“Mora një valixhe, do ikim në Angli”- Iu vendos tritoli, 90% e hotelit në pronësi të grekut, por ortaku shqiptar e kishte dhënë me qira! Zbardhet dëshmia e djalit të tij, si u “tradhtua” nga…

Feb 14, 2023 | 14:29
SHPËRNDAJE

Disa orë pas shkatërrimit me tritol të një hoteli dy katesh në Sarandë, policia ka arritur të zbardhë ngjarjen dhe të arrestojë autorin që vendosi disa kilogramë lëndë plasëse në pika të ndryshme të ndërtesës.

Në pranga ka përfunduar Sotir Çabiri, djali i njërit prej pronarëve të hotelit që ishte prej më shumë se 20 vitesh në proces gjyqësor.

Policia tha se identifikimi i 36-vjeçarit u bë pas rreth 12 orësh punë intensive hetimore, duke sekuestruar veshje që dyshohet se janë përdorur nga autori gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, 3 celularë dhe sende të tjera që u gjetën në vendngjarje.

Pamjet e kamerave të sigurisë janë prova e vetme e policisë. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se në pamje duket i riu qe del nga hoteli vetëm 3 minuta para shpërthimit me eksploziv. Vetë ai nuk e ka pranuar akuzën duke u shprehur se ishte në hotel për te marrë një valixhe që kishte harruar pasi do të shkonin familjarisht në Angli, aty ku banon prej vitesh motra e tij.

Vitet e fundit Hoteli dhe një mjedis për Fast-Food në krah të tij ishin dhënë me qira nga Çabiri. Pavarësisht kalvarit shumëvjecar të gjyqeve për pronësinë mes Spiro Çabirit, Vangjel Shtukës e grekut Dhimitër Evangjeliu, prona administrohej pikërisht nga familja e të arrestuarit.

Policia sqaroi gjithashtu se shpërthimi në lagjen Nr.1 të qytetit ka ardhur si pasojë e konflikteve të pronësisë ndërsa palët ndodheshin në proces gjyqësor prej vitit 2002.

Në fund të këtij procesi, pjesa më e madhe e hotelit do të kalonte në pronësi të shtetasit Dhimiter Evangjeliu me pasaportë greke një nga bashkëpronarët e hotel Bizantit, i ndërtuar në vitin 1996.

Si pasojë e shpërthimit me eksploziv, u shkatërrua plotësisht hoteli dhe gjithashtu u shkaktuan dëmtime të fasadave të objekteve të tjera në afërsi të tij. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se eksplozivi është vendosur në të paktën 5 pika brenda ndërtesës, duke arritur që ta shkatërrojë plotësisht atë.

Nga pamjet filmike dallohen disa shkëndija të njëpasnjëshme duke të lënë të kuptosh se kanë qenë shpërthime në seri. Fatmirësisht, nga ngjarja që tronditi qytetin nuk pati asnjë person të dëmtuar.

Një ekspert i kontraktuar nga gjykata e ka vlerësuar hotelin me një vlerë prej 920 mijë eurosh, ku pjesa më e madhe e aksioneve prej 90 për qind i përket Dhimitër Evangjeliu, ndërsa pjesa tjetër është e shtetasit Spiro Çabiri, babai i të arrestuari dhe Vangjel Shtuka, përkatësisht me nga 5% të aksioneve.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura