Opozitë për protesta në sheshe apo për show në ekrane?

Sep 7, 2023 | 8:06
SHPËRNDAJE

Nga XHEVAT MUSTAFA Xhevat Mustafa

Pas një periudhe të gjatë “kome” apo lufte brenda llojit, dy copat e PD-së më 5 shtator 2023, nëpërmjet deputeteve dhe deputetëve të tyre, arritën të bashkohen në një takim, edhe të shumëvonuar, edhe të gjatëpritur, në të cilin një pjesë e tyre për shkak të angazhimeve jashtë vendit morën pjesë përmes platformave online. Ishte e logjikshme që ky takim të pritej dhe përcillej me interes, debate, hamendësime, interpretime të kundërta, me doza optimizmi apo skepticizmi…, si nga DEMOKRATËT, ashtu edhe nga enveristo- edramistët. Edhe unë jam i nj ëmendjeje me opinionin e analistit politik Alfred Lela se “takimi i deputetëve të opozitës është lajm i mirë për vendin”, pra jo vetëm për PD-në e copëzuar dhe opozitën jo më shumë të bashkuar apo unifikuar.

Nga disa u gërmua thellë apo cekët në kujtesë për të nxjerrë dhe përhapur fakte nga betejat donkishoteske brenda gjirit të PD-së, shprehur nëpërmjet kritikave, akuzave, shpifjeve, fyerjeve mes liderëve dhe figurave kryesorë të copave të saj në salla, ekrane, faqe gazetash…

Nuk është e vështirë për të kuptuar se kush kujton dhe përhap nga e djeshmja deklaratat apo goditjet fjalareske të njërit kundër tjetrit, ngjashëm si në zënka fëmijësh apo grash llafazane për fare pak gjë apo për një grimë arsye, është i prirur nga spektakolarizimi dhe komercializimi i politikës, jo nga e mira publike për PD, opozitën, demokracinë dhe ajo mbarëvendore e mbarëpopullore.

Nuk kërkon kohë të gjatë për vramendje për t’u bindur se akuzat dhe sherret brenda PD- së, të nxitura dhe fryra me të gjitha bulçitë dhe “kompresorët” nga Rama- qeveria, e kanë gremisur PD-në në këtë gjendje “kome” dhe ia kanë lehtësuar Ramës “fitoret” elektorale dhe mbretërimin e qetë e të gjatë për rreth 10 vjet. Nëse vazhdon akoma lufta brenda llojit, për vula, frone kryetari dhe godina selish në PD, se cila palë është “gjenetikisht” dhe sinqerisht më demokratike apo më PD, më opozitare, më antikorrupsioniste, më anti Rama-qeveri, nga kjo ka vetëm një fitues!

Ky është EDI RAMA! Natyrisht merren me mend dhe njihen mirë edhe ata që fitojnë nëpërmjet firmave dhe vulave të tij në VKM, tendera, koncesione, PPP, emërime në poste tejet fitimprurëse… Në kushtet kur vendi ka një Kryeministër, që flet se i duhet të flasë dhe ta dëgjojnë se lumturohet kur i shikon sallat si të mbushura me “kukulla, foka dhe pinguinë”, që ka rreth 9 vjet që vegjeton si Kryeministër e duke vepruar dhe vendosur si mbret, edhe pse marshon nga dështimi në dështim dhe nga skandali në skandal, çdo vonesë në unifikim të forcave, të objektivave madhore e të agjendave të opozicionit, është e pavend, e dëmshme, anti-kombëtare….

Njëherazi, ky takim i 43 deputetëve të opozitës, edhe pse me mungesën e paarsyeshme, vetëdemaskuese dhe “vetëvrasëse” të tufëzës së deputetëve të vulës, apo të tufëzës Basha-Alibeaj, mund të interpretohet edhe si dita e parë e fillimit të procesit të gjatë e të vështirë të çlirimit të PD-së dhe të gjithë opozitës nga pengmarrja prej Rama-qeverioligarki-sorosianisë. Por, edhe si shprehje e “kujtesës”, ndërgjegjshmërisë dhe përgjegjësisë ndaj 620 mijë votave të DEMOKRATËVE më 23 prill 2021, që kanë brenda sakrificë dhe vullnet të lirë si dhe shumë dëshira dhe shpresa për çlirimin nga Rama-qeverisja, shndërruar në neodiktaturë më moderne dhe më demokratike se sa ajo klasike e Enverit dhe Ramizit.

Mbi të sotmen, edhe pse një fillesë apo një hap kurajoz përpara, Fronti Opozitar mund të fillojë edhe të ndërtojë një të ardhme ndryshe, me vizion dhe strategji opozitarizmi rrotacionsjellës dhe me objektiva të denja për një opozitë të sinqertë, të vërtetë, konstruktive, demokratizuese, emancipuese… Për këtë, me siguri, më së pari kjo copë e madhe PD bën mirë të shohë edhe nga vetja, kryesisht nga dështimet, humbjet, gabimet jo të pakta të së shkuarës dhe nga prioritetet e veta dhe pastaj nga kundërshtari, natyrisht pa u fshehur pas kurrizit të tij dhe pa ia lënë në derë të gjitha justifikimet dhe “plehrat” e saj Rama-qeverisë!

Vetëm pas vetëreflektimit, shumica e popullit, e votuesve, do t’i vihet në krah me besueshmëri dhe optimizëm! Ndërsa, pas bashkimit, pas reflektimit serioz dhe vetëkorrigjimit kurajoz e rigoroz, falë edhe avantazhit se Rama-qeverisja e ka futur veten në historinë e këtyre 32 viteve si më e paafta dhe më e korruptuara, mund t’i kundërvihet pushtetit me mendësi dhe fuqi absolutiste apo sulltaniste, me gjithë potencialet e saj demokratike, për ta mundur me vepra ekonomikosociale, demokratizuese, integruese…, të përjetueshme nga shumica e popullit; me vota dhe me epërsi shumëdrejtimëshe në strategji, programe, projekte…! Megjithatë takimi i 5 shtatorit është vetëm një akt apo hap përpara, me synimin për të dalë përfundimisht nga “moçali” me ujë e llum të ndenjur gjatë, prej të paktën 2 vitesh…

Pavarësisht këtij takimi shpresëdhënës, PD vazhdon të jetë e ndarë në copa dhe opozita akoma larg së qeni një koalicion me potenciale të bollshme apo të mjaftueshme, me fuqi, mbështetje, besueshmëri për t’i rilënë në duar qeverisjen e vendit. Në rrugën përpara drejt ngjitjes në majën e malit të një opozite që meriton besim, mbështetje, vota dhe pushtet, do të kenë një varg të gjatë me pengesa të dukshme e të padukshme, brenda gjirit të tyre e sidomos nga Rama-parti-oligarkia dhe ortakët e tyre shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Prandaj, PD dhe opozita do të përjetojnë gjatë rezerva, ngurrime, mosbesime, dyshime, prej të cilave, tani për tani e nuk dihet se deri kur.

Edhe unë, edhe pse nuk e kam në dozën e lartë të para këtij takimi, përsëri nuk mund as ta fsheh dhe as ta reklamoj si fare të dobët skepticizmin tim personal apo subjektiv, njëkohësisht jo i pabazë dhe jo krejt i padrejtë. Këtë po e shpreh edhe nëpërmjet dy pyetjeve: mbledhja e deputeteve dhe deputetëve të copave të PD- së e dt.5 shtator 2023 dëshmon dëshirë dhe përpjekje të sinqertë për bashkim të vërtetë dhe jetëgjatë, deri në fitore apo siç i duhet Edi Ramës, për ta bitis si e ka nis mandatin e tretë!? Ky takim është pikënisja për një PD dhe opozitë që do të mbushë sheshet për protesta demokratike dhe me potenciale qeverirrëzuese apo ishte thjesht një show i radhës, sa për t’i dëshmuar gjallesë… apo mbijetesë si të një të sëmuri të porsazgjuar nga “koma e gjatë” Edi Ramës?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura