24 Prill, 2018

Këngëtari i njohur: Si mbaj trupin e një modeli fitnessi pa i bërë hile shpirtit


KLOTILDA HARKA/ Këngëtari i njohur Landi Hysi ka treguar në një intervistë për “Panorama Plus” detaje rreth jetës së tij profesionale ashtu edhe private. Ai ka folur për muzikën, angazhimet në ekran si dhe për stërvitjen e vazhdueshme që bën për të mbajtur trupin në formë.

 

Fiziku yt ka arritur perfeksionin. A mund të na zbulosh disa sekrete të regjimit tënd dhe kënaqësive që u thua “po” dhe “jo”?

Unë jam i kënaqur me arritjet dhe ruajtjen e rezultateve ndër vite. Përpiqem që nga viti në vit të jem më mirë dhe në mend më vjen një shprehje e djalit tim të hallës, Manthos, që thotë: “Më mirë se dje, më keq se nesër, që më mban të motivuar për të vazhduar. Për të arritur rezultate kam lexuar, lexoj dhe stërvitem rregullisht. Me raste kam ndjekur edhe regjime ushqimore, të cilat kërkojnë disiplinë dhe mendje të fortë, por me kalimin e kohës kam mësuar të ruaj rezultatet, siç i thonë një fjale: “Pa ia bërë shpirtit me hile!”. Falë njohurive e kam më të thjeshtë të arrij e mbaj rezultatin që dua. Ajo që bëj prej rreth 19 vitesh është një stil jetese dhe nuk më pengon në përditshmërinë e aktiviteteve.

Dimë që në punën tënde të përditshme je angazhuar me turizmin dhe kulinarinë. Si e menaxhon punën prej zyrtari jashtë artit?

Në përditshmërinë time unë jap shembullin tim duke bërë: një jetesë të shëndetshme, sportin, artin, mjedisin, muzikën, kërcimin, turizmin, promovimin e vlerave, mbështetës i çështjeve sociale dhe mundohem të zgjeroj njohuritë e mia dhe kontributin në shoqëri në një formë apo tjetër. Prej afro një viti, së bashku me znj. Bruna Komti (Drejtoreshë Sportive) dhe Endri Bushati, (President/Kryetar Bordi) dhe unë si Drejtor Kombëtar jemi duke drejtuar organizatën “Special Olympics Albania”. Qëllimi i shoqatës është të sigurojë trajnime sportive dhe gara atletike të llojit Olimpik gjatë gjithë vitit në shumëllojshmëri sportesh për personat me aftësi të kufizuara intelektuale (www. specialolympics. org) Paralelisht me këtë përgatitem dhe xhiruam klipin e ri, i cili do të sjellë një këngë më ritmike dhe e ngjashme me këngët “Unë dua aa”, “Kena lind për cef”, “Hou çike”, si dhe pjesëmarrja në spektaklin dhe reality show-n shumë të preferuar nga unë dhe që është “Dancing with the stars Albania”.

Të shohim gjithmonë të qeshur dhe me batuta, cili është sekreti i një jete të hareshme?

Jam gjatë gjithë kohës i shoqëruar nga miq, të afërm, shokë e kolegë, të cilët më vlerësojnë për këtë që kam dhe jam dhe më inkurajojnë të vazhdoj kështu, e të mos heq dorë, pavarësisht vështirësive. Ata janë faktorët që nxjerrin më të mirën tek unë. Por edhe kur nuk jam me ta, por jam duke ecur rrugës në këmbë apo me biçikletë, më mjafton të marr një buzëqeshje nga të panjohurit në rrugë që të riaktivizohem dhe t’ua kthej mbrapsht pozitivitetin që më përcjellin.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al