Vajza e shkrimtarit të ndjerë Dritëro Agolli, Elona Agolli, ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale, për ndarjen nga jeta të kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare.
Ndërsa sot Kadare u përcoll në banesën e fundit, Elona Agolli shkruan se kurmin do ta ketë në tokë, ndërsa shpirtin afër qiellit, ashtu siç përherë të mëdhenjtë shkrimtarë e kanë.
Ndër të tjera ajo shkruan se “në jetën tokësore por edhe në atë në amshim, brez pas brezi e shekull pas shekulli, do të mbetet më i gjallë ndër të gjallët, më i ndriçuar ndër të ndriçuarit”.
Postimi i plotë:
Ndoshta do të kishin dashur të prisnin ndryshe të fundmen ditë …njëlloj ashtu siç i madhi Niko Kazanxaqis admironte vdekjen në këmbë , të njëjtë me ushtarët e Pompeut . Apo si ai që përfshihej nga llava e vdiste në këmbë si statujë.
Edhe atë ditë që babi nuk më lëshonte duart nga flokët duke i tërhequr si litarë, atë ditë në spitalin me muret gri dhe frymën e kobshme të vdekjes , ai këtë gjë donte të më thonte. Jam e bindur që edhe ai , miku i hershëm dhe i gjithjetshëm i babait tim , ashtu do ta dëshironte .
E sido që të jetë , Ismail Kadare që sot do të prehet në banesën e fundme , me kurmin në tokë , por shpirtin afër qiellit , ashtu siç përherë të mëdhenjtë shkrimtarë e kanë , në jetën tokësore por edhe në atë në amshim , brez pas brezi e shekull pas shekulli , do të mbetet më i gjallë ndër të gjallët , më i ndriçuar ndër të ndriçuarit .
Lamtumirë i adhuruari shkrimtar ! Lamtumirë , për mua , xhaxhi Ismail !
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al