Muri i Berlinit dhe Shqipëria*

Nov 9, 2017 | 19:21
SHPËRNDAJE

Nga Jonila Godole

Më 26 mars 2013 një fragment i Murit të Berlinit iu dhurua Shqipërisë dhe u vendos në hyrje të ish-Bllokut në Tiranë duke formuar memorialin e parë për kujtesën, së bashku me një bunker si simbol të izolimit dramatik të dramatik dhe disa shtylla betoni të sjella nga galeria e minierës së kampit famëkeq të Spaçit, ku vuajtën dhe humbën jetën mijëra të burgosur dhe kundërshtarë politikë të regjimit komunist. Të rinjtë që kalojnë aty përditë e njohin Murin e Berlinit, por kur i pyet nuk njohin as kontekstin e vendosjes së tij aty në hyrje të Bllokut, dhe as kuptimin e pjesës „shqiptare“ të memorialit. Dhe pse nuk e njohin? Sepse ne nuk flasim për të shkuarën!

Jonila godole shkrim

Kur u shemb Muri i Berlinit më 9 nëntor 1989, bashkë me të u vendos edhe e ardhmja e vendit tim. Propaganda zyrare e kohës u përpoq ta mbante sekret këtë lajm. Nuk duhej bërë i njohur, dhe mbi të gjitha duhej trajtuar si një rast i izoluar brenda Gjermanisë. Vërtet që u desh edhe një vit derisa të fillonte lëvizja demokratike në Shqipëri, por ishte shembja e Murit ajo që shënoi fillimin e fundit të komunizmit në Shqipëri. E kam pyetur shpesh veten se çfarë do të kishte ndodhur nëse Muri i Berlinit nuk do kishte rënë? Me siguri, Gjermania nuk do të ishte kthyer kurrë në Kore të Veriut. Sistemi i kalbur nga brenda do të ishte rrënuar brenda pak muajsh, apo vitesh. Por për Shqipërinë këtë nuk mund ta themi me siguri.

Qysh nga ardhja në fuqi e komunistëve 1944 deri më 1991 ky ishte vendi më i mbyllur dhe

i izoluar në Europë. Ky izolim, i nxitur qëllimisht nga vetë pushtembajtësit ua bëri më të lehtë instalimin e një aparati shtypës tëpakrahasueshëm me vendet e tjera të Europës Lindore. Në fund të regjimit komunist, më shumë se një e treta e familjeve shqiptare qenë prekur nga persekutimi politik.

Në asnjë vend tjetër komunist në Europë, njerëzit nuk mund të bëheshin kaq “lehtë” viktima të persekutimit politik, të burgoseshin ndonjëherë për dekada të tëra vetëm me një akt të thjeshtë administrativ. Praktika e persekutimit drejtohej jo vetëm kundrej individëve të dyshuar “armiq të popullit”, por edhe kundër familjarëve të tyre. Rreth 60 mijë familje u dëbuan në kampe internimi, 34 mijë të përndjekur politikë u dergjën burgjeve, mbi 10 mijë njerëz kanë vdekur ose në kampet e punës ose në burg, dhe më shumë se 6 mijë janë vrarë, ekzekutuar, dhe trupat e tyre mbeten të zhdukur sot e kësaj dite.

Tërë vendi u shndërrua në një burg të madh: 48 kampe pune dhe internimi; 23 burgje politike; eleminim të elitës politike dhe ekonomike të vendit dhe zëvendësim të saj me vasalë partiakë; priftërinjtë katolikë dhe kleri në përgjithësi u vra, u përndoq, ose u burgos, derisa feja u ndalua përfundimisht në vitin 1967. Ky kapitull i historisë shqiptare ka kaq shumë ndikim në

të tashmen tonë, sepse ende dhjetëra mijëra viktima të këtij persekutimi, jetojnë pranë persekutorëve të tyre. Një politikë sistematike që të synonte vendosjen e drejtësisë për të gjitha viktimat e përndjekjes politike nuk ka pasur.

Anna Kaminsky, drejtore e Fondacionit Federal të Trajtimit të diktaturave ka thënë se ballafaqimi me të shkuarën nuk është një sprint, por një maratonë. Por ndërsa ajo shprehet në mënyrë figurative se Gjermania me gjithë punën e saj të palodhur në këtë drejtim sapo ka arritur në kilometrin 15, atëherë ne si shqiptarë i bie të jemi ende në fazën e nxemjes!

Në fillim të procesit të transformimit dhe pas zgjedhjeve të para demokratike parlamentare në vitin 1992, ka pasur një fazë shumë të shkurtër, ku kërkesat e ish-të përndjekurve së paku dëgjoheshin. Pagesat e kompensimit për viktimat, të cilat u pezulluan për shumë kohë që nga viti 1997, nuk ishin as të qëndrueshme dhe as të mjaftueshme. Shumë prej tyre injoroheshin përgjithësisht për shkak të pikëpamjeve partiake politike afatshkurtra. Të tjerë provuan në kurriz se kompensimi zakonisht i organizuar me këste, nuk çohej deri në fund.

Edhe në kushtet aktuale politike kjo temë luan vetëm një rol margjinal. Janë bërë disa përparime, përfshi Ligjin për Informimin mbi Dosjet e Sigurimit, miratuar nga Parlamenti Shqiptar në maj 2015 dhe ngritjen një vit më pas të Autoritetit përkatës që do punojë me to. Por mbetet për t’u parë në praktikë nëse ky autoritet do të ofrojë besimin dhe transparencën e nevojshme për personat e përndjekur dhe për gjithë shoqërinë. Kurse nga ana tjetër, kryetari i tanishëm i Parlamentit është ministri i fundit i brendshëm i regjimit komunist, qoftë edhe simbolikisht, kjo tregon qartë mungesën e vullnetit politik për të bërë një mbyllje përfundimtare me të kaluarën. Dhe ky është një dështim!

Një dështim edhe më i madh është mungesa e përpjekjeve për të aktivizuar një diskutim shoqëror mbi këtë të kaluar të afërt. As në shkolla, në universitete, as në diskursin publik, kjo çështje nuk ka luajtur rol për një kohë të gjatë. Kuptohet se popujve që kanë përjetuar kaq shumë dhunë dhe terror, u duhet kohë për ta përpunuar atë. Por ndërkohë, gjenerata të tëra po rriten pa kujtesë!

Edhe nëse ky diskutim ka nisur para pak vitesh, kjo ka ndodhur vetëm falë mbështetjes së organizatave ndërkombëtare, mbi të gjitha të Fondacionit Konrad Adenauer në Tiranë, OSBE, por edhe institucioneve të tjera gjermane, si Fondacioni Federal për Trajtimin e komunizmit, Fondacioni Federal për Dosjet e Stasit, disa qendra kishtare etj. Ata e mbështesin këtë diskutim shoqëror jo vetëm nga perspektiva e drejtësisë për të përndjekurit dhe viktimat e diktaturës, por edhe për të na treguar se Bashkimi Evropian (ku Shqipëria synon të bëhet anëtare) është mbi të gjitha një bashkësi vlerash.

Ne, nga ana jonë, kemi nevojë për këtë mbështetje ndërkombëtare për të thyer dekadat tona të izolimit nga pjesa tjetër e botës. Sepse historia jonë e vuajtjes, e represionit me gjithë pasojat e tij deri më sot, është pjesë e historisë europiane dhe duhet të trajtohet si e tillë. Që Shqipëria të mos mbetet thjesht një nocion gjeografik në hartën burokratike të Europës!

Ky artikull është shkëputur nga fjalimi i autores mbajtur në ceremoninë përkujtimore të 28 vjetorit të rrëzimit të Murit të Berlinit, në Kapelën e Pajtimit (Versöhnungskapelle), Berlin 9 nëntor 2017.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura