Nga Levandovski te Shnajder e Ronaldo, Haland “viktima” më e fundit. Ja grabitjet më të mëdha të “Topit të Artë”

Oct 31, 2023 | 11:45
SHPËRNDAJE

Lionel Mesi hyri në historinë e futbollit duke fituar për të tetën herë “Topin e Artë” në karrierën e tij, duke lënë pas kështu Erling Haland dhe Kilian Mbapen.

Collage Maker-31-Oct-2023-09-52-AM-6045

Gjithsesi për shumë fansa kjo ishte një nga grabitjet më të mëdha në historinë e këtij trofeu, pasi e meritonte sulmuesi norvegjez i Mançester Sitit për sezonin e frikshëm që ai bëri duke thyer çdo rekord dhe duke fituar “Tripletën”.

Portali i njohur “Goal.com” rendit rastet kur ky trofe i është dhënë pa të drejtë një lojtari tjetër dhe se kush e ka merituar vërtet.

ROBERT LEVANDOVSKI (2020 & 2021)

levandovski

Bajerni i Mynihut fitoi “Tripletën” në sezonin 2019-20 (Bundesligën, DFB-Polak dhe Ligën e Kampionëve), teksa Levandovski u shfaq padyshim si sulmuesi më i mirë në botë duke shënuar 55 gola. Fatkeqësisht pandemia COVID-19 i rrëmbeu polakut  atë që me siguri do të kishte qenë “Topi i Artë” i tij i parë.

Ceremonia e vitit 2020 u anulua pasi autoritetet franceze morën vendimin për të anuluar sezonin e Ligue 1. “Barazia që kërkohet për këtë titull nderi nuk do të përmbushet, veçanërisht kur bëhet fjalë për vlerësimin e performancës dhe përgatitjes. Të gjithë pretendentët e këtij trofeu nuk do të jenë në të njëjtën varkë”, tha kryeredaktori i “France Football”, Paskal Ferre.

Ky shpjegim nuk qëndroi i vërtet, por mospërfillja nuk pati një ndikim negativ te Levandovski, i cili u kthye për të shënuar 62 gola për Bajernin në të gjitha kompeticionet në vitin 2021.

Dukej si një formalitet që më në fund do t’i jepej “Topi i Artë” që i ishte mohuar një vit më parë dhe ai përfundoi duke grumbulluar një total prej 580 pikësh në votim, të cilat nuk mjaftuan. Leo Mesi grumbulloi 33 më shumë atë vit, pasi fitoi Kupën e Amerikës me Argjentinën.

Në fund, Leva do të duhej të kënaqej vetëm me çmimin inaugurues “Gerd Myler-Sulmuesi i Vitit”, i cili ndihet si një shuplakë në fytyrë sot e kësaj dite ndaj polakut.

VIRXHIL VAN DAJK (2019)

Van Dajk

Erdhi nga Sauthemptoni në janarin e vitit 2018 për 75 milionë paund dhe menjëherë solli një revolucion në lojën e Liverpulit. Van Dajk padyshim u kthye në mbrojtësin më të mirë të Premier Ligës dhe në sezonin 2018-19, ku “Reds”-at e mbyllën kampionatin me 97 pikë dhe me vetëm një humbje.

Gjithsesi në mënyrë të pabesueshme, Liverpuli sërish nuk arriti të fitonte dot kampionatin atë sezon, me vetëm një pikë më pak se Mançester Siti.

Edhe pse në Premier Ligë dolën të dytët, “Reds”-at e Klop arritën të fitonin Ligën e Kampionëve, me Van Dajk që ishte padyshim protagonisti kryesor, madje duke shënuar dhe 10 gola gjatë gjithë sezonit.

Holandezi ishte shumë afër të bëhej mbrojtësi i katërt në histori që do të fitonte “Topin e Artë”, por ky çmim i shkoi Leo Mesit, me 51 giola dhe 22 asiste për Barcelonën atë sezon, edhe pse Barcelona e tij u eliminua në Champions pikërisht nga Liverpuli me një nga përmbysjet më të mëdha në historinë e këtij kompetcioni.

“Vendimin e marrin gazetarët dhe ata kështu e shohin. Unë e shoh pak më ndryshe dhe po ashtu edhe shumë njerëz. Nuk mund të kujtoj ndonjë sezon më mbresëlënës për një mbrojtës ndonjëherë”, tha Klop i zhgënjyer për këtë çmim.

KRISTIANO RONALDO (2018)

ronaldo

Dominimi 10-vjeçar i Mesit dhe Ronaldos përfundoi në vitin 2018, kur “Topin e Artë” e fitoi Luka Modriç, i cili fitoi Ligën e Kampionëve me Realin dhe shkoi deri në finalen e Botërorit të Rusisë me Kroacinë, por ai e përfundoi vitin me vetëm 3 gola dhe 11 asiste.

Ronaldos duhej t’i jepej “Topi i Artë” numër gjashtë për të, pasi kishte shënuar 44 gola, përfshirë 15 në Ligën e Kampionëve duke ndihmuar Realin që të fitonte Champions-in numër 13. Sulmuesi portugez nuk foli kurrë publikisht për të shprehur zhgënjimin e tij, por e motra u shfaq në rrjetet sociale për të kritikuar këtë vendim me ofendime.

“Fatkeqësisht kjo është bota në të cilën jetojmë, e kalbur, me mafiozë dhe para të qelbura. Fuqia e Zotit është shumë më e madhe se e gjithë kjo kalbësi. Zoti merr kohën e tij, por nuk dështon”, shkruante Elma Aveiro në “Instagram”.

FRENK RIBERI (2013)

riberi

Bajerni u bë klubi i parë gjerman që fitoi “Tripletën” në sezonin 2012-13 nën drejtimin e Jup Hajnkes, me lojtarë të tillë si Tomas Myler, Filip Lahm, Bastian Shvajnshtaiger etj. të cilët ishin në kulmin e karrierës së tyre.

Por arkitekti i vërtetë i suksesit të Bajernit ishte Frenk Riberi, me francezin që realizoi 34 gola në të gjitha kompeticionet. Ritmi dhe dredhia e Riberis me topin i dhanë Bajernit  avantazhin në ndeshjet më të vështira dhe arriti të fitonte çdo trofe të mundshëm, por gjithsesi përfundoi pas Ronaldos dhe Mesit në votimin e fundit për “Topin e Artë”.

“Ishte e padrejtë. Ishte një sezon i jashtëzakonshëm për mua dhe unë duhet ta kisha fituar atë. Ata e zgjatën kohën për të votuar dhe ndodhi diçka e çuditshme. Ndjeva se ishte një zgjedhje politike”, u shpreh Riberi në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport” në vitin 2022.

UESLEJ SHNAJDER (2010)

shnajder

Mesi fitoi “Topin e Artë” numër dy në vitin 2010 pas një sezoni të frythsëm me Barcelonën, ku shënoi 47 gola dhe dha 12 asiste, teksa fitoi La Ligën dhe Kupën e Botës për Klube. Gjithsesi në Champions ishte Interi i Murinjos që nuk i la katalanasit ta fitonin trofeun me “veshë të gjatë” për të dytën herë radhazi.

Shnajder shënoi një dhe asistoi një tjetër në ndeshjen e parë gjysmëfinale kundër Barcelonës, teksa në të dytën Interi u kualifikua pas një klasi të treguar në mbrojtje që vetëm Murinjo mund ta bëjë.

Fantazisti holandez kishte mbërritur në “San Siro” vetëm 12 muaj më parë dhe tregoi gjithë klasin e tij atë sezon, duke ndihmuar zikaltrit të fitonin ‘Tripletën” e vetme historike për një klub italian.

Për të mos mjaftuar kjo, Shnajder gjithashtu ishte një nga protagonistët kryesorë në Botërorin e vitit 2010 në Afrikën e Jugut, duke ndihmuar Holandën e tij të shkonte deri në finale, vetëm për të humbur përballë Spanjës në fund.

Çuditërisht, Çavi dhe Andres Iniesta përfunduan më lartë se Shnajder në votimin e “Topit të Artë”, duke lënë të zemëruar presidentin e Interit të asaj kohe, Masimo Morati.

“Më duket shumë e padrejtë. Shnajder pati një vit fenomenal, fitoi gjithçka që mund të kishte fituar. Duket e padrejtë që çmimi t’i jepet dikujt që edhe pse një lojtar i madh, nuk kishte të njëjtin nivel të performancës gjatë gjithë vitit”, ishin fjalët e ish-numrit 1 të Interit në intervistën për faqen zyrtare të klubit.

DEKO (2004)

deko

Sulmuesi ukrainas Andrij Shevçenko shtoi emrin e tij në listën e fituesve të “Topit të Artë” në vitin 2004, pasi shënoi 36 gola në të gjitha kompeticionet për të ndihmuar Milanin të fitonte Serinë A dhe Superkupën e Italisë. Shevçenko ishte padyshim një nga qendërsulmuesit më të mirë në planet atë vit, por ai disi fitoi më shumë vota se tre lojtarë që ia kaluan atij në performancë: Deko, Ronaldinjo dhe Tieri Henri.

Ronaldinjo shijoi një sezon të mrekullueshëm debutues në Barcelonë, të cilin e mbylli me 28 gola të përfshirë dhe fitoi çmimin e “FIFA Lojtari i Vitit”, pavarësisht dështimit të gjigantëve spanjollë për të fituar një trofe. Ndërkohë, sulmuesi i Arsenalit, Henri, fitoi “Këpucën e Artë Europiane” me 46 gola në sezonin 2003-04 dhe luajti një rol jetik në fushatën historike të pamposhtur të “Topçinjve” në Premier Ligë.

Të dy këta lojtarë kishin pretendime të forta për “Topin e Artë”, por Deko kishte arsyen më të madhe për t’u ndjerë i mërzitur pasi fitoi Champions-in me Porton nën drejtimin e Murinjos. Magjistari i vogël shënoi nëntë gola dhe asistoi 25 për Porton dhe fitoi çmimin “Lojtari i Ndeshjes” në fitoren e tyre në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Monakos. Deko u emërua gjithashtu “Futbollisti i Vitit” nga UEFA, dhe paraqitjet e tij i dhanë atij një transferim me para të mëdha në Barcelonë.

Mjeshtëria e Dekos në top dhe aftësia e jashtëzakonshme e pasimeve e bënë atë një kënaqësi për t’u parë dhe arritjet e tij me një skuadër si Porto duhet ta kishin vënë atë në krye të grupit.

TIERI HENRI (2003)

henri

Nëse Henri ishte i pafat që nuk fitoi Topin e Artë në 2004, është e drejtë të thuhet se ai u grabit plotësisht një vit më parë, pasi vendosi standarde të reja përsosmërie në Premier Ligë. Francezi regjistroi 24 gola dhe 25 asistime për Arsenalin dhe sot e kësaj dite mbetet lojtari i vetëm në historinë e futbollit anglez që ka kaluar shifrën 20 në të dyja kategoritë për një sezon të vetëm.

“Topçinjtë” humbën ngushtë nga Mançester Junajtid në garën për titull 2002-03, por ata fituan Kupën FA dhe Henri ishte i padiskutueshëm në llogaritjen përfundimtare për çmimet e “Lojtarit të Vitit të PFA” dhe “FËA Futbollisti i Vitit”.

Ai gjithashtu shënoi shtatë gola në Ligën e Kampionëve, por përfundimisht doli i dyti pas Pavel Nedved kur ishte koha që të shpërndahej Topi i Artë. Juventus fitoi kampionatin dhe arriti në finalen e Ligës së Kampionëve, vetëm për të humbur me penallti nga rivalët e vjetër të Milanit dhe Nedved ishte padyshim një nga lojtarët e tyre të shquar.

Por ylli i Republikës Çeke nuk iu afrua Henrit për sa i përket shkëlqimit apo ndikimit individual. Në fakt, askush nuk mund të krahasohej me kapitenin e Arsenalit atë vit dhe është krim që ai nuk ka një Top të Artë të ulur në panelin e tij si një shpërblim për bëmat e tij të pabesueshme.

Përgatiti: JON LUMANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura