5 Maj, 2018

Aktori i “Portokalli”-së, Alex Seitaj: Historia ime e mbijetesës, si hoqa dorë nga mendimi për të vrarë veten


KLOTILDA HARKA/ Alex Seitaj dhe Ilia Kaçi janë dueti i të rinjve të spektaklit të humorit “Portokalli”, që me numrat e tyre u japin muzikalitet problemeve dhe fenomeneve shqiptare që sjellin të diel pas të diele në ekran. Alex, një personazh atipik 1.93 m i gjatë, i cili lundron në ujërat e artit shqiptar mes muzikës dhe aktrimit, rrëfen më shumë nga jeta e tij.

Si një djalë me botë të veçantë shpirtërore që analizon dhe filozofon gjithçka, ai ka vuajtur pasojat e depresionit, që tashmë e kujton thjesht si e shkuara e errët e jetës së tij. Se si arriti të superonte problemet dhe të largonte mendimin për të vrarë veten, artisti i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Të shohim në spektaklin e humorit “Portokalli”. Luan veten apo alteregon tënde?

Do të thosha as njërën dhe as tjetrën. Zakonisht, më pëlqen të luaj personazhe që janë shumë të ndryshëm nga unë. Për këtë arsye e dua profesionin tim, ndërkohë që në jetë praktikisht “luaj” vetveten, në skenë të jepet mundësia të shkëputesh totalisht nga ky realitet dhe të luash dikë, që nuk ka lidhje fare me ty. Publiku shpeshherë mendon që dhe në jetën e përditshme aktori do të jetë si në televizion, por në rastin tim nuk kam lidhje fare me personazhet që luaj.

Çdo javë vjen për një ndodhi ndryshe bashkë me shokun apo kushëririn në rol. Ku frymëzohesh për sekuencat që sjell të dielave?

Është një proces disi i gjatë, por i bukur. Unë, aktori tjetër Ilia Kaci dhe Nada Mulla (tekstshkruesja) bashkëpunojmë për të gjetur temat. Aty më pas nis shkrimi i tekstit, duke i vënë personazhet tanë në rrethana të njohura të jetës së përditshme dhe duke treguar mënyrën se si ata reagojnë ndaj këtyre rrethanave. Ka kaq shumë tema që ndodhin në jetën e shqiptarëve. Ajo që bëjmë ne, është pikërisht “muzikalizimi” i këtyre temave, për t’i sjellë në skenën e “Portokalli”-së.

Nuk mungojnë as personazhet femërore. Si ndihesh nën lëkurën e një femre dhe në ç’aspekt të të menduarit apo të jetuarit, femra dhe mashkulli janë uniseks?

Nuk mendoj që jam në gjendje për ta përcaktuar këtë gjë. Një femër nuk është thjesht këpucë me taka, flokë të gjatë, fustan dhe make up. Këtë mund ta shpjegojë më mirë një aktore femër. Personazhet femra që unë luaj, janë të gjitha groteske dhe të ekzagjeruara, për arsye humori, sigurisht. Personazhi i Vezires, që unë kam sjellë në skenë është praktikisht një matriarke, një femër gjaktare që burrat i sheh si aksesorë për të arritur qëllimin e saj. Dhe për këtë, është shumë komike që kjo femër të luhet nga një aktor mashkull 1.93 i gjatë.

Ke arritur të jesh në skenë artist shumëdisiplinor, pasi këndon, aktron, por edhe filozofon. Çfarë komentesh të ka bërë regjisori Altin Basha kur të pranoi në trupën e “Portokalli”?

Këtë pyetje besoj duhet t’ia drejtoni vetë Altinit. Përveç “Portokalli”-së, unë kam pasur mundësinë të luaj edhe në shfaqjen “Made in Albania”. Fakti që më besoi një rol guxues dhe të bukur tek ajo shfaqje dhe prania ime e tanishme në “Portokalli”, më bën të ndihem i vlerësuar dhe falënderues. Në fund të fundit, vlerësimi më i mirë është përkrahja.

Si ndjehesh mes aktorëve të tjerë të trupës, me cilët prej tyre shoqërohesh?

Me partnerin e numrit tim nuk jemi vetëm bashkëpunëtore, por edhe miq. Më pëlqen që mund ta ndajmë shumë mirë miqësinë me profesionalizmin. Mund të bashkëbisedojmë lirshëm, e më pas të rikthehemi te puna. Kjo lirshmëri dhe kimi besoj ndjehet edhe në skenë.

Kujtojmë që ke konkurruar në festivalin “Kënga Magjike” me një këngë e performancë shumë të veçantë. Të duket vetja pak si larg komercit në muzikë?

Kam qenë larg komercit dhe e di që do të jem larg komercit, sepse kur bie fjala për muzikën, është diçka që unë e bëj vetëm atëherë kur dua. Dhe atëherë kur dua, do ta bëj si të dua. Unë tashmë kam krijuar një grup fansash, që e ndjekin dhe e kuptojnë punën time. E di që nga muzika nuk do paguaj faturat dhe kjo më jep liri, për të vazhduar në hapësirën time të artit “underground”.

Je shprehur në një intervistë se në shkollë ke vuajtur nga bulizmi. Çfarë pasojash mendon se ka lënë te ty ajo kohë dhe si ke fituar mbi të tjerët?

Gjëja që falënderoj veten më shumë është që, edhe pse ka qenë shumë e vështirë, asnjëherë nuk kam hequr dorë. Edhe pse mund t’i kisha të gjithë kundër, jam përpjekur të bëj çdo gjë që kam pasur në mendje. Gjykimi dhe sulmi i të tjerëve mund të të pengojë të veprosh, e megjithatë çdokush e di atë që ka në zemër dhe të tjerët nuk vlejnë asgjë përpara asaj ndjesie. Është mëkat të mos guxosh vetëm sepse të tjerët mund të të tallin apo të reagojnë keq. Dhe në fund, sigurisht, që do të triumfosh. Kam folur për këtë gjë, edhe për t’u dhënë zemër atyre të rinjve që janë tani në situatën që isha unë kohë më parë.

Dimë që ti ke fituar një betejë me veten, pra, duke hequr dorë nga mendimi për të vrarë veten. Mund të na zbulosh këtë anë të panjohur të jetës si artist?

Tani ajo periudhë është shndërruar për mua si një burim frymëzimi. Unë kam vazhduar të flas kundrejt sensibilizimit të njerëzve ndaj problemeve psikologjike dhe mendore, si depresioni apo ankthi. Më vjen mirë që shumë më kanë shkruar, duke u identifikuar me historinë time dhe duke kuptuar që me guxim dhe ndihmën e duhur gjithçka do të shkojë mirë. Në fund të fundit, historia ime nuk ësh-të një histori dorëzimi, por mbijetese. Dhe këtë duhet ta dinë të gjithë ata që po kalojnë kohë të vështira në jetën e tyre.

Imazhi që ka personi ideal për t’u dashuruar nga ty?

Guximi, një mendje e hapur dhe shumë, shumë individualizëm. Asnjëherë nuk më kanë pëlqyer fotokopjet.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al