7 Shkurt, 2023

Loredana dhuron 150 mijë euro për dy komuna të prekura nga rreshjet


Reperja dhe këngëtarja Loredana Zefi ka dhuruar 150 mijë euro për familjet që u prekën nga vërshimet në dy qytetet kosovare, Skenderaj dhe Mitrovicë.

Dy ditë më parë, biznesmeni dhe politikani Behgjet Pacolli iu bëri thirrje miqve të tij që të ndihmojnë familjet që u prekën nga vërshimet që ndodhën në fund të muajit janar në Kosovë, por që më së shumti u prekën qytetet e Skenderajit dhe Mitrovicës. E një ndër donacionet më të mëdha që u dhanë nga kjo thirrje është ai i reperes dhe këngëtares kosovare që bën karrierë edhe në vendet gjermanofolëse e edhe në Kosovë dhe Shqipëri, Loredana Zefi.

Lajmin për këtë gjë e ka bërë të ditur ish këshilltari i Pacollit, Naim Murseli. Edhe  Mozzik ka bërë një gjest shumë human, duke ofruar shumën e madhe prej 20 mijë eurosh për banorët e prekur nga vërshimet.

Mozzik theksoi se kjo shumë shkon nga ai dhe familja e tij në ndihmë të këtyre qytetarëve që sot kanë nevojë.

Edhe këngëtari i njohur Labinot Tahiri i dhuroi  2000 euro për katër komunat që kanë dëmet më të mëdha. “Po i ndaj 2000€ për këto anë ku janë vërshimet, me mundesitë e mia, ndihmoni të gjithë me mundesitë e juaja.  Këtij Bacës me lot në sy nga Klina, do të i’a dergojë 500€ për pak dëme që i’u janë bërë! Komunës së Mitrovicës 500€, Skenderajit 500€, Istogut 500€”, ka shkruar ndër të tjera Tahiri.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al