26 Shkurt, 2023

Foto nga paparazzi/ Dashuria nuk njeh moshë, Dhimitër e Roza Anagnosti shëtisin për krahu


Teksa shohim këto imazhe të ëmbla, na vjen në mendje vetëm një togfjalësh. Dashuria nuk njeh moshë! Është ky rasti i Dhimitër e Roza Anagnostit, që pavarësisht viteve, dashuria për njëri-tjetrin nuk ka ndryshuar.

Ndoshta për disa nga brezi i ri nuk njihen fare, por Dhimitër dhe Roza Anagnosti janë ndër çiftet më të dashura në vendin tonë. Regjisori dhe aktorja janë prej vitesh ikonë e kinematografisë shqiptare dhe daljet e tyre publike po bëhen gjithnjë e më të rralla, të kushtëzuara edhe nga mosha. Ndryshe nga daljet në ekran apo në aktivitetet e tyre, këto janë foto nga e përditshmja e tyre.

Dhimitër dhe Roza janë fotografuar nga paparaci ynë, teksa kanë qenë duke shëtitur në rrugët e Tiranës. Ashtu siç shihet edhe nga fotot, aktorja i ka futur krahun bashkëshortit të saj, teksa mban çadrën e të dy vijojnë rrugën, duke folur edhe me një person krah tyre. Vitet e fundit, të dy janë tërhequr disi nga mediat, duke vendosur të kalojnë më shumë kohë në familje.

Në eventet ku ata marrin pjesë, tërheqin të gjithë vëmendjen, pikërisht për dashamirësinë që ky çift rrezaton. Vetëm pak kohë më parë, aktorja e mirënjohur do të zbulonte edhe fillimet e historisë së tyre të dashurisë. “Takimi i parë me Dhimitrin ka qenë në kinoprova, ku ai ishte në kamera, por syri i kamerës e fiksoi mesa duket. Regjisor në filmin ‘Toka jonë’ ka qenë Hysen Hakani, i cili krijonte situata shumë komike në xhirime.

Aty shkëmbyem shikime. Ne kishim një autobus të sajuar, sepse nuk kishte atëherë. Unë isha ulur në rreshtin e dytë dhe ai më rrinte karshi. Dhimitri mbante gjithmonë syze të zeza dhe mua më dukej sikur shikimi i tij ishte drejt meje dhe ktheja kokën.

Unë isha vetëm 19 vjeçe në atë kohë. Ai më shikonte përmes kamerës dhe më bënte me shenjë, kur nuk isha duke luajtur mirë. Pas këtij filmi ne u fejuam. Dhe te filmi ‘Komisari i dritës’ ne ishim të sapomartuar dhe Dhimitri ishte regjisor i filmit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al