20 Mars, 2019

Historia e dashurisë së Ronela Hajatit dhe Young Zerkës, çifti që mohoi lidhjen për 4 vite dhe arsyet që i çuan drejt ndarjes


Rreth tre vite më parë, kur një gazetare e pyeti Ronela Hajatin: “Sa e do Young Zerkën?”, ajo iu përgjigj: “Unë s’jam e lidhur me Zerkën, kështu që nuk kam çfarë të mbaj sekret”.

Edhe pse ata prej vitesh rrinin gjithë kohën bashkë, në të gjitha intervistat, marrëdhënien e tyre e kanë cilësuar thjesht si miqësi dhe bashkëpunim. Këto ditë në të gjitha portalet shkruhej se Ronela Hajati dhe Young Zerka nuk janë më bashkë, pasi nuk e ndjekin më njëri-tjetrin në rrjetet sociale.

Në fakt, “Panorama Plus” lajmin e ndarjes e ka dhënë që në fillim të dhjetorit, kohë kur çifti, sipas burimeve tona, nuk ishte më bashkë, duke rrëfyer për ndarjen e çiftit dhe arsyet që e çuan drejt saj. Kur vendosën të bashkëpunonin për projektin e tyre muzikor, ata kishin një vit që përfliteshin për lidhje dashurie, por që përpiqeshin ta mbanin të fshehtë.

Dhe më këtë stil vazhduan për një periudhë të gjatë, edhe pse koncertet i planifikonin gjithmonë bashkë. Young Zerka gjatë një interviste për emisionin “Thumb”, rreth 4 muaj më parë, pyetjes, nëse është çift apo single, iu përgjigj: “Normal që single”, duke treguar edhe duart në të cilat nuk kishte asnjë unazë.

“Po, a je në kërkim të dashurisë?”, e pyeti gazetari. “Në kërkim të shpirtit të lirë,” tha Zerka, duke konfirmuar kështu ndarjen nga Ronela Hajati. Nga ana tjetër, Ronela u rikthye në festivalin “Kënga Magjike” me një këngë të Flori Mumajesit me titullin “Vuj”, dedikuar një dashurie të humbur, pasi ai e ka lënë për një tjetër.

U tha se kjo është këngë që i dedikohej vuajtjes pas ndarjes nga Zerka, ndërkohë që gjatë performancës, Ronela interpretoi dhimbjen e saj shpirtërore pas ndarjes nga Zerka, duke bërë edhe prekje intime në skenë, një guxim ky skenik që mund të themi se është kthyer në stil personal për Ronelën.

Portalet që vendosën çuditërisht tani të konkludojnë në faktin së Ronela dhe Young Zerka janë ndarë, kanë nxjerrë si arsye të ndarjes faktin se Ronela dëshironte ta zyrtarizonte këtë lidhje, pasi çifti bashkëjetonte gjithashtu, ndërkohë që Zerka aspironte tjetër gjë, të qenurit shpirt i lirë, gjë që, mesa duket, nuk e arrinte dot duke qenë në një lidhje.

Zerka asnjëherë nuk ka folur publikisht për Ronelën, përveç ditëlindjes së saj kur i bëri një dedikim në “Instagram”, që prapë linte vend për interpretim, nëse ishte urim për të dashurën e zemrës apo për kolegen dhe mikeshën. Duke u bërë bashkë dhe duke i dhënë koncertet gjithmonë çift, ata u komentuan si një tjetër çift i dashuruar në tregun e muzikës, mes shumë të tjerëve që janë krijuar këto vitet e fundit.

Po siç e ka treguar historia, shumë pak prej tyre arrijnë të mbijetojnë, edhe pse kanë pasur sukses bashkë. Thashethemet mbi lidhjen e tyre dhe fakti që nuk kishte diçka të konfirmuar, e bënte më interesante lidhjen mes tyre, por edhe karrierën gjithashtu. Janë apo s’janë çift, u përdor shumë mirë nga çifti si një strategji biznesi për të fituar para, pasi jo vetëm ftesat i merrnin çift për koncerte, por nisën të bënin dhe klipe bashkë. Tashmë, secili do vijojë jetën e tij personale dhe karrierën në drejtime të ndryshme.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al