Autoritetet italiane kanë arrestuar dy shtetas shqiptarë, të cilët akuzohen për dhunë ndaj bashkëshorteve të tyre.
Mediat kanë raportuar për dy rastet e ndryshme, i pari në Bolzano, ku një 40-vjeçar shqiptar u arrestua pasi dhunonte dhe torturonte bashkëjetuesen e tij. Dyshimet e para janë për shkaqe xhelozie.

Rasti me i afërt i dhunës ishte para 10 ditësh, kur shqiptari lidhi në një karrige dhe torturoi për dy orë gruan, ndërsa e kërcënonte se do ta vriste me thikë.
Pas dhunës barbare, burri ka shoqëruar në spital gruan, duke i thënë mjekëve se ajo kishte rënë nga biçikleta.
Autoritetet nisën hetimet dhe pas disa provave, gruaja u shpjegoi hetuesve se ishte viktimë e keqtrajtimit nga partneri i saj, i cili më pas u arrestua.
Ndërkohë një tjetër rast është raportuar në Napoli, ku një 41-vjeçar po me origjinë shqiptare u arrestua për plagosje të rëndë dhe keqtrajtim.
Ai akuzohet se ka rrahur gruan e tij duke e detyruar atë të prostituonte. Gruaja, në rrethana të ndryshme, ishte kërcënuar me vdekje dhe ishte rrahur me një shufër hekuri.
41-vjeçari, i cili ishte përpjekur t’i shpëtonte kapjes, në momentin e arrestimit ishte fshehur në një sallë bastesh.
© Panorama.al











