19 Shkurt, 2018

Genc Salihu: Si më ndihmoi partnerja të realizoja muzikantin, që dashurohet me shokun e tij


Në një intervistë për “Panorama Plus”, muzikanti Genc Salihu ka folur për marrëdhënien që ka me partneren e tij Kaltrina Krasniqi. Ai ka rrëfyer sesi njeriu i tij i zemrës e ka ndihmuar teksa ka realizuar personazhin në filmin “Martesa”.

Gjithashtu Genci ka folur edhe për muzikën, duke thënë se nuk mund ta braktisë atë.

Keni punuar pesë vite për këtë projekt. Pra, pak a shumë ke përjetuar paralelisht lidhjen me partneren Kaltrina Krasniqi, dhe atë me Alban Ukajn në film. Si ka ndikuar lidhja reale tek ajo në film dhe anasjelltas?

Kaltrina është regjisore. Një prej artisteve më të dashura për mua, qysh prej kohësh. Nuk ka qenë fare problem kjo, për fat. Por më ka ndihmuar shumë që ta realizoj personazhin. Në fakt, nuk do t’ia kisha dalë pa Kaltrinën.

Je shprehur se, pasi e ndoqe premierën e filmit me partneren, frika jote ishte se ndoshta ajo hidhte sytë nga Albani, një mashkull shumë i pashëm e me trup shumë të bukur, sipas teje. Ekziston tek ty frika e braktisjes nga njeriu i zemrës për një tjetër më të mirë dhe si e menaxhon xhelozinë?

Xhelozia është ndjenjë që të mbush me jetë. Në doza të moderuara bën çudira. Por, thelbësisht është emocion i ulët dhe ai që me të vërtetë lartësohet, e tejkalon si gjendje. Sidoqoftë, në intervistën që keni parë, kam qenë duke bërë shaka. Vazhdimisht harroj t’ia kujtoj vetes të bëhem serioz para kamerave.

Tani që je bërë baba, cili është sekreti i pasionit mes teje dhe Kaltrinës?

Unë dhe Kaltrina njihemi tërë jetën. Pasioni është sekreti ynë.

Beson vetëm te martesa një burrë një grua, apo edhe te martesa e homoseksualëve?

Gjithkush duhet ta ketë të drejtën të martohet me atë që dëshiron.

Sa gjasa ka, që ti të braktisësh muzikën një ditë për t’iu përkushtuar tërësisht kinemasë?

Muzikën nuk mund ta braktis, vetëm ajo mua. Por nuk duket se e ka ndërmend një gjë të tillë, ka kohë që po troket si komshi i dehur. Më kanë thënë se muzika dhe filmi shkojnë bashkë, kështu që nuk po e çaj kokën shumë!

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al