“Mirënjohje Shqipërisë e Kosovës”/ Ish-sekretarja Amerikane e Shtetit reagon për strehimin e afganëve: Këtë shembull ta ndjekin edhe të tjerët! Të përqendrohemi në shpëtimin e jetëve. SHBA po punon për…

Aug 15, 2021 | 17:39
SHPËRNDAJE

Lajmin se Shqipëria do të strehojë afganë të lidhur me Amerikën, që u rrezikohet jeta nga talebanët e ka përshëndetura edhe ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright.

Albright-AFGANE-SHQIPERI

Me anë të një postimi në twitter, Albright thotë se ndërsa SHBA po punon për të evakuuar ata që janë në rrezik të veçantë nga talebanët, i shpreh mirënjohjen Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që kanë pranuar t’i strehojnë.

Ndërkohë uron që këtë shembull ta ndjekin edhe shtete të tjera.

“Ne duhet të përqendrohemi në shpëtimin e jetëve në Afganistan. Ndërsa SHBA po punon për të evakuuar ata që janë në rrezik të veçantë nga talebanët, unë jam mirënjohëse ndaj Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për ofrimin e strehimit te aleatëve afganë, grave dhe udhëheqësve të shoqërisë civile. Shpresoj dhe pres që të tjerët ta ndjekin”, shkruan ish-sekretarja e Shtetit.

albrighet

Fillimisht lajmin se Shqipëria dhe Kosova kanë bërë negociata me qeverinë Amerikane për të strehuar afganët u publikua nga agjencia e lajmeve Reuters dhe më pas u aprovua edhe nga kryeministri Edi Rama.

Përmes një komenti në rrjetet sociale kreu i qeverisë thotë se “është e vërtetë se ditët e fundit qeveria amerikane i ka kërkuar Shqipërisë të vlerësojë nëse mund të shërbejë si një vend tranzit, për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, të cilët destinacion fundor kanë Shtetet e Bashkuara“.

Edi Rama shton “padiskutim që ne nuk do të themi jo, e jo thjesht pse na e kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, po sepse ne jemi Shqipëria!”

Kryeministri ka një mesazh edhe për kritikët në rrjetet sociale, duke u shprehur se: “Shqipëria nuk është e salltanetit të atyre që hidhen për të në flakën e ndezur nga egërsia dhe padija e kinse patriotizmit, por është e amanetit shekullor të mikpritjes së të panjohurve në rrezik“.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura