Miratohet ligji i prokurimeve, tenderët dhe ofertat “online”! Çfarë parashikon projekligji, ja propozimet për ndryshimet

Feb 6, 2024 | 9:49
SHPËRNDAJE

Komisioni i Ekonomisë dhe ai i Çështjeve Evropiane miratuan projektligjin për Prokurimin Publik, i cili përveç se synon përafrim me legjislacionin e BE, ka si qëllim edhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale nëpër tenderë.

5

Projektligji po ashtu parashikon edhe ngritjen e një sistemi të ri për prokurimet publike, si dhe përllogaritjen e fondit limit për tenderët, caktimi i kritereve dhe vlerësimi i ofertave pjesëmarrëse në garat që hapen do të bëhet në mënyrë elektronike.

Digjitalizimi i sistemit, do t’i japë mundësi Agjencisë së Prokurimit Publik, që të hetojë edhe të dhënat e kompanive pjesëmarrëse, me synim që në gara të mos marrin pjesë kompani fiktive. Nga ana tjetër, sipas qeverisë të gjitha këto ndryshime të parashikuara synojnë të rrisin transparencën në prokurimet publike.

PROPOZIMET

Në fokus të Ligjit Nr.162/ 2020, “Për Prokurimin Publik” janë organizatat fitimprurëse dhe kontratat anomalisht të ulëta nga operatorët. Bëhet fjalë për nenin 4 pikën 32, në të cilën shtohet përfshirja e shoqatave jofitimprurëse në kategorinë e operatorëve ekonomikë. Ky ndryshim ka për qëllim përfshirjen e shoqatave që ofrojnë shërbime sociale në terren, të cilët trajtojnë tema, të rëndësishme si dhuna ndaj grave.

Deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi, ka propozuar një ndryshim shtesë. Ajo ka kërkuar që autoritetet kontraktore të cilat duan të rezervojnë të drejtën që në programet që aplikojnë, të cilët duhet të punësojnë 30% të personelit me aftësi të kufizuara, të përfshijnë edhe grupet vulnerabël, si gratë që kanë përjetuar dhunë në familje në këtë 30%. Kjo synon integrimin e tyre në jetën sociale përmes punësimit.

Gjithashtu, është kërkuar ndryshimi në procedurat e prokurimit me vlerë nën kufij të caktuara, ku kërkohet që entet kontraktore të refuzojnë ofertat e operatorëve, të cilat janë konstatuar anomalisht të ulëta, pa kërkuar shpjegime.

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me operatorët që përdorin ofertat anomalisht të ulëta për të ndikuar në garë dhe për të fituar kontrata. Ai kërkon që në procedurat e prokurimit me vlerë të lartë, ofertat e tilla të refuzohen pa dhënë shpjegime. Në këtë kontekst, Braçe ka theksuar se operatorët që paraqesin ofertat e ulëta ndikohen nga presioni dhe mund të rezultojnë në shkelje të kritereve ligjore dhe të përvojës së tyre. Kështu, ai propozon që autoritetet dhe entet kontraktore të mos pranojnë ofertat e konstatuara anomalisht të ulëta pa kërkuar shpjegime nga operatorët.

“Operatori paraqet një ofertë me çmim të ulët dhe përfshihet në garë nga një presion shumë të madh, duke bërë që prokurimi të përqendrohet te çmimi dhe jo te kriteret ligjore, përvoja e operatorit. Pas shpalljes së tij si fitues me një çmim anomalisht të ulët, me 20-45% më pak, ai nuk e realizon më punën, duke u detyruar të bëjë negociata me kompani që janë renditur më poshtë tij. Kundër një rreziku të qartë të pagesave ose korrupsionit nga kompanitë që janë pozicion më të ulët, fituesi shpesh herë refuzon të mbajë kontratën”- shprehet Braçe.

Drejtuesja e APP, Reida Kashta e konsideroi këtë propozim të duhurin. “Mund të konsiderohet një propozim i pranueshëm që synon konkurrencën e drejtë. Nuk do të ketë hap për shpjegime të mëtejshme por s‘kualifikim të menjëhershëm. Nuk kemi kundërshtim”.

Aktualisht të gjitha ofertat që janë 25% më të lira se fondi limit i përcaktuar, nëse nuk ka një argumentim bindës se si mund të ofrohet shërbimi i kërkuar me kaq pak fonde, oferta s’kualifikohet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura