poshtë fotove të reja ku pozonte me të brendshme të zeza, duke zbuluar trupin gjithë muskuj, që ka arritur të bëjë vitet e fundit. Por duke qenë se ajo është e martuar me reperin Big D, lindën dyshimet e para se ajo mund të jetë ndarë.

Nisur nga ndonjë koment apo hamendësim të shkruar nga portalet, Linda e mbajti statusin “single” vetëm për disa orë, duke marrë masat që të ndryshonte gjithçka. Brenda një kohe rekord, ajo zëvendësoi statuset e mëparshme me të tjerë, duke i shoqëruar me postimin e një fotoje të bashkëshortit të zhveshur, sipër së cilës shkruante: “Mos krahaso Valentinin tënd me timin!” apo “Drunk in love” (E dehur në dashuri), duke fshirë gjithçka kishte shkruar më parë. Ndërkohë, lindja e vajzës tregon se lidhja mes çiftit tashmë është mëse e konsoliduar dhe ata janë një familje e lumtur. Ne i urojmë jetë të gjatë bebit dhe lumturi në familje Lindës.

PANORAMA PLUS

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al