Nga Amerika në Pakistan, jeta e mërgimtarëve në një ekspozitë botimesh

Nov 18, 2016 | 12:25
SHPËRNDAJE

Në të vërtetë, ata nuk ikën kurrë. Me gjakun shqiptar në deje, me gjuhën e nënës, këngët e burrave, erën e dheut u vendosën kudo nëpër botë Itali, Greqi, Amerikë, Misir, Rumani, Bullgari, deri në Ukrainë, Pakistan e Argjentinë.

persida

Por e gjithë jeta e tyre ishte e lidhur me Shqipërinë. “Identiteti kombëtar dhe diaspora”, kështu titullohet ekspozita e hapur dje në Bibliotekën Kombëtare, në bashkëpunim me Arkivin Qendror të Shtetit.

Një ekspozitë e ngjeshur me materiale të përzgjedhura mes mijëra syresh, që dëshmojnë një jetë aktive të shqiptarëve në dhe të huaj, të cilët ruajtën identitetin kombëtar dhe kontribuuan në momente me rëndësi historike për Shqipërinë.

2

“Nuk është e rastit që Rilindja Kombëtare lind në hapësirat e diasporës dhe farkëton njëkohësisht vetëdijen kombëtare, idenë e bashkimit mbarëkombëtar dhe aksionin politik, që lidhet me shpalljen e Pavarësisë, ruajtjen e territorit etj.”, thotë drejtoresha e BK, Persida Asllani, teksa shton se lidhja me Shqipërinë nuk u mbyll me Rilindjen, por vijoi edhe me themelimin e shtetit modern shqiptar, madje edhe gjatë viteve të komunizmit.

“Është i jashtëzakonshëm kontributi i Koliqit, Camajt, Pipës, Repishtit në ruajtjen e mendimit dhe prodhimit të lirë shpirtëror shqiptar”, vijon ajo.

EKSPOZITA

Ekspozita ndjek një fill kronologjik, për t’u kryqëzuar me studime më të vona rreth kolonive apo figurave të shquara të diasporës shqiptare në vende të ndryshme të botës. Materialet e para janë botime antikuare të shek XVI-XVII, që dëshmojnë për diasporat arbëreshe e arvanitase, që nga libri për familjen e famshme Albani, nga ka dalë edhe Papa Klementi, te fjalori shqip me alfabet grek i Kulluriotit.

Gjatë hapjes së ekspozitës "Identiteti kombëtar dhe diaspora"
Gjatë hapjes së ekspozitës “Identiteti kombëtar dhe diaspora”

Në ekspozitorin kushtuar arvanitasve, gjejmë tekste me karakter historik e gjeografik për vendosjen e tyre, jetën sa kulturore, aq edhe politike brenda Bizantit dhe shtetit grek, më vonë. Shumë arvanitas janë të njohur në historinë e Greqisë dhe në atë botërore për kontributin e tyre në lëvizjen për pavarësi në Greqi. Dhe po aty kemi një tjetër diasporë, në Selanik, që dëshmohet me botime të ndryshme të realizuara aty.

“Me shumë rëndësi është diaspora italo-arbëreshe. Dhe ishte shumë e vështirë të përzgjidhje mes qindra materialesh, të cilat mund të mbanin një ekspozitë më vete. Kemi përzgjedhur dëshmi mbi jetën rituale, kostumografi, muzikë, por edhe jeta politike e personaliteteve të rëndësishme, përveç krijimtarisë letrare të De Radës, Serembes, Skiroit etj.”, thotë drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare.

Jeta religjioze nuk mund t’i mungonte ekspozitës paraqitur me një ekspozitor kushtuar Zonjës së Këshillit të Mirë, me vepra antikuare, por edhe studime më të fundit, mbështetur në kërkime në arkivat italiane. E për të ardhur në ditët tona, në kontributin e arbëreshëve të sotshëm në ruajtjen e identitetit kombëtar, përmes një jete aktive akademike e studimore. Ndër përfaqësuesit e saj më të shquar mund të përmendim profesorët Francesco Altimari e Mateo Mandala. Me shumë rëndësi është diaspora shqiptare në Rumani.

“Nis me botimet e hershme të abetareve të Naun Veqilharxhit, për të vazhduar me qindra abetare e libra shkollorë, ku nisi rrugëtimi i shkollës shqipe. Një vend të rëndësishëm zë edhe një nga figurat më të shquara të albanologjisë, Dora D’istria, e cila prezantohet me studime e dorëshkrime. Madje, vetëm pak orë përpara ekspozitës BK-së iu dhurua një letër origjinale e saj nga një tjetër pjesëtar i diasporës”, thotë Asllani.

Pjesë e ekspozitorit janë edhe botime të viteve ’20-’30 të Poradecit, Kutelit, Asdrenit, Eftimiut, madje edhe shumë vepra të Naim Frashërit, që janë botuar në Rumani. Dhe vijon diaspora e Zarës në Kroaci, Bullgarisë, Egjiptit apo Misirit, siç njihej, për të shkuar deri në Ukrainë, në një koloni të hershme shqiptare, te Lahora në Pakistan, ku një grup studentësh kanë botuar revistën e tyre apo deri në Argjentinë, ku u ngulitën fillimisht arbëreshë të Italisë, për t’u pasuruar më vonë me shqiptarë nga të tjera diaspora. Dhe, pa dyshim, një vend nderi zë diaspora shqiptare në Amerikë, me një numër të madh botimesh, por edhe libra, statute, revista, memorandume politike, drejtuar konferencave e kongreseve, ku luheshin fatet e Shqipërisë.

Pjesë e rëndësishme e saj është aktiviteti i Federatës panshqiptare “Vatra”, një kontribut të pazëvendësueshëm në të cilën ka dhënë edhe Faik Konica e Fan Noli. Botimeve të një shekulli më parë u shtohen studime të sotshme mbi aktivitetin e shqiptarëve në Amerikë apo figurave më përfaqësuese të saj. E në mbyllje, koleksioni i revistës “Albania” i Faik Konicës, si kurora e ekspozitës.

Biblioteka e Konicës, 270 libra vijnë në Tiranë

Tashmë amaneti i Konicës po vihet në vend. Një pjesë e mirë e bibliotekës së tij të famshme gjendet në Tiranë. “Viti 2016 është shpallur nga federata “Vatra” si Viti i Faik Konicës dhe me shumë kënaqësi mund të themi që me këtë ekspozitë dhe në fillim të samitit, kemi mbajtur një premtim të dhënë që në janar të këtij viti, si dhe kemi përmbushur amanetin e vetë Konicës, për t’i besuar bibliotekën e tij të mirënjohur fondeve të Bibliotekës Kombëtare.

Në BK sapo kanë hyrë rreth 270 libra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe ky është një rast për të falënderuar ata njerëz që i kanë ruajtur me shumë dashamirësi në bibliotekën e dhomës së gjumit, Pol Athanas, i biri i Antoni Athanasit e pa dyshim Agron Alibalin, që meriton gjithë mirënjohjet tona për përkushtimin dhe punën e bërë deri në momentin e ardhjes së librave këtu”, thotë drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, ndërsa thekson se ardhja e këtyre librave në Tiranë u mundësua falë një bashkëpunimi shembullor të Ministrisë së Kulturës me Ministrinë e Punëve të Jashtme.

“Kjo është vetëm një pjesë e librave të Konicës dhe mjafton t’u hedhësh një sy titujve të përzgjedhur, për të kuptuar interesat e shumanshme të këtij njeriu, por dhe bibliofilinë e tij, dashurinë e madhe për librin, mënyrën se si është kujdesur, duke tërhequr jo vetëm libra me natyrë albanologjike e ballkanologjike, por edhe të një kulture të gjerë, që nga Moxart, te Bahu, vepra me karakter historik, letrar, diplomatik deri te veprat më fantazioze e më të imëta kushtuar Shqipërisë”, thotë ajo.

Ky prezantim pasurohet me një tjetër dhuratë që BK mori këtë vit nga Katedralja e Shën Gjergjit në SHBA, At Artur Liolin dhe Biblioteka “Fan Noli”, që gjendet në Boston. Bëhet fjalë për stampën “Ex Libris”, me të cilën Konica shënjonte librat e bibliotekës së tij.

Drejtori i Arkivave

Drejtori i Drejtorisë së Përgjthshme të Arkivave, Ardit Bido, vuri në dukje se me këtë ekspozitë, përmes një pasqyrimit të thukët, vjen historia e mërgatës dhe kontributi i jashtëzakonshëm i saj në jetën kulturore dhe shoqërore të Shqipërisë.

bido

“Është kjo mërgatë që ka krijuar këtë shtet, që i kanë dhënë hovin vendit tonë” –
shtoi ai.

“Rreth 100 dokumente të statuteve të shoqërive patriotike e letrare, aspekte të aktivitetit të shumtë politik e diplomatik të tyre, portrete, imazhe dhe pjesë të tjera dokumentuese, pasuri e Arkivit Qendor Shtetëror, vijnë si një dëshmi e fuqishme për të treguar rolin dhe kontributin e çmuar të diasporës shqiptare dhe personaliteteve të shumta të saj”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura