Lesbiket në kombëtaren e femrave, Rraklli: Nuk merrem me prirjet seksuale të vajzave

Nov 29, 2015 | 12:34
SHPËRNDAJE

Deklarata shokuese e një dite më parë për “Panorama Sport” e futbollistes së Juban Danjës, Marçela Ndoci, se në futbollin e femrave nuk mungojnë lesbiket ka indinjuar pa masë trajnerin e Kombëtares, Altin Rraklli. 17- vjeçarja Ndoci ka pranuar të rrëfejë mbi ekzistencën e femrave që kryejnë marrëdhënie me femrat në ekipet e ndryshme të kampionatit shqiptar.

 

Altin Rraklli
Altin Rraklli

Por, sipas Ndocit, ky fenomen ekziston edhe në Kombëtaren shqiptare të futbollit të femrave, ndërsa tregon se si ajo vetë është ngacmuar seksualisht në një moment dhe menjëherë ka refuzuar duke u larguar nga vendi ku është ngacmuar nga një tjetër futbolliste e Kombëtares shqiptare. Në një reagim për gazetën, kreu i pankinës kuqezi u shpreh se kjo është hera e parë që dëgjon një rast të tillë për sa kohë ka qenë trajner. Mes të tjerash, Rraklli sqaron se futbollisten në fjalë e ka grumbulluar në një ndeshje që ka luajtur kundër Kroacisë.

“Dua të sqaroj në pozicionin e trajnerit të kombëtares se nuk merrem kurrsesi me prirjet e futbollisteve, por gjithë kohës jam i përqendruar në përgatitjet në futbollin e femrave. Ju bëj me dije se kurrë më parë nuk kam pasur problem të kësaj natyre. Nuk di sikurse pretendon futbollistja që gjatë kohës që ka qenë e grumbulluar të ketë pasur një precedent të tillë. Asnjëherë. Por do të bëja apel se do të ishte mirë të përqendroheshim në promovimin e futbollit të femrave dhe të mos e njollosim këtë sport”, u shpreh në reagimin e tij për gazetën trajneri i përfaqësueses kuqezi.

Të premten vajzat kuqezi u mundën me rezultatin 6-0 në ndeshjen eliminatore të kampionatit europian 2017 nga Kombëtarja e Francës. Skuadra e drejtuar nga Altin Rraklli regjistroi humbjen e 3 në po kaq ndeshje në grupin e tretë, duke mbetur në vendin e fundit, ndërsa Franca ngjitet në krye me 9 pikë, duke lënë pas Rumaninë që numëron gjithashtu edhe një ndeshje më shumë.

Rraklli theksoi se skuadra bëri maksimumin e saj, por përballë një rivali me potenciale botërore nuk ishte absolutisht e lehtë. “Patjetër që këto janë elementët më të mirë të kombëtares sonë në futbollin e femrave. Të mos harrojmë që Franca bën pjesë në elitën e futbollit botëror dhe e praktikon këtë sport prej shumë vitesh. Ndërsa ne jemi vetëm në fillimet e futbollit të femrave, të jemi koshientë për diferencat”, përfundoi Rraklli.

Eliminatoret e Europianit të grupit 3 vijojnë vitin tjetër për Shqipërinë me transfertën në Greqi më 26 janar të 2016-ës. Në përballjen e parë, e luajtur më 22 tetor në stadiumin “Loni Papuçiu” të qytetit të Fierit, Greqia doli fituese me shifrat e përgjithshme 4-1. Golin e nderit për përfaqësuesen tonë e shënoi Kurbogaj.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura