Ligji i ri, Toro: Kompensimi i pronës me çmime qesharake

Jul 14, 2015 | 13:01
SHPËRNDAJE

Për grupet e interesit, ligji i ri i qeverisë për trajtimin e pronës është i papranueshëm. Sipas sekretarit të shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro, formula që do të aplikohet për kompensimin financiar e vlerëson tokën me çmime qesharake.

“Ky projektligj nuk u kthen pronën e grabitur me dhunë pronarëve, por kompenson gjoja pronën me çmime qesharake, për pronarët zëri kadastral është ai i vitit 1945, kurse për shtetin ai i vitit 2015”, shprehet Toro.

VLERËSIMI

Në ligjin e ri është parashikuar që toka të llogaritet me çmim tregu, por lloji i pasurisë të mos jetë ky i sotmi, por zëri kadastral që ka pasur prona në momentin e konfiskimit. Kjo do të shërbejë për ata pronarë që kanë vendime përfundimtare kompensimi, pasi kategoria e atyre që kanë marrë apo u është kthyer një pjesë e tokës do të jetë më e penalizuar. Kjo për shkak se do të bëhet rivlerësim i pronës së kthyer me atë që është për kompensim. “Nëse vlerësimi i pronës së kthyer me vendim përfundimtar rezulton se është më i madh sesa vlerësimi i tokës së njohur për kompensim, atëherë pronari konsiderohet i kompensuar”, përcaktohet në nenin 7 të ligjit të ri. Por kjo, vlerëson Toro, do të çojë në një rishikim të 26 mijë vendimeve të dhëna. “Me këtë draft synohet të rishikohen të gjitha vendimet e dhë- na prej 25 vitesh dhe arrihet deri atje sa pronarë që kanë përfituar disa copëza të kthimit fizik të pronës së tyre duhet të paguajnë shtetin për pronën që nuk u kthehet e të tjera çudira. Kështu përmbyset parimi kushtetues se një pronë fitohet nga një blerje, nga një trashëgim apo nga një dhurim prej pronarit, kurse me këtë ligj prona fitohet me dhunë nga shteti, kështu përmbyset Kushtetuta, Karta e të Drejtave të Njeriut, vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Ky projektligj nuk merr parasysh asnjë vendim gjyqë- sor të mëparshëm dhe është një ligj mbi ligjet me fuqi prapavepruese të papara”, tha Toro.

KTHIMI I PRONËS

Toro bën me dije se ky draft nuk do të pranohet dhe nëse miratohet, atëherë shoqata do ta kërkojë të drejtën që u takon pronarëve në rrugë gjyqësore. Këtë të enjte qeveria ka menduar të mbledhë në një tryezë grupet e interesit për të dëgjuar vërejtjet dhe njëherazi propozimet që ata kanë. “Ky projektligj shpall shtetin pronar të të gjithë tokës në Republikën e Shqipërisë dhe heq përfundimisht termin kthim prone, duke shkelur haptazi konkluzionet e Gjykatës së Lartë. Shoqata jonë jo vetëm nuk e pranon këtë draft, sepse shkel haptazi çdo të drejtë të pronës, por do ta demaskojë atë dhe po qe se do të miratohet nga Kuvendi, do ta luftojë me të gjithë forcën ligjore. Ky ligj është një turp i atyre anonimëve që e kanë miratuar”, thekson Toro.

Ndërsa vë në dukje se përgjatë 2 viteve, nga 2013-a deri më tani, AKKPja nuk ka marrë asnjë vendim për kthim të pronës, Toro shprehet se kjo nismë jo vetëm nuk do të zgjidhë çështjen e pronës në harkun e 10 viteve, siç edhe pretendohet, por do t’i hapë rrugë korrupsionit dhe abuzimit të mëtejshëm me çështjen e pronës.

“Ky projektligj në thelb legalizon përfundimisht korrupsionin galopant me pronat, abuzimet që bëhen çdo ditë me pronat, dhënien e pronave me qira për 100 vjet për një euro, shitjen e fshatrave turistike me çmime qesharake, vazhdimin pafundësisht të zaptimit të pronave të pronarëve nga ndërtimet pa leje, vazhdimi i ndarjes së tokës me ligjin 7501, mosdhënien e asnjë vendimi prej dy vitesh nga AKKP-ja për kthim prone, ndërprerjen e shpërndarjes së kompensimit për legalizimet etj”, argumenton më tej sekretari i përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtë- si”.

Projektligji ndryshon në thelb mënyrën e kompensimit të pronarëve. Qeveria ka parashikuar që falë kësaj strategjie, brenda 10 viteve do të mbyllet plaga më shumë se 20-vjeçare e pronës. Për të arritur deri në fund, Ministria e Financës do të gjendet përballë detyrimit për të vënë në dispozicion jo më pak se 5 miliardë lekë çdo vit. 

NGA ADA HAZIZOLLI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura