24 Prill, 2022

Fotot nga paparazzi/ Kapur prej krahu, shëtitja e ëmbël e Dhimitër dhe Roza Anagnostit


Ndoshta për disa nga brezi i ri nuk njihen fare, por Dhimitër dhe Roza Anagnosti janë ndër çiftet më të dashura në vendin tonë. Regjisori dhe aktorja janë prej vitesh ikonë e kinematografisë shqiptare dhe daljet e tyre publike po bëhen gjithnjë e më të rralla, të kushtëzuara edhe nga mosha. Ndryshe nga daljet në ekran apo në aktivitetet e tyre, këto janë foto nga e përditshmja e tyre.

Dhimitër dhe Roza janë fotografuar nga paparaci ynë, teksa kanë qenë duke shëtitur në qendër të Tiranës. Ashtu siç shihet edhe nga fotot, ndonëse mbi 80 vjeç, regjisori nuk ka ngurruar t’i fusë krahun gruas duke mos u shkëputur asnjë moment. Vitet e fundit, të dy janë tërhequr disi nga mediat, duke vendosur të kalojnë më shumë kohë në familje. Në eventet ku ata marrin pjesë, tërheqin të gjithë vëmendjen, pikërisht për dashamirësinë që ky çift rrezaton. Vetëm pak kohë më parë, aktorja e mirënjohur do të zbulonte edhe fillimet e historisë së tyre të dashurisë.

“Takimi i parë me Dhimitrin ka qenë në kinoprova, ku ai ishte në kamera, por syri i kamerës e fiksoi mesa duket. Regjisor në filmin ‘Toka jonë’ ka qenë Hysen Hakani, i cili krijonte situata shumë komike në xhirime. Aty shkëmbyem shikime. Ne kishim një autobus të sajuar, sepse nuk kishte atëherë. Unë isha ulur në rreshtin e dytë dhe ai më rrinte karshi. Dhimitri mbante gjithmonë syze të zeza dhe mua më dukej sikur shikimi i tij ishte drejt meje dhe ktheja kokën. Unë isha vetëm 19 vjeçe në atë kohë. Ai më shikonte përmes kamerës dhe më bënte me shenjë, kur nuk isha duke luajtur mirë. Pas këtij filmi ne u fejuam. Dhe te filmi “Komisari i dritës” ne ishim të sapomartuar dhe Dhimitri ishte regjisor i filmit.

Anagnosti për mua është një idhull, jo vetëm si bashkëshort, por edhe si koleg. Ai është një mbështetje e jashtëzakonshme dhe nuk gjej fjalë për të. Edhe tani ai më nxit të vazhdoj karrierën, ka vlera të jashtëzakonshme dhe është shumë modest. Unë kam pasur në krah një mbështetje shumë të madhe”, do të rrëfente Roza Anagnosti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al