Në mbrojtje të inxhinierisë kombëtare

Sep 29, 2023 | 10:10
SHPËRNDAJE

NGA ING. SPIRO DRITA  spiro drita

Ka disa vite që në rrethe të ngushta të inxhinierëve në Shqipëri dhe deri nga individë, herë pas here janë bërë përpjekje të izoluara dhe sporadike për hartimin, themelimin, miratimin dhe vendosjen me ligj të “Urdhrit Profesional të Inxhinierëve”. Madje, përpjekjet kanë qënë jo vetëm në “emër të inxhinierëve” por edhe në “emër të arkitektëve” duke tentuar të përfaqësojnë një gamë sa më të gjerë edhe gjithëpërfshirëse të profesionistëve shqiptarë dhe duke propozuar që të ligjërojnë “Urdhërin e Inxhinierëve dhe Arkitektëve”. Të gjitha këto nisma nuk kanë patur sukses sepse, ndonëse qëllimi i autorëve ishte tendenca për të zgjeruar dhe rritur fashën e përfshirjes së profesioneve, nga ana tjeter, aq më shumë zvoglohej përkrahja nga masa e inxhiniereve dhe arkitekteve dhe aq më i fortë bëhej kundërshtimi i tyre ndaj këtyre nismave. Arsyet kanë qënë se “qëllimi dhe përmbajtja” e këtyre propozimeve ka qënë në mospërputhje me pritshmëritë e inxhinierëve në drejtim të rritjes së efekteve të punës së tyre dhe rritjes së përfitimeve të shoqërisë nga këto drafte.

Sot, jemi përpara një nisme dhe drafti të ri të propozimit të projektligjit për “Urdhrin Professional të Inxhinierëve”-UPI. Këtë projektligj e ka hartuar një grup mjaft i vogël personash, një grup i cili nuk përfaqëson aspak si në numër ashtu edhe në llojshmëri të gjitha disiplinat inxhinierike të vendit. Propozimi perfaqesohet nga shoqata SHOSHIK dhe është paraqitur në Komisionin Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë nga deputetja znj. Luljeta Bozo.

Kundër këtij projektligji, fillimisht jemi ngritur mijëra inxhinierë shqiptarë, të pothuaj 24 disiplinave inxhinierike të vendit, madje edhe me përkrahjen e mjaft arkitekteve, me mbështetjen e mjaft profesorëve dhe pedagogëve të universiteteve, të entiteteve universitare shtetërore dhe private, të studiove projektuese, shoqatave dhe firmave zbatuese, si dhe me reagimin e mjaft inxhinierëve që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë (Itali, Gjermani, Belgjikë, Kanada etj.) të cilët operojnë në struktura të rëndësishme të kualifikuara inxhinierike.

Kundër këtij projektligji jemi shprehur nëpërmjet peticionit të paraqitur në Komisionin Paralamentar, me firmat e mijëra inxhinierëve, në intervista dhe artikuj në media të ndryshme, duke parashtruar argumentimet tona kundër këtij projektligji edhe përpara deputetëve në seancën e zhvilluar në Komisionin Parlamentar. Ne kemi paraqitur argumente të arsyetuara teknike, funksionale, organizative, antidemokratike dhe antiligjore kundër këtij projektligji dhe në mbrojtje të inxhinierisë, në shërbim të mirëfunksionimit të punës se inxhiniereve, ne sherbim te perfitimit sa me te mire te shoqerise nga puna jonë, në shërbim të rritjes së nivelit profesional dhe të sigurisë, në shërbim të mbështetjes së zhvillimeve prioritare ekonomike të vendit dhe pa asnjë konetacion politik, por thjesht teknik.

Ndërkohë që procedura e vendimmarrjes në Komisionin Parlamentar vazhdon dhe ende nuk është marrë një vendim mbi këtë projektligj, ne kemi nevojë të vazhdojmë të mirinformojmë më tej masën e deputetëve, si dhe publikun e gjerë, lidhur me kundërshtimin tonë dhe argumentet teknike se “përse kërkojmë rrëzimin e projektligjit për UPI-n”.

UPI, është një inisiativë e izoluar nga një grup individesh, të cilët nuk përfaqesojnë aspak masën e inxhinierëve, jo vetëm në raport me numrin e tyre, por as në gamën e disiplinave dhe specialiteteve inxhinierike që përbejnë masën e inxhinierëve në Shqipëri. Ato nuk mund të përfaqësojnë inxhinierët, sepse nuk shpjegojnë se cilat janë nevojat dhe problemet e mbi 24 disiplinave inxhinierike dhe dhjetra llojeve të shërbimeve inxhinierike që aktualisht funksionojnë në aktivitetet tona. Po kështu, ata nuk mund të përfaqësojnë të gjithë inxhinierët e të gjitha shkallëve dhe niveleve shkencore inxhinierike nga universitetet, profesorët deri te studentët dhe inxhinierët, nga studiot e projektimit dhe studimit, deri te ndërmarrjet e zbatimit, sepse nuk evidentojnë problemet e vëerteta të inxhinierëve dhe të inxhinierisë. Fatkeqësisht, ata nuk kanë si t’i njohin, sepse nuk munden/ose nuk duan t’i njohin këto probleme kur i injorojnë ato, sepse në të vërtetë, tjetër gjë është në fokusin dhe në qëllimin e tyre të shprehur në “germë dhe në frymë” në përmbajtjen e projekligjit të propozuar për UPI-in. Fatkeqësisht, akoma tjetër gjë thonë kur përpiqen të mbrojnë këtë projektligj para Komisionit Parlamentar, para mediave dhe në propagandën që bëjnë në rrjetet sociale. Cilët janë, kë përfaqësojnë, çfarë do të bëjnë, për cilët…?

UPI vetëshpallet për katër vjet pa zgjedhje demokratike të forumeve të saj, shpallet si një organizëm jo fitimprurës, ndonëse “kërkon financim nga shteti me vlerë 1.103.320,00 euro”, shpallet i pavarur nga institucionet shtetërore publike, jashtë juridiksionit të kontrollit nga shteti, të cilat përbëjnë një shkelje e të drejtave kushtetuese “check & balance”, në konflikt ligjor me institucionet shtetërore publike, me një premisë të rrezikshme për një monopolizim autokratik të të gjithë aktivitetit të inxhinierisë në Shqipëri, “duke zëvendesuar gjithë shtetin”.

UPI merr në dorën e tij të gjitha kompetencat e licensimit të inxhinierëve, të dhënies dhe të heqjes së tyre, të vlerësimit të kualifikimit, të detyrimit të testimit në të ashtuquajturin “provimin e shtetit” për kualifikimin e inxhinierëve, por në asnjë nga këto funksione nuk parashikohet pjesëmarrje e institucioneve publike dhe universiteteve, të cilat rezultojnë të përjashtuara edhe nga funksionet që ato kryejnë sot, nuk paraqiten kategoritë dhe kriteret e vlerësimit të inxhinierëve sipas niveleve të kualifikimit etj., duke përbërë kështu një tjetër “shkelje kompetencash kushtetuese, konflikt funksionesh institucionale dhe ligjore me to”, duke shkelur të drejtat dhe detyrimet e tyre, duke “rrëzuar kuadrin ligjor të funksionimit të institucioneve shtetërore publike”, me premisa personalizimi abuzive dhe mundësi konfuzioni dhe korrupsioni në veprimtarinë e licensimit.

UPI, nëpërmjet Komisionit të Disiplinës dhe Etikës Profesionale, gjithashtu merr në dorën e tij të drejtën absolute të gjykimit/veprimit për pezullim të licencës, deri në heqjen përfundimtare të licencës dhe të heqjes së të drejtës për ushtrimin e profesionit, por në asnjë nga këto masa nuk tregon se cilat janë kriteret e gjykimit të shkeljes së Etikës Profesionale. UPI e vetpërveteson këtë kompetencë në mënyrë abuzive, mbasi duke u vetëshpallur si një organizëm i pavarur, jashtë juridiksionit të kontrollit institucional, në konflikt ligjor me to dhe për më tepër, në mungesë të normave dhe standarteve shtetërore të njehsuara kombëtare, të cilat përbëjnë “Biblen” e inxhinierisë, ai nuk ka të drejtë të ushtrojë funksionin e Disiplinës dhe Etikës Profesionale. Kjo është mjaft e rrezikshme dhe deningruese për fatet e inxhinierëve, të inxhinierisë në Shqipëri dhe të vetë kombit tonë. Ky projektligj është “antiligjor” dhe absolutisht i papranueshëm.

Vlen të theksohet se në vlerësimin e kësaj çështje, Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese, ka bërë një punë të lavdërueshme dhe korrekte në drejtim të shqyrtimit procedural, i cili nëpërmjet VKM për këtë projektligj ka kërkuar “mendim” nga katër ministritë që përfshihen edhe në aktivitetet dhe shërbimet e inxhinierëve, konkretisht MMT, MFE, MIE dhe MD, të cilat janë shprehur me mjaft vërejtje, madje deri në kundërshtimin e këtij projektligji në të njëjtën linjë sikurse është dhe kundërshtimi i inxhinierëve. Këto materiale në mënyrë transparente na janë vënë në dijeni dhe disponohen nga i gjithë grupi i inxhinierëve.

UPI, detyron të gjithë inxhinierët të regjistrohen në urdhër, përndryshe inxhinierët nuk kanë të drejtën e ushtrimit ligjërisht të profesionit dhe për këtë kërkesë, deputetja znj. Luljeta Bozo i referohet shembujve botërorë, por fatkeqësisht duke i keqinterpretuar ato. Kjo çështje në shembujt në botë, realisht është mjaft ndryshe, pasi është e verifikuar që jo të gjitha vendet kanë urdhër të inxhinierëve, disa vende duan t’i heqin ato, shumë vende kanë forma organizimi të ndryshme dhe jo në të gjitha vendet është i detyrueshëm regjistrimi për të ushtruar profesionin.

Kujtojmë gjithashtu se urdhrat e inxhinierëve, format e ndryshme të organizimit të inxhinierëve dhe regjistrimet ose/jo në to, nuk janë të unifikuara dhe të vlefshme për të gjitha vendet, por janë të vlefshme për ushtrimin e profesionit vetëm brenda territorit të vendit, të cilit i përket urdhri apo organizmi në fjalë, në të cilin inxhinierët aderojnë si anëtarë ose janë të regjistruar.

Po kështu, zonja deputete nuk spjegon se përse UPI është vetëshpallur si një strukturë totalisht e pavarur dhe jashtë kontrollit të organeve shtetërore shqiptare, kur në vendet që kanë urdhra tëinxhinierëve, ato kontrollohen nga institucionet shtetërore p.sh., nga ana ligjore nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, nga ana financiare nëpërmjet Ministrisë së Financave dhe nga ana teknike, nëpërmjet Këshillit të Lartë të Inxhinierëve pranë Akademisë Shkencore, i cili përbëhet nga personalitete me kapacitete dhe integritet të lartë shkencor etj. Kjo është mjaft e rëndë dhe e rrezikeshme për t’i besuar UPI-t fatet e inxhinierisë shqiptare!

Përveç kësaj, vendeve të cilave mund t’i referohemi për urdhrin e inxhinierëve, kanë histori dhe trashëgimi me nivele universitare, teknike-shkencore-ekonomike dhe struktura me vazhdimësi e zhvillime organizative të inxhinierëve, të pakrahasueshme me vendin tonë në çdo drejtim. Ne na mungojnë ende mjaft gjëra për të ndërtuar së pari “themelet dhe bazën e ngrehinës, mbi të cilën mund të vendosim edhe çatinë”, d.m.th., Urdhrin Profesional të Inxhinierëve. Ne sot ndodhemi në një situatë ku shumë struktura studimore, shkencore, projektuese shtetërore/kombëtare në shumë disiplina dhe në shumë degë inxhinierike janë shkatërruar, ndonjë që ka mbetur funksionon nën nivelin e duhur, universitetet shtetërore janë me mundësi të kufizuara për të zhvilluar aktivitete shkencore, ndërkohë që janë ngritur shumë universitete private dhe studio projektimi, të cilat janë të vetmet që zhvillojnë aktivitet projektues dhe konsulencë. Në këtë situatë, mungojnë pothuajse tërësisht shoqatat inxhinierike (motori i zhvillimit teknik), apo përfshirja e tyre në aktivitete shkencore dhe studimore kombëtare, etj., d.m.th., është një situatë e pamjaftueshme në nivel shkencor-inxhinierik kombëtar, pasi mungojnë themelet e nevojshme mbi të cilën të mund të ngrihet një strukturë e pavarur (jo shtetërore dhe për më tepër, jashtë kontrollit shtetëror), e cila të ketë përberjen, personalitetet, nivelin shkencor dhe (pse jo edhe) integritetin profesional të mjaftueshëm dhe të besueshëm për të marrë në dorë fatet e inxhinierëve dhe të inxhinierisë kombëtare shqiptare.

Ne nuk kemi pothuajse asgjë nga ato “themele” që bota i ka pasur me qindra vite më parë/dhe shumë vite më përpara se të ndjehej nevoja për urdhrin e inxhinierëve, i cili p.sh., në Itali “Urdhri i Inxhinierëve Italianë” për herë të parë u themelua në vitin 1938, rreth 70 vjet më vonë se themelimi i shoqatës së parë të pavarur profesionale… Urdhri i Inxhinierëve Italianë, ka një strukturë komplekse mbi bazë të urdhrave të rajoneve (provincave), kontrollohet nga Ministria e Financave, nga Ministria e Drejtësisë dhe nga Këshilli i Lartë i Inxhinierëve, është transparent në aktivitetin e tij, mbeshtetet nga kuadri teknik i normave dhe standarteve shtetërore UNI, unifikimi i tyre me normat evropiane UNI EN, zhvillon mbledhje dhe zgjedhje mbi bazë të statutit dhe programeve të mbështetura nga anëtarët e saj etj., pra është një strukturë e organizuar dhe e gjithëpranuar nga inxhinierët, nga shoqatat e inxhinierëve, nga institucionet akademike, universitare, kërkimore/studimore të vendit dhe të huaja, nga institucionet shtetërore dhe nga Parlamenti.

Megjithatë, sot pas gati 85 vjetëve të ekzistencës së tij, Urdhri i Inxhinierëve Italianë po kontestohet si i panevojeshëm. Ai u ngrit në një situatë politiko-ekonomike të caktuar të Italisë, shërbeu për kaq vite dhe sot ndjehet i panevojshëm.

Vendet që mund t’i referohemi për urdhrat e inxhinierëve (apo formave të tjera të tyre…) janë vende të zhvilluara me traditë inxhinierike me shekuj përpara dhe kanë ardhur në menyrë natyrale “step by step” në gjendjen e sotme, të cilave në këtë kontekst “nuk mundet/dhe bejmë gabim nëse i referohemi “COPY PASTE”. Por, këto shembuj, përkundrazi, na mësojnë se sot në vendin tonë ka mjaft çështje të tjera parësore për t’u zgjidhur dhe realizuar dhe “jo detyrimisht e bën të nevojshëm dhe të domosdoshëm ngritjen e urdhrit të inxhinierëve në Shqipëri”.

Kundërshtimi ndaj këtij urdhri, presupozon se ka rrugë të tjera më të natyrshme, më efikase, më produktive dhe më konkrete ndaj nevojave për të cilat ka nevojë inxhinieria e sotme për të mbështetur zhvillimet kombetare. Fundja, ky është qëllimi në vetë/vetë i zhvillimit të nivelit profesional të inxhinierëve në shërbim ndaj vendit, por në asnjë mënyrë nëpërmjet urdhrit të inxhinierëve, UPI-t, si një mjet apo qëllim “formal, me fotokopje të deformuar, me përmbajtje dhe funksione të padobishme, deri të dëmshme për inxhinierët dhe vendin”.

Nuk është UPI ai që – sipas pretendimeve dhe shpjegimeve jashtë kontekstit të vetë ligjit nga nismëtarët e tij dhe sipas raportit të paraqitur në komision nga zonja Bozo, pretendohet se “do të rregullojë profesionin e inxhinierëve”, mbasi në bazë të kuadrit ligjor ekzistues për këtë çështje, “profesioni i inxhinierit nuk qenka i rregulluar”. Ky pretendim nuk është aspak i vërtetë, ne sot po punojmë mbi bazë të kuadrit të rregulluar ligjor ekzistues, për vepra, me projekte, zbatime etj., me grupe inxhinierësh vendas dhe të huaj më shumë rezultat, më shumë aftësi dhe dinjitet profesional.

Ne nuk pranojmë që të rrëzojmë gjithçka që praktikisht në kuadrin ligjor ekzistues gjithçka është funksionale dhe të ndërtojmë me “shkopin magjik” UPI-n, një strukturë të re, të shkëputur nga shteti, duke i lënë këtij urdhri autonomi të plotë dhe pa kontroll nga shteti, për gjithçka që lidhet me aktivitetin dhe me fatet e inxhinierëve. Nuk e gjykojmë se janë as nevojat, as kërkesat dhe as mundësitë që pretendohen nga ky projektligj “se nëpërmjet tij do të përmiresohet puna e inxhinierëve”. Nuk është momenti që të ndërmarrim transformime drastike, të sforcuara dhe të paarsyeshme, madje të dëmshme. Ne inxhinierët e dimë mirë se “sforcimet shkaktojnë çarje dhe shkatërrim”, por besoj se ky fenomen është universal dhe i kuptueshëm për të gjithë, që në të përditshme të gjithë ne i quajmë “krizë, kolaps etj.”.

Të mos harrojmë se jashtë grupit nismëtar të këtij projektligji për UPI-n, ne kemi inxhinierë të niveleve të larta teknike, shkencore dhe akademike, ne të gjithë të tjerët përballemi me sukses me sfida inxhinierike në punën e përditshme që bëjmë, por sigurisht na mungojnë ose janë të pamjaftueshme përpjekjet dhe rezultatet tona në drejtim të përmiresimit të metejshëm, të shpejtë dhe me hapin e kohës, në drejtim të unifikimit, të shtrirjes, të përgjithësimit institucional dhe konsolidimit të niveleve përherë e më të larta. Ne përpiqemi/dhe duhet të përfitojmë edhe nga eksperiencat botërore, duke i aplikuar ato me zgjuarsi në kushtet tona për përmirësimin e pikave të dobëta/ose që na mungojnë për mbarëvajtjen në punën tonë, siç janë normat, standartet, kurrikulat e unversiteteve, strukturat organizative dhe shoqatat e inxhinierëve, institucionet kërkimore-shkencore, kontaktet dhe aktivitetet shkencore etj., por në këto aspekte UPI dhe askush nuk mund të bëjë asgjë pa bashkëpunimin me institucionet shtetërore-publike. Këto janë argumentet teknike se përse kanë dështuar të gjitha tentativat e deritanishme për të gjitha nismat për urdhrin e inxhinierit, kjo është arsyeja se përse edhe propozimi aktual i projektligjit për UPI-n objektivisht deri tani është i papranueshem, i papërkrahur dhe i destinuar të dështojë.

Ne duhet dhe mundet, që nëpërmjet formave të strukturave organizative inxhinierike që punojnë drejtpërdrejtë në fushat studimore, projektuese, zbatuese etj., se në bashkëpunim dhe së bashku me institucionet shtetërore publike të aplikojmë forma më të përshtatshme organizative dhe produktive për përmirësime cilësore në situatën e përgjithshme që jemi, në shërbim të zhvillimit dhe rritjes sa më të shpejtë të nivelit tekniko-shkencor të inxhinierëve, në shërbim të rritjes së efikasitetit të punës tonë, të rritjes se sigurisë në punët publike, por/dhe gjithnjë në bashkërendim dhe në shërbim të prioriteteve aktuale dhe të perspektivës së zhvillimit ekonomik të vendit, e cila është nevojë egzistenciale, por njëkohësisht edhe detyrë e inxhinierëve drejt përafrimit dhe integrimit të vendit tonë në BE, si objektiv për të cilën jemi të gjithë kontributorë si qytetarë dhe si inxhinierë për vendin tonë dhe në vendin tonë. Ta bëjmë vendin tonë atraktiv dhe të shëndetshëm për zhvillimin dinjitoz të inxhinierisë shqiptare dhe të shmangim maksimalisht “rrjedhjen e trurit intelektual/inxhinierik” jashtë Shqiperisë.

Të gjithë e kemi dëgjuar shpjegimin e znj Bozo kur tha “…se me regjistrimin në Urdhrin Profesional të Inxhinierëve në Shqipëri, inxhinierët tanë mund të punojnë kudo jashtë shtetit”, por besoj se të gjithë e kuptuam se ajo nuk po kuptonte se ç’po thoshte, se pa dashur po bënte propagandë “antikombëtare” për largimin e inxhinierëve nga Shqipëria! Vallë ky është një nga misionet e UPI-t për përmirësimin dhe rregullimin e aktivitetit të inxhinierisë në Shqipëri?

Përmirësimi dhe zhvillimi në fushën e inxhinierisë, detyrimisht arrihet nëpërmjet një bashkëpunimi në mënyrë organike me institucionet publike, me një hap të përbashkët, të matur mirë dhe gradual, por, nuk mund të bëhet nga UPI duke shmangur të gjitha funksionet e institucioneve ekzistuese, pa ndërveprimin me to, për më tepër, asnjëherë nuk mund të bëhet nëse UPI do të jetë jashtë çdo bashkërendimi, varësie apo kontrolli nga institucionet kushtetuese dhe ligjore të vendit dhe më e keqja, jashtë realitetit objektiv të nivelit teknik, problemeve dhe perspektivave të inxhinierisë shqiptare dhe injorimit të shkencetarëve, profesorëve dhe personaliteteve inxhinierike të vendit.

Ky projektligj, është gabimi i disatë/i rradhës, i pamenduar mirë nga grupi nismëtar dhe nga mbështetja nga znj. deputete që e relatoi, ky projektligj është i panevojshëm dhe i dëmshëm për inxhinierinë kombëtare.

Këtë projektligj me përmbajtje antikushtetuese, antidemokratike dhe antisociale, me premisa të theksuara monopolizimi, abuzive, korruptive dhe deningruese, me pasoja mjaftueshëm të rrezikeshme për shkatërrimin përfundimtar të inxhinierisë, të kësaj pjese të trashëgimisë së pasurisë intelektuale inxhinierike dhe të këtij sektori mjaft të rëndësishëm ekonomik të vendit e kundërshtojmë fuqishëm, prandaj në mbrojtje te inxhinieriss kombëtare, jemi totalisht kundër ekzistencës së tij.

Personalitetet dhe inxhinierët e vjetër mbrojnë nga shkatërrimi idealet, pasurinë dhe trashëgiminë e ndërtuar ndër breza… dhe së bashku me të rinjtë, mbrojnë dhe ndërtojnë të ardhmen e re, të ideve të reja, të brezave dhe elitave të ardhshme të inxhinierisë kombëtare.

Kundër këtij projektligji jemi ngritur dhe shprehur njëzëri mijëra inxhinierë që kontribuojnë ndeshmërisht dhe me dinjitet në Shqipëri dhe jashtë saj, jemi përkrahur edhe nga institucionet publike, ministritë e vendit, ndaj të cilëve jemi mirënjohës. Shpresojmë që edhe Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese, do të tregohet objektiv në përkrahjen tonë dhe rrëzimin dhe mosmiratimin e këtij projektligji për UPI-n.

Së paku, Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese, le të shpëtojë nga shpërdorimi i vlerës prej 1 103 320 Euro që UPI kërkon për financimin e strukturës së tij nga buxheti i shtetit, duke i përdorur këto fonde për qëllime më të arsyeshme dhe shumë më efektive si p.sh., për nevojat e reparteve të PMNZSH të mbrojtjes nga zjarri, për kompletimin dhe blerjen e ”Makinave, mjeteve dhe paimeveve të zjarrfikëseve të Shqipërisë”, që përballen si heronj në raste zjarresh apo gjendje të jashtëzakonshme, përmbytje, tërmete etj., për shpëtimin e jetëve të njerëzve, vlerat dhe pasuritë materiale të tyre dhe ato kombëtare tonat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura