NGA AGUSTIN GJINAJ
Historia e aviacionit ushtarak shqiptar filloi e arriti kulmin e shkëlqimit me emrin e një njeriu: Edip Ohri, komandanti që e drejtoi nga dita e krijimit dhe për 20 vite të tjera në vijim.
Avionët erdhën në vendin tonë në vitin 1951, kur kishte vetëm pak kilometra linjë hekurudhore, kur mbretëronte sistemi i triskëtimit, ku buka shpërndahej me racion, kur nuk kishte asnjë universitet apo institut mësimor dhe në qendër të Tiranës, në vend të taksive, qëndronin disa pajtonë që ofronin shërbimin e tyre qytetarëve.
Ka qënë 1 maj i vitit 1951 kur për herë të parë pesë avionë JAK-9 parakaluan mbi bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ishte një mrekulli për nga bukuria, por edhe një farë ndjenje krenarie. Një vit më vonë, më 1 maj të vitit 1952, katër avionë të Skuadriljes së Tiranës, kaluan në formë përshëndetëse mbi stadiumin “Qemal Stafa”, ku po luhej një ndeshje futbolli. Aviatorët ishin “yjet” e kryeqytetit në ato vite. Vit pas viti pastaj arma u zgjerua e konsolidua…
******
EDIP OHRI, NJË RAST UNIK NË DREJTIMIN E NJË ARME
Për njëzet vjet rrjesht, në Aviacionin Luftarak Shqiptar ka punuar, ka drejtuar e ka dhënë një kontribut tepër të veçantë një prej figurave madhore të ushtrisë dhe të Shtetit Shqiptar, Edip Ohri. Togeri ish-partizan Edip Ohri, në maj të vitit 1945, u dërgua për studime në degën e aviacionit bashkë me 24 vetë të tjerë.
Gjashtë muaj pas studimeve në ish-Jugasllavi, Edip Ohrin e kthejnë në Shqipëri dhe në nëntor të vitit 1945 e dërgojnë në ish-Bashkimin Sovjetik, në qytetin Engels. Ishin gjithsej dhjetë vetë, tre prej tyre do të përgatiteshin për pilotë bombardues, dy për shturmanë-aviodrejtues për avionët PO-2 dhe pesë të tjerë për teknikë avionësh.
Edip Ohri studioi deri në vitin 1948 ku u diplomua pilot luftarak. Në shkurt 1949, Edip Ohri dërgohet përsëri ne ish-Bashkimin Sovjetik së bashku me Niko Hoxhën për studime ushtarake, por tashmë për një kualifikim më të lartë, në Akademinë e Forcave Ushtarako-Ajrore të ish-BS, në fakultetin e Komandimit, në Moskë. Aty ata studiuan deri në vitin 1952. Pas përfundimit të studimeve u caktuan në skuadrilen e Tiranës ata u emëruan, Niko Hoxha komandant dhe Edip Ohri komisar të skuadriljes së parë të Aviacionit Shqiptar. Në korrikun e vitit 1954, Shqipëria dërgoi një grup pilotësh dhe specialistësh për t’u kualifikuar për avionët reaktivë MIG-15. Pas kthimit në Shqipëri, në vitin 1955, dy ishin kandidaturat për detyrën e komandantit të aviacionit, Edip Ohri dhe Niko Hoxha. Të dy kishin qënë partizanë, të dy ishin kualifikuar për pilotë në ish-Bashkimin Sovjetik dhe të dy kishin kryer akademinë e lartë po atje dhe që të dy ishin drejtuesit më të lartë në aviacionin e atyre viteve.
Politika e kohës zgjodhi që në krye të Aviacionit Luftarak të vendosej Edip Ohri dhe në krye të reagjimentit të Kuçovës, Niko Hoxha. Në vitin 1959-1960, Kolonel Edip Ohri shkon përsëri në ish-Bashkimin Sovjetik, në krye të një grupi pilotësh të Regjimentit të Kuçovës për të përvetësuar avionin supersonik MIG-19. Sakaq në vitin 1963, Kina solli në Shqipëri një skuadrile me 12 avionë AN-2, avionë të lehtë transporti, dhejtëvëndësh që përdoreshin për transport të sëmurësh, por edhe për hedhjen e parashutistëve.
Në vitin 1967 në Shqipëri erdhën 36 helikopterë të rinj MI-4 nga Republika Popullore e Kinës, me të cilët me 6 dhjetor të vitit 1967 formohet njësia e emërtuar “Regjimenti i Parë i Helikopterëve” me komandant Lulo Musai e komisar Tomor Avdia. Në vitin 1970, edhe Kuçova u furnizua nga Kina me avionë supersonikë MIG-19.
Në vitin 1971 nga Kina vjen një skuadrile e avionëve MIG-21, ndërsa me 1974 krijohet Baza Ajrore e Gjadrit. Kur e pyeta një herë Edip Ohrin se si i kujtonte vitet e drejtimit të Aviacionit Luftarak Shqiptar, më tha: Në periudhën që kryeva detyrën e komandantit të aviacionit, 1955-1975, në mënyrë graduale, u krijuan tre regjimente të aviacionit gjuajtës dhe gjuajtësbombardues të strehuar në tunele, një regjiment helikopterësh MI-4, një skuadrilje autonome e transportit ushtarak AN-2, u kompletua shkolla e aviacionit me aeroplanë luftarako-mësimore dhe me të gjitha mjetet e nevojshme mësimore didaktike si dhe detashmenti i avionëve qeveritarë IL-14.
U ndërtua uzina e riparimit kapital të aeroplanëve dhe helikopterëve, filloi prodhimi i pjesëve të këmbimit dhe më pas riparimi kapital i motorëve të aviacionit. Ishin këto investime të shtetit shqiptar dhe unë asnjëherë nuk e kam parë veten si një hero që i ka dhënë Shqipërisë apo aviacionit arritje të tilla, por në një farë mënyre kisha e kam të drejtë të mendoj se brenda tyre ka qënë i përfshirë edhe kontributi im personal si drejtues i kësaj arme.
EDIP OHRI DHE NIKO HOXHA
Këta të dy ishin dhe janë “etërit themelues” të aviacionit. Kjo dyshe fantastike ishte përcaktuese në momente vendimtare të Aviacionit Luftarak Shqiptar.
Ata ishin të ngjashëm: kishin studiuar në shkollën më elitare që kishte vendi në Normalen e Elbasanit, prej ku ishin lidhur me idetë revolucionare të kohës, i kishin materializuar ato duke marrë pjesë me armë në dorë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe prej saj dolën oficerë. Niko Hoxha kapiten, e Edip Ohri toger.
Të dy “shkuan” në ish-Jugosllavi, por në ish-Bashkimin Sovjetik u diplomuan pilotë luftarakë. Ata studiuan edhe në Akademinë e Forcave Ushtarako-Ajrore, në Fakultetin e Komandimit në Moskë, gjë që i bënte ata më të kualifikuarit në armën e aviacionit. Kthehen në Shqipëri dhe caktohen komandant e komisar të skuadriljes së vetme që kishte vendi, në Laprakë. Në vitin 1954, të dy së bashku me pilotë të tjerë u dërguan në qytetin e Groznit të mësonin avionin reaktiv Mig-15.
Viti 1955 do të ishte viti i krijimit të Regjimentit të Aviacionit me avionë reaktivë në Kuçovë. Edip Ohri u caktua komandant i Aviacionit dhe Niko Hoxha komandant i Kuçovës. Bashkëpunimi i tyre ka qënë i plotë, i suksesshëm dhe mbi baza partneriteti të mosndërhyrjes në detyrat e njëri-tjetrit. Edip Ohri ishte njeri i matur e i ditur, i sjellshëm, i edukuar, zbatues rigoroz i rregulloreve, një teknicien dhe studiues, zotërues i disa gjuhëve. Si pilot i Klasit të Parë ai fluturoi në të gjithë tipat e avionëve që pati Shqipëria. Si drejtues në bazë, ai tregoi aftësi, përvojë dhe maturi, si atëherë kur ishte komisar në skuadriljen e Tiranës, ashtu edhe kur drejtoi regjimentin e Rinasit krahas aviacionit, pas rënies së Niko Hoxhës në krye të detyrës, ku tregoi aftësi në rivendosjen e situatës normale dhe ringritjen e moralit të efektivit.
Si drejtues i aviacionit, ai kishte një vizion të qartë për të ardhmen e kësaj arme. Nga viti 1955 e deri në 1975, për njëzet vite ai drejtoi aviacionin me ndjenjë të lartë përgjegjësie, gjithmonë drejt rritjes dhe zhvillimit cilësor e sasior. Në këto vite datojnë të gjitha datat e krijimit të reparteve të reja, apo të prurjeve të reja të teknikës ajrore. Ndërkaq, Niko Hoxha kishte një autoritet të padiskutueshëm. Ai rrezatonte besim absolut, ishte i prerë, i saktë, fjalëpakë, konciz, trim, mbase më shumë sesa duhej, ishte gjithnjë atje ku duhej të ishte, në drejtim, në fluturim, në zgjidhje të problemeve, në diskutimet që i lejonte të kryheshin deri sa ai të vendoste, afër njerëzve, në krye të detyrave, sidomos e veçanërisht të atyre të fluturimit dhe përgatitjes së teknikës ajrore.
Shumë pilotë e kanë zgjedhur për model të ndikuar nga figura e tij, janë munduar ta imitojnë si në pamjen e jashtëme, në sjelljen me shokët, vartësit, në drejtim të fluturimeve, apo edhe në ndonjë veprim tjetër sadopak të rëndësishëm. Niko Hoxha ishte guximtar i madh. Ai ishte nismëtar për të krijuar një “shkollë aviacioni” brenda repartit të Kuçovës, por rënia me avion e një kursanti dhe hedhja me katapultë e një tjetri, ia ndaloi zhvillimin e mëtejshëm të kësaj ideje. Pa guximin dhe trimërinë e Niko Hoxhës, do ishte e vështirë që Shqipëria mund të kishte aq pilotë të Klasit të Parë. Dy herë ai arriti të udhëheqë përgatitjen e grupeve të pilotëve që morën këtë klasë. Pas vdekjes së tij, nuk pati më askush guximin ta vazhdojë.
Aviacioni ynë ka patur fat me drejtues të tillë në krye të tij. Asnjë individ tjetër në këtë armë nuk e pati mundësinë, me gjithë dëshirën, të ngrihej në nivelin e kontributit të këtyre dy “etërve themelues”, të kësaj Arme. Edhe jeta e tyre, tregoi ndryshimet që ata kishin me njëri-tjetrin. Niko Hoxha, më trimi e guximtari që pati kjo armë, vdiq si Akili tek “Iliada” e Homerit. Shumë i ri, vetëm 39 vjeç në stërvitje, duke luftuar, por pa përfunduar lufta për konsolidimin e aviacionit. Edip Ohri si Odiseja, komandanti me më shumë dije dhe njohuri i Aviacionit Shqiptar, e udhëhoqi këtë armë për një kohë shumë të gjatë, të pa përsëritshme, e çoi atë në majat më të larta, por pas atyre arritjeve hoqi të zitë e ullirit në jetë, derisa provoi edhe burgun. Ai vdiq në shtëpi në moshën 92-vjeçare, kur Aviacioni Luftarak kishte kohë që kishte mbaruar.
PESË VJET DEPUTET I PAPUNË, DHJETË VJET I BURGOSUR POLITIK
Në fundin e vitit 1974, Edip Ohri, i zgjedhur pak muaj më parë edhe deputet i kuvendit popullor, në moshën 49- vjeçare, në kulmin e sukseseve në punë, do të lirohej nga detyra. Hysni Kapo, figura e dytë në udhëheqjen komuniste, në mbledhjen e kuadrove kryesore të ushtrisë, duke e shpjeguar largimin e Ohrit nga drejtimi i aviacionit, do t’u drejtonte të pranishmëve pyetjen: “ju mund të thoni si është e mundur të lirohet nga ushtria Edip Ohri, që ka kaq shkolla e kaq merita, në një kohë kur ne kemi nevojë për kuadro të tjerë?”.
Po, vetë përgjigjet: “i uroj Edipit që të përgatisë dhe kuadro të tjera, si veten”. Sipas Edip Ohrit, “në realitet nuk ishte kjo arësyeja e nxjerrjes në lirim, por e gjithë kjo bëhej në kuadrin e eliminimit dhe pastrimeve të mëdha që u bënë në tërë ushtrinë”. Mbas lirimit nga detyra, ish-komandanti caktohet si këshilltar i komandantit të aviacionit, që sapo e kishte zëvendësuar, Bardhyl Taçit. Një nxjerrje në lirim në një moshë të tillë, ishte tregues i asaj që Ohri nuk vlente më për kupolën qeveritare e komuniste. Fakti që ai nuk u dënua menjeherë tregon se ndaj tij ende nuk ishte kristalizuar ndonjë akuzë konkrete. Gjashtë muaj të qëndrimit të tij si këshilltar pranë zëvëndësuesit të tij, mund të kuptohen si një formë e zbutur e largimit nga skena.
Nga fundi i vitit 1975, deri në ditën e arrestimit më 16 tetor 1980, ai do të angazhohej në një grup pune pranë akademisë ushtarake për çështje të “historisë së artit ushtarak”. Kishte përfunduar Pleniumi i 6- të i KQ të Partisë (16-17 dhjetor 1974), ku Beqir Balluku, Hito Çako, Petrit Dume e Rahman Parllaku, të cilësuar “armiq të partisë dhe të popullit”, kishin përfunduar në pranga (ndalimi u krye mbasditën e datës 16 dhjetor 1974) brenda në sallën e komitetit qëndror të partisë.
Më 5 dhjetor 1975, tre gjeneralët e lavdishëm u pushkatuan. Në pamje të parë, i ashtuquajturi “Grupi Puçist”, duket se u dënua pasi minimalisht e kundërshtoi me doreza ose të paktën nuk e “brohoriti” idenë se, “një ushtri e vogël si e jona, mund të përballonte çdo ushtri shumë më të madhe në numër apo edhe një koalicion ushtrisë”, siç pretendontë politika e kohës. Kjo dukej si e mjaftueshme që ata të gjykoheshin si tradhëtarë e disfatistë. Shteti shqiptar “hëngri” kokat e gjeneralëve të tij, i akuzoi ata si bashkëpunëtorë të shërbimeve të ndryshme sekrete apo të vënë në shërbim të imperalizmit e socialimperializmit pa arritur t’u vërtetojë një diçka të tillë.
Është fakt se në masën më të madhe, ushtarakët e lartë ishin të arsimuar e përgatitur në Bashkimin Sovjetik, por goditja e disa “grupeve armiqësore” në vend duket më shumë si një përgatitje e një udhëheqjeje të re në krye të partisë, të heshtur, servile, të trembur, të paaftë, me të cilën Enver Hoxha donte të mos kishte kundërshtime për veprimet e mëtejshme të tij, pas prishjes më Kinën, pas mbetjes së vendit pa asnjë aleat në botë dhe pas futjes së tij në izolimin më të thellë.
“Naiviteti” i Edip Ohrit dhe të tjerëve që u përfshinë në të ashtuquajturën “grupi puçist” e më vonë “kasta e ushtrisë” mund përmblidhet në faktin, se e mendonin veten të “imunizuar” për meritat që kishin. Në Ushtrinë shqiptare ishin figurat më të glorifikuara të shtetit, heronjtë e luftës, njerëz me integritet dhe që gëzonin simpati në masën e gjerë të njerëzve. Aty ishin pjesa më madhe njerëzve që kishin merituar titullin “Hero i Popullit, titulli më i lartë, pas atij të Heroit Kombëtar.
PRANGA NË DITËN E LINDJES SË ENVERIT
Me 16 tetor 1980, në orën 13:00, ndërsa Edip Ohri po studionte në bibliotekën kombëtare, dikush i afrohet te tavolina e i thotë: “lëri librat, siç i ke, do vish pak në Ministrinë e Punëve të Brendshme”. E hipin në një gaz ku ishte zëvendësdrejtori i Sigurimit të Shtetit, i cili pa kaluar 200 m, thotë: “Edip, je i arrestuar! lidheni!”.
I tronditur nga ky zhvillim i papritur, në një farë mënyre dëshiron të besojë se mos është një gabim dhe ankohet: “mua të më arrestoni? Mos e keni gabim, jam Edip Ohri”.
“Të njohim shumë mirë se kush je. Lidheni”, thotë drejtori i Hetuesisë.
E lidhën me duar mbrapa, si shpërblim për pothuajse 40 vjet përpjekje e punë në interes të asaj partie e shteti.
Ohri me thoshte se “ishte diçka e pabesueshme, por mbi të gjitha për ato momente, njeriu mendon për familjen e fëmijët. Kjo, sepse neve në atë kohë e dinim, se çfarë pasojash vinin pas këtij arrestimi për njerëzit e familjes… njeriu mendon në atë kohë, jo për veten e tij, por për atë ç’ka linte prapa. Është fyerje jashtëzakonisht e madhe për njeriun, kur të vënë prangat. S’ka fyerje më të madhe, aq, sa edhe sot e kësaj dite nuk më besohet”.
E çojnë në burgun “313”, ku e mbajnë gjashtë orë të lidhur në karrige deri sa të vinte një grup hetuesish të ministrisë së punëve të brendshme me në krye drejtorin e hetuesisë, që do ti thoshte: “të kemi arrestuar se je pjesëmarrës i një komploti ushtarak për rrëzimin e pushtetit të udhëheqjes së lartë të partisë e të shtetit me anë terrori. Je kundër rendit politik, ekonomik e shtetëror etj.”.
E nxjerrin në korridorin e burgut, e shveshin lakuriq për ta kontrolluar me imtësi dhe më pas e fusin në qeli, së bashku me dy të tjerë, bashkëpunëtorë të sigurimit. Mbas tre muajsh në hetuesi, u bë gjyqi publik.
Ishte arrestuar në ditën e lindjes së Enver Hoxhës së bashku me pesë të tjerë, një mënyrë kjo, me të cilën hetuesia dhe prokuroria e festonin ditëlindjen e diktatorit duke ju vënë prangat njerëzve të pafajshëm. Dhe akuza për terror për rrëzimin e partisë dhe udhëhqejes, ishte teje e rëndë dhe e paimagjinushme. Edip Ohri ka sqaruar se: “ne na akuzuan me atë motivacion të rëndë, por në janar të vitit 1981, u bë një plenum i komitetit qendror, ku ministri i Brendshëm i asaj kohe, Feçor Shehu, i raportonte Enver Hoxhës, se “kemi kapur dhe grupe terroriste”. Enver Hoxha, i thotë: “shiko Feçor, se po të kishte grupe terroriste, do të na ishte vrarë ndonjë nga byroja politike. Nuk e pranoj se gjoja keni kapur grupe terroristësh”.
E hodhi poshtë këtë version Enver Hoxha, ndaj edhe neve akuza e parë na u hoq dhe kaloi në versionin për propogandë e agjitacion. Hetuesi dhe kryehetuesi e thirrën dhe i thanë: “Edip, ke kaluar në vrimën e gjilpërës, vendosëm të heqim nenin 57 të terrorit të Kodit Penal dhe të kalojmë në nenin 55”. Dhe ashtu ndodhi. Disa nga akuzat zyrtare të lexuara nga prokurori për “Përmbysje me dhunë të pushtetit popullor”, apo që “Ka dashur të bombardojë bllokun e udhëheqjes me aeroplan”, kaluan në “Agjitacion e prapagandë kundër pushtetit popullor”, në nenin 55. Pas gjyqit, e mbajnë edhe tre muaj në izolim të plotë, pastaj dërgohet për kryerjen e dënimit. Fillimisht bën 5 vjet në kampet e Ballshit e Zejmenit (1981-1982 në Ballsh dhe 1982-1985 në Zejmen), ndërsa nga viti 1985, deri në 29 nëntor 1989, në burgun e Burrelit, rreth 9 vjet. Fillimisht, në kampe, ndërsa pas vdekjes së Enver Hoxhës, sapo erdhi Ramiz Alia në pushtet, ish-ushtarakët e lartë i grumbulluan në Burrel, si më të rrezikshëm.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al