“Omicron” bëhet dominues në Shqipëri, mbi 95% e rasteve me variantin e ri! I ulët numri i fëmijëve të vaksinuar me një dozë “Pfizer”

Jan 21, 2022 | 8:49
SHPËRNDAJE

Ka mjaftuar vetëm një muaj që “Omicron”-i të shndërrohet nga një variant i ri, në variant dominues. Aktualisht, jemi në situatën ku 95 për qind e personave të infektuar janë me “Omicron”, duke dobësuar kështu pozitat e variantit “Delta”.

koronavirusi

Kjo dëshmon dhe një herë tjetër nivelin e lartë të transmetueshmërisë së këtij varianti që është shoqëruar me shifra rekord infektimesh. Në fillim të kësaj jave, numri i rasteve ditore arriti pikun, mbi 2800 persona të konfirmuar pozitivë.

“Jemi në një situatë ku incidenca vlerësohet e rritur. Përpara dy ditësh kemi pasur pikun më të lartë ndonjëherë të rasteve të infektimeve, ku siç është konfirmuar nga Instituti i Shëndetit Publik, mbi 95% e rasteve sot paraqiten me variantin ‘Omicron’. Për të përballuar këtë situatë është i nevojshëm testimi i shpejtë, testimi i sigurt. Ne nuk kemi ndalur në asnjë moment përpjekjet tona qoftë sa i përket testimit të shpejtë dhe testimit nëpërmjet PCR-së, ndaj po rrisim kapacitetet. Kemi 330 pika në të gjithë Shqipërinë ku kryhet testi i shpejtë falas në qendrat tona shëndetësore”, tha ministrja Manastirliu nga ambientet e Institutit të Shëndetit Publik.

Për shkak të shifrave në rritje të infeksionit dhe nevojës për më shumë testime janë rritur kapacitetet testuese.

“Kemi investuar për Institutin e Shëndetit Publik në raport me rritjen e kapaciteteve, të cilat vijnë të rritura me rreth 30% krahasuar me ato më parë, duke rinovuar dhe shtuar flotën e pajisjeve sa i përket aparaturave dhe gjithashtu duke kontribuar në përballimin më të mirë të situatës. I vlejnë Institutit të Shëndetit Publik, jo vetëm për PCR dhe evidentimin e koronavirusit, por gjithashtu edhe për një seri agjentësh. Kjo është e rëndësishme sepse hap një gamë të analizimit të viruseve të tjera. Që do të thotë që përgatitemi dhe forcojmë kapacitetet tona, jo vetëm për t’iu përgjigjur situatës aktuale për fuqizimin e kapaciteteve, por edhe për t’i paraprirë asaj që gjithë bota sot po synon, emergjencave që mund të ndodhin në të ardhmen. Pra, të përballemi dhe të kemi një përgjigje ndaj emergjencave të shëndetit publik”, tha Manastirliu.

SITUATA

Por, pavarësisht shifrave në rritje të infeksionit, vetëm 0.5 për qind e pacientëve të prekur janë duke marrë trajtim mjekësor të specializuar. Thënë kështu, nga 23 593 pacientë aktivë, të shtruar janë 134 pacientë.

“Në 24 orët e fundit me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor ka tri humbje jete me SARSCOV2 pozitiv: Dy qytetarë nga Durrësi nga 73 vjeç dhe një qytetar nga Tirana 85 vjeç”, kanë bërë të ditur autoritetet shëndetësore. Lidhur me rastet e reja në 24 orët e kaluara janë konfirmuar 2383 persona pozitivë nga më shumë se 7600 testime të kryera.

VAKSINIMI

Janë më pak se 1.2 milionë persona, të cilët kanë injektuar dozën anti-COVID që prej nisjes së këtij procesi një vit më parë. Në fillim të nëntorit, u mor vendimi për aplikimin e dozës së tretë fillimisht për të moshuarit, por më pas u hoqën kufizimet, duke iu dhënë mundësinë çdokujt që ka mbi 6 muaj që ka injektuar dozën e dytë.

Një tjetër vendim i rëndësishëm ishte edhe ai për vaksinimin e fëmijëve mbi 12 vjeç që vuajnë nga sëmundje të cilat dobësojnë sistemin imunitar. Por të dhënat e deritanishme tregojnë se vetëm një për qind prej tyre janë vaksinuar deri më tani. Ndërsa e ulët është përqindja edhe e të rinjve mbi 16 vjeç, që po ashtu janë bërë pjesë e kalendarit të vaksinimit.

Brataj: Është rritur numri i vizitave në banesë

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj tha se pavarësisht shifrave në rritje të infeksionit, numri i të shtruarve në spitale është thuajse konstant, dhe rreth 50% më pak se vitin e kaluar.

“Tipike është fakti i numrit të vizitave, që është disi i rritur, në krahasim me vitin e kaluar. 434 vizita në banesë kemi në 24 orët e fundit, dhe mbi 200 kemi konsulta me mjekun e familjes. Nga këto, vizita për COVID janë 87, pra janë dyfishuar në krahasim me dhjetorin”, tha Brataj.

Në një intervistë dhënë për “News 24”, doktori u ndal edhe te rëndësia e vaksinimit.

“Të pavaksinuarit rrezikun e kanë shumë herë më të madh, sepse ‘Omicron’-i është gjithmonë koronavirus. Nëse zgjat më shumë se 5 ditë, kujdes sepse edhe ‘Omicron’ -i jep shenja të pulmoneve. Ka shumë asimpomatikë dhe që e kalojnë lehtë, por nëse kalon një javë dhe keni probleme me frymëmarrjen, duhet t’i drejtoheni spitalit, sidomos kur oksigjeni bie poshtë 90″. Në lidhje me shenjat që “Omicron” dhe “Delta” paraqesin, kreu i Urgjencës Kombëtare sqaron se “Delta” kishte 40-50% humbjen e shijes dhe nuhatjes, “Omicron” -i e ka 10%. “Omicron”-i ka bllokim hundësh e sekrecione, që ishin më të rralla te “Delta”, duke e bërë të ngjashëm me gripin.

© Panorama.al

Te lidhura