Nga shitësit e mishit, tek prodhuesit e bukës, rreth 24 mijë biznese me bazë risku do të kontrollohen nga AKU gjatë këtij viti

Jan 24, 2024 | 12:35
SHPËRNDAJE

Rreth 24 mijë biznese të ushqimit (duke përfshirë prodhuesit, përpunuesit dhe tregtarët), të mbrojtjes së bimëve dhe të inputeve bujqësore planifikohen të kontrollohen nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, sipas metodologjisë së re me bazë risku, pas marrjes së mostrave.

furra

Kontrollet do të përfshijë kategorinë e bizneseve prodhuese, përpunuese dhe të shpërndarjes së ushqimit, sipas nëngategorive, si: thertoret, shitësit me pakicë të mishit, peshkut, qumështit, baret, restorantet, fastfood, prodhuesit e pijeve alkoolike, të lëngjeve të frutave, dyqanet e tregtimit të bukës, birraritë, stabilimentet e paketimit të vezëve, të përpunimit të peshkut etj.

Udhëzimi i Ministrisë së Bujqësisë “Për miratimin e “Planit kombëtar të kontrolleve zyrtare me bazë risku dhe të marrjes së mostrave për ushqimin, ushqimin për kafshë, mbrojtjen e bimëve dhe inputeve bujqësore, si dhe planin e marrjes së mostrave në pik, për vitin 2024” përcakton se kontrollet nga autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) do të kryhen mbi një metodologji të mirëfilltë për profilizimin e riskut të çdo operatori të biznesit referuar historikut të tyre.

“Ky plan ka si qëllim kryerjen e kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit bazuar vlerësimit individual, me qëllim kategorizimin e riskut në varësi të riskut të tyre, si dhe frekuencat e përshtatshme të inspektimeve të kontrolleve zyrtare për OB-të në bazë të rezultateve të procesit të kategorizimit”, thuhet në udhëzimin e botuar në Fletoren Zyrtare.

Kontrollet do të përfshijnë prodhuesit, përpunuesit dhe shpërndarësit e biznesit të ushqimit

Sipas udhëzimit metodologjia e përdorur për kontrollet është risi dhe objektivat kryesorë të “Planit të Kontrollit Zyrtar Vjetor” dhe “Plani i Marrjes së Mostrave”, për vitin 2024 do të jenë, si: zbatimi i rregullave të sigurisë ushqimore përmes kontrolleve zyrtare të përmirësuara, përfshirë kushtet e kontrollit; organizimi i kontrolleve zyrtare, monitorimi dhe verifikimi për përmbushjen e kërkesave ligjore, si dhe kryerja e kontrolleve zyrtare sipas planit të marrjes së mostrave, bazuar në vlerësimin e riskut dhe frekuencën e përcaktuar.

Metodologjia e re në lidhje me profilizimin e riskut të operatorëve të biznesit, nuk parashikon përllogaritjen e frekuencave të ndryshme të kontrolleve zyrtare të planifikuara me bazë risku për çdo drejtori rajonale të AKU. Udhëzimi përcakton se në këtë metodologji frekuenca është e njëjtë për të gjithë drejtoritë rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit e përcaktuar në udhëzim.

E njëjta gjë vlen të theksohet edhe për profilizimin e riskut, ku për të njëjtën kategori kryesore/nënkategori/veprimtari specifike, nuk kemi më një risk të unifikuar për të gjithë drejtoritë rajonale të AKU, por bazuar sistemit të pikëzimit.

Në total për vitin 2024 janë 23,823 operatorë të biznesit ushqimor që ushtrojnë veprimtari në sektorin e kontrollit zyrtar të ushqimit, ushqimit për kafshë për produkte me origjinë shtazore dhe origjinë joshtazore.

Operatorë të ushqimit, ushqimit për kafshë me origjinë shtazore/joshtazore për vitin 2024 rezultojnë 20, 943 subjekte nga 21,292 subjekte që përmbante regjistri i vitit 2023. Numri i subjekteve është ulur 305 apo 1,64 % më pak.

Për sektorin e kontrollit të mbrojtjes së bimëve inputeve bujqësore në regjistrin e subjekteve për vitin 2024 rezultojnë 2,880 subjekte, nga 3,019 subjekte që përmbante regjistri i vitit 2023. Numri i subjekteve është ulur 119 apo 4,6% më pak./MONITOR


Burimi: Ministria e Bujqësisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura