26 Janar, 2018

Luar Arani: Puna ime në Berlin, jashtë muzikës


Luar Arani, vajza sensuale, që duetin e saj të parë e bëri me Flori Mumajesin, pesë vite më parë, tashmë është rikthyer fuqishëm. Këngëtarja, e cila jeton në Berlin të Gjermanisë është kthyer në një ndër zërat më të preferuar jashtë Shqipërisë. Për këngët e dashurisë që i shkruan vetë, rikthimin në muzikë dhe të ardhmen, Luar Arani i rrëfen në këtë intervistë të parë për gazetën “Panorama Plus”.

Gjatë këtyre viteve që ke munguar në tregun muzikor shqiptar, cilat kanë qenë angazhimet e tua? Ku ke jetuar dhe me çfarë je marrë?

Kam jetuar në Berlin të Gjermanisë, ku kam mbaruar studimet deri në nivelin Master dhe kam punuar e vazhdoj të punoj me projekte nacionale dhe internacionale si manaxhere projektesh në Berlin.

Veçantinë tënde si këngëtare dhe imazh skenik, a ta kanë vënë në dukje deri tani?

Zëri im është ai për të cilin më përgëzojnë më së shumti. Përsa i përket imazhit skenik, shumë preferojnë faktin se është imazh i kuruar dhe jo “too much“.

Meqë je pëlqyer nga publiku rus, ke menduar për ndonjë bashkëpunim ndërkombëtar dhe mund të na zbulosh një emër konkret?

Kënga është lançuar botërisht, më 12.01.2018, është pëlqyer shumë shpejt nga publiku rus, megjithatë, është herët për të folur për një bashkëpunim ndërkombëtar.

Po në festivalet shqiptare, ke ndërmend të konkurrosh, si “Kënga Magjike” apo Festivali i RTSH-së?

Për momentin jo, megjithatë, me kalimin e kohës, gjërat ndryshojnë.

Krahasuar me para disa vitesh, u duke pak ndryshe në pamje, çfarë bën për të mbajtur trupin në formën që do?

Vitet bëjnë të vetën te secili nga ne, kështu që ndryshimet janë normale. Kohët e fundit, kam zbuluar që 2-3 litra ujë në ditë më kanë ndihmuar më shumë se çdo gjë tjetër për të mbajtur trupin në formë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al