“Me ‘Kurvat e Kombinatit’ shtrembëron realitetin”/ Rita Marko: Spahivogli nuk përfilli dramën për Bajram Currin, pëlqente Fadil Paçramin

Jul 7, 2022 | 15:30
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ Rita Marko ka qenë i fundit nga liderët e lartë që është shprehur zyrtarisht për dënimin e Kujtim Spahivoglit, dramaturgut të shquar.

rita

Kur ky i fundit kishte lënë përdhunshëm Tiranën dhe kishte filluar punë në kantierin e ndërtimit në Mbrostar të Fierit, Presidenti i Këshillit Qendror të Bashkimeve Profesionale, ishte kujtuar se viktima e radhës e Plenumit IV të KQ të Partisë, figuronte akoma në listën e anëtarëve të forumit më të lartë të klasës punëtore, siç ishte BPSH-ja.

Nuk dihet nëse Rita Marko, asokohe President i Bashkimeve Profesionale, njëherazi edhe anëtar i Byrosë Politike, u kujtua vetë për faktin e pazakontë apo ia vunë në dukje të tjerët.

Çuditërisht, kur Kujtim Spahivogli kishte tre muaj që ishte përjashtuar nga Partia dhe detyra e dekanit të dramaturgjisë në Institutin e Lartë të Arteve për shfaqje të huaja e ndikime borgjeze revizioniste në krijimtari, rezultonte i zgjedhur në forumin më të lartë të klasës punëtore, Këshillin e Përgjithshëm të BPSH.

kujtim

Në kapërcim të paradoksit, Rita Marko më 1 tetor të vitit 1973 ka thirrur një mbledhje urgjente të Presidiumit të Këshillit Qendror të BPSH, ku siç është dokumentuar në procesverbalin përkatës, bashkë me solidarizimin për dënimin e veprimtarisë armiqësore të Kujtim Spahivoglit në fushën e artit, ka vendosur për përjashtimin e tij nga forumi qendror.

Në fakt, ka qenë një mbledhje formale, madje pa praninë e protagonistit kryesor që kryqëzohej, i cili as që e dinte se figuronte i regjistruar. Më së shumti, të pranishmit aty kanë dëgjuar nga ligjërata parimore e Markos përsëritjen e atyre që ishin kumtuar për tre muaj me radhë në adresë të Kujtim Spahivoglit, dramaturgut që kishte rrëshqitur nga vija e Partisë dhe prodhonte art borgjez.

E veçantë në diskutimet e kupolës së BPSH është stigmatizimi i Spahivoglit si shpërfillës i dramës “Fisheku në pajë”, asaj për Barjam Currin dhe “shumë të tjera si këto që entuziazmojnë masat, që ngjallin emocion e ndjenjë patriotike…”.

Në fund, me unanimitet të padiskutueshëm si gjithnjë është vendosur përjashtimi i Spahivoglit nga forumi. Shumë nga shokët e tij kujtojnë se kur ia kanë çuar lajmin në Fier, është çuditur dhe është shprehur se nuk e mbante mend kur e kishin zgjedhur. Më poshtë publikojmë të plotë dokumentin me firmën e Rita Markos…

DOKUMENTI

spahi v

BASHKIMET PROFESIONALE TË SHQIPËRISË KËSHILLI QËNDROR PRESIDIUMI

Vendim mbi përjashtimin e Kujtim Spahivoglit nga Këshilli Qendror i BPSH

Presidiumi i Këshillit Qendror të BPSH në mbledhjen e datës 1 tetor 1973, dënoi njëzëri veprimtarinë armiqësore të Kujtim Spahivoglit në fushën e artit. Presidiumi konstatoi se Kujtim Spahivogli ka përkrahur dhe zbatuar në kundërshtim me vijën e Partisë, porositë e armikut të Partisë, revizionistit antiparti e devijatorit të djathtë Fadil Paçramit.

Ai e quante Fadil Paçramin “Dramaturgu më i madh që ka parë Shqipëria”. Për Kujtim Spahivoglin kishin vlerë vetëm dramat e Fadil Paçramit si “Shtëpia në bulevard” ose “Një ngjarje në fabrikë”, ndërsa dramat mbi Bajram Currin, “Fisheku në pajë” e shumë të tjera si këto që entuziazmojnë masat, që ngjallin emocion e ndjenjë patriotike, nuk i pëlqente, por i përbuzte.

Kujtim Spahivogli ka shkruar drama me gabime të rënda politiko-ideologjike, me koncepte liberalmoderniste. E tillë është bile në një shkallë më të avancuar se të tjerat, drama “Kurvat e Kombinatit” “Hapat e para dhimbjet e fundit”, përmbajtja e së cilës shtrembëron në mënyrë flagrante realitetin tonë socialist.

Presidiumi i Këshillit Qendror të BPSH, duke pasur parasysh gabimet e rënda armiqësore të Kujtim Spahivoglit në fushën e artit, përkrahjen dhe zbatimin e porosive të armikut të Partisë, revizionistit antiparti e deviatorit të djathtë, Fadil Paçramit, mendimet e gabuara dhe qëndrimet borgjeze, liberalo-moderniste, të pasqyruara sidomos në dramën “Hapat e parë, dhimbjet e fundit”, Vendosi: T’i propozojë Këshillit Qendror të BPSH që Kujtim Spahivogli të përjashtohet nga Këshilli Qendror si i padenjë për të mbajtur një përgjegjësi të tillë.

PRESIDENTI I KËSHILLIT QËNDROR TË BPSH

Rita Marko

© Panorama.al

Te lidhura