18 Nëntor, 2022

Çfarë ndodhi? Këngëtari i njohur përfundon në gjykatë, deklaron se është i pafajshëm


Këngëtari i njohur Sinan Vllasaliu është paraqitur ditën e sotme para gjykatës pasi është akuzuar për shmangien e tatimeve nga viti 2011 deri në 2015.

Sinani akuzohet se ka dëmtuar shtetin me 24 mijë e 270 euro e 98 cent. Artisti i ka mohuar menjëherë këto akuza duke u shprehur se është i pafajshëm.

“Jo, i pafajshëm”, ka thënë ai.

“Betimi për Drejtësi” shkruan se: “Paraprakisht, gjykatësja Krasniqi-Jashanica ka thënë se gjykimi fillon rishtazi pasi është ndërruar gjyqtari i çështjes si dhe kanë kaluar më shumë se tre muaj nga seanca e 5 gushtit 2022. Më herët këtë lëndë e ka trajtuar gjykatësi Ngadhnjim Arrni.

Po ashtu, për shkak se ky rast filloi rishtazi, mbrojtësi i të akuzuarit Vllasaliu, avokati Florent Latifaj ka njoftuar se heqin dorë nga marrëveshja për pranim të fajësisë. Pasi që palët hoqën dorë nga mbajtja e shqyrtimit të dytë, kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave do të paraqiten me shkrim. Edhe në seancën fillestare të mbajtur më 5 gusht 2022 i akuzuari Vllasaliu ishte deklaruar i pafajshëm”.

Vllasaliu akuzohet se ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë të përgjithshme në vlerë prej 24 mijë e 270 euro e 98 centë.

“Këngëtari i njohur akuzohet konkretisht për veprën penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 313, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”,- thekson më tej “Betimi për Drejtësi”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al