7 Mars, 2020

Koronavirusi “prek” biznesin e muzikës, Flori Mumajesit i anulohet koncerti në …


Situata sa vjen e rëndohet në Europë për sa i përket epidemisë së koronavirusit. Rastet e të prekurve sa vijnë e shtohen në disa shtete si Italia, Greqia apo Anglia, ndërkohë që vende të tjera kanë marrë një sërë masash parandaluese, si anulimi i eventeve apo takimeve me shumë pjesëmarrës. 

Kjo situatë ka prekur dhe muzikën, më saktësisht koncertet e disa artistëve, në këtë rast të Flori Mumajesit dhe djemve të “Three dots”.

Një event i tyre në Austri është anuluar për shkak të masave që shteti ka marrë kundër epidemisë, megjithatë çunat kanë gjetur një mënyrë për ta bërë më të thjeshtë situatën. Ata kanë postuar një video, të cilën e kanë nisur në mënyrë kreative, siç vetëm ata dinë, për të dhënë më pas mesazhin e anulimit të koncertit, me premtimin që do shkojnë shumë shpejt në Austri.

Kujtojmë që Flori Mumajesi u kthehet koncerteve pas suksesit me këngën “Thjesht të du”, për të cilën tha se do ta këndojë në dasmën e tij. Rastësi ose jo, me postimet e fundit në “Instagram” u krijuan shumë lidhje mes Liberta Spahiut e Florit, pas reagimit të moderatores së “Prive” se po priste pikërisht publikimin e kësaj kënge për t’u martuar.

Kujtojmë që në janar të vitit të kaluar, Liberta e konsideroi të mbyllur kapitullin 1-vjeçar me Flori Mumajesin. Liberta Spahiu, e cila karrierën e nisi dhjetë vjet më parë, duke qenë ndër prezantueset e para që shfaqej në ekranin e “Klan Kosova”, e konsideroi 2019- ën si fillim të ri sa u takon çështjeve të zemrës.

“Çka shkon, mos u ktheftë, çka humb mos u gjettë, çka ardhtë, mirë se vjen!”, shkruante ajo në statusin e saj, pasi festoi 34-vjetorin më 4 janar.

Duket e njohur për tipin ngacmues dhe stilin e saj që shpesh flet me kode, ndjekësit e përkthyen këtë status si një konfirmim të saj për mbylljen e një kapitulli të vjetër me Flori Mumajesin dhe fillimin e një kapitulli të ri, sa u takon çështjeve të zemrës.

Që nga janari i vitit të kaluar, kur kantautori i njohur Flori Mumajesi deklaroi hapur lidhjen me Liberta Spahiun, duket se 12 muaj mjaftuan për ta ndryshuar moderatoren e “Prive”, pasi në ditëlindjen e saj, Flori ishte i ftuari më special i mbrëmjes.

Sa i takon karrierës muzikore, pas një periudhe pauze Flori po i rikthehet muzikës. Përveç këngës së tij “Thjesht të du”, ai fitoi “Këngën Magjike” me një krijim të kënduar nga Eneda Tarifa. /Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al