10 Prill, 2018

Ish-bashkëshortja e legjendës së rock-ut: Elvis Presley ka vrarë veten, ishte në…


Ish-bashkëshortja e Elvis Presely-t, Priscilla ka deklaruar se legjenda e rock-ut ka vrarë veten dhe se nuk ka vdekur si pasojë e një sulmi kardiak, siç u tha në gusht të vitit 1977 kur ai ndërroi jetë.

72-vjeçarja e bëri këtë deklaratë gjatë premierës së dokumentarit të ri HBO, Elvis Presely: “The Searcher”, i cili shikon për lidhjen e këngëtarit me Memphis, Tennessee.

Në programin që u shfaq të shtunën, Priscilla flet për varësinë e madhe që kishte ish-burri i saj. “Ai e dinte se çfarë po bënte”, ka shtuar ajo. “Teksa njerëzit pyesnin se “pse askush nuk po bënte asgjë për ta ndihmuar?”, kjo nuk ishte aspak e vërtetë”, ka treguar Priscilla.

Kjo e fundit është shprehur se vetë ajo dhe të afërmit e dashur kanë dështuar që ta ndihmonin atë që të hiqte dorë nga droga, por vendosmëria e tij ishte e fortë dhe ndikimi ishte mbizotërues.

Sipas saj, askush nuk mund t’i thoshte Elvisit çfarë duhet të bënte, shumë e provuan por askush nuk ja doli.

Ai dhe Priscilla u martuan në 1967-n dhe patën një vajzë Lisa Marie një vit më pas. Divorci i tyre erdhi në vitin 1973, por ajo i qëndroi pranë deri në momentin e vdekjes, në moshën 42-vjeçare.

Lidhur me varësinë e këngëtarit me drogën ajo ka thënë se nisi gjatë periudhës së shkurtër në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me bazë në Gjermani, në shtator të 1958 kur ai ishte në Divizionin e Trete të blinduar në Frankfurt.

“I jepnin drogë atyre atje që ti mbanin zgjuar. Bënin manovra në orët e vona të natës, e si pasojë u jepnin ilaçe, e kështu e nisi edhe ai. E nëse ti merr një ilaç gjumi, ti duhet të bësh diçka që të mbash vetën zgjuar”, ka shtuar ajo

Ndërkohë në dhjetor të vitit 2017 janë zbuluar dy letra që Elvis i kishte dërguar dy miqve të tij dhe road manager Joe Esposito.

Në të dyja letrat shfaqej situata e rënduar psikologjike e këngëtarit: “Jam i lodhur me jetën time dhe kam nevojë për një pushim të gjatë’, shkruante ikona e rock-ut. Në një nga letrat që i përket janarit të 1977, shtatë muaj përpara se të vdiste, Elvis pranonte që ishte në vështirësi dhe nuk arrinte të dizintoksikohej duke mos qenë në gjendje të rifitonte Priscillën, me të cilën ishte ndarë 4 vite më parë.

Rick Stanley, vëllai nga nëna i Elvisit, ka thënë për “Radar Online”: “Letrat duken autentike. Për mua është e qartë që ai kishte në mendje të vetëvritej”.

Ndërkohë mediat e huaja shkruajnë se në momentin e vdekjes Presley ishte 158 kilogramë dhe në trupin e ti u gjetën rreth 14 ilaçe të ndryshme dhe në sasi të mëdha.

Panorama Plus

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al