19 Maj, 2024

Fotot nga paparazzi/ Arbana Osmani larg ekranit, shëtit nëpër bllok me telefon në vesh, tashmë si sipërmarrëse


Ka kaluar tashmë 1 vit që nga shkëputja e saj nga televizioni dhe Arbana Osmani vijon të jetë një ndër personazhet më të ndjekur. Me sipërmarrjen e saj të re në biznes, duket se ajo vijon ende të jetë ndër emrat më të lakuar.

Që pas largimit nga “Big Brother”, moderatorja vendosi të hapte një restorant dhe ‘feedback’-u deri më tani ka qenë pozitiv për të. Por ndonëse shumë e angazhuar me punën si sipërmarrëse, ajo vijon ende të gjejë kohë për të kaluar në Bllok, ku veç shëtitjes, me gjasa mbaron edhe disa punë, paparaci ynë ka mundur të fotografojë në një ditë të zakonshme, ku së bashku me mikeshën dhe bashkëpunëtoren e saj, teksa ecin për disa hapa edhe bisedojnë.

Ajo që nuk kishte sesi të mos binte në sy ishte pikërisht veshja e Arbanës. E veshur me xhaketë dhe fund të zi, moderatorja kishte zgjedhur edhe një këmishë blu. Të gjithë pamjen e kishte kombinuar me çizmes “Chanel” dhe çantën që gjithashtu ishte firmato. Shpesh nëpër portale janë publikuar detaje nga veshjet e saj, ku gjithnjë zgjedh veshje firmato.

E tillë është përzgjedhja e saj edhe në një ditë të zakonshme, ku markat e luksit e shoqërojnë në të përditshmen. Moderatorja, si rrallëherë ka dhënë një intervistë duke shuar pikëpyetjet që ndjekësit kanë në lidhje me të, veçanërisht për drejtimin e “Big Brother VIP 3”.

Për këtë të fundit, Arbana Osmani tha se kishte ardhur koha që ajo të merrte një pushim dhe të kalonte më shumë kohë me familjen e saj dhe t’u përkushtohej bizneseve të saj.

“Vazhdimisht kur e di se gjërat mes meje dhe njerëzve të mi të afërt, për tematika të caktuara, janë krejt të qarta, nuk e ndjej të nevojshme të jap shpjegime publike, në të gjitha sferat. Kështu që nuk e ndjeva që unë në finalen e ‘Big Brother’ duhet të thosha: Shiko se ky është edicioni im i fundit. Se unë jam një nga hallkat e programit. Njerëzit do ta ndjekin programin me ose pa mua, ç’rëndësi ka a do jem a s’do jem unë. Nuk e ndjej se duhet t`i jap gjithë këto kredite vetes për ta glorifikuar këtë personazhin tim dhe pozicionin tim. Shiko se unë po iki dhe po ju lë… Thashë, kur të fillojë ‘Big Brother’ unë do bëj një urim nga zemra për ata të cilët do ta vazhdojnë programin edhe e mendova të mjaftueshme”, – tha ajo në një intervistë për podcastin e Mira Kazhanit, ‘Zë me Mirën’.

Pyetjes nëse ka kërkuar 600 mijë euro për “Big Brother Albania”, Arbana iu përgjigj duke thënë si vijon: “Në qoftë se unë do të kisha vendosur paratë si një pikë vendimtare që ka të bëjë me vendimet e mia të rëndësishme, do kisha qenë o shumë, shumë e pasur o shumë, shumë e varfër. Paratë nuk janë kurrë në zemrën time. Puna ime bëhet me shumë zemër. Në çdo aspekt. Qoftë në biznes, qoftë në televizion, qoftë në çdo hapësirë. Nuk janë kurrë paratë ato që orientojnë një vendim. Janë shumë të rëndësishme dhe mendoj që gjithsecili nga ne duhet të kërkojë patjetër para nëse mendon se vlen, por kurrë duke qenë ato vendimtare për një zgjedhje të caktuar”, tha moderatorja.

Sakaq, “Big Brother VIP Kosova” sezonin e ardhshëm mesa duket do të jetë nën moderimin e Arbana Osmanit. Lajmin e kanë bërë të ditur disa burime për “VIP Magazine”, megjithëse një informacion i tillë nuk është konfirmuar akoma nga ana e moderatores. Shpeshherë Arbanën e kemi parë duke udhëtuar drejt Prishtinës, ndërsa ajo ka treguar se ka të bëjë me zgjerimin e biznesit të saj edhe në trevat Shqiptare dhe jo me karrierën e saj në televizion.

E teksa prezantuesja e dy sezoneve të “BBV” kohë më parë është pyetur në lidhje me aludimet dhe zërat që po qarkullonin në median rozë se ajo do të prezantojë “BBVK” së bashku me këngëtarin shkodran Luiz Ejlli, Arbana zgjodhi të mos i mohojë këto lajme duke forcuar edhe më shumë dyshimet e ndjekësve. Megjithatë, presim që të shikojmë nëse me të vërtetë Arbana do të jetë prezantuesja e “Big Brother VIP Kosova”, apo jo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al