Kërkoi lirimin nga qelia që të betohej si kryebashkiak i Himarës, Apeli i GJKKO-së lë në burg Fredi Belerin

Sep 18, 2023 | 10:22
SHPËRNDAJE

Apeli i GJKKO ka refuzuar kërkesën e Fredi Belerit për masë më të lehtë sigurie, duke lënë në qeli kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës.

fredi_beleri_ne_gjyq-OK

Togat e zeza lanë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Fredi Belerit, i cili ndodhet në paraburgim prej 12 Majit i akuzuar për blerje votash.

 

Në seancën ndaj Belerit ishte dhe ambasadorja greke, Kostandina Kamitsi si dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

SPAK-seanca-Beleri

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit më 14 shtator vendosi të kalojë për gjykim çështjen e Fredi Belerit, i akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje.

 

Avokati i Belerit kërkoi pushimin e çështjes, me pretendimin se provat janë të paligjshme, por Apeli i GJKKO-së e konsideroi të plotë hetimin e Prokurorisë, duke i hapur rrugë nisjes së procesit gjyqësor.

Avokati Edmond Dema shtoi se është e pakuptimtë që Beleri të vijojë të mbahet në arrest me burg, aq më tepër tani që hetimet janë mbyllur, ndërsa deklaroi se nuk është kërkuar gjykim i shkurtuar.

“Do të jetë një proces i gjatë, pasi ne do të thërrasim shumë dëshmitarë”, deklaroi avokati në përfundim të seancës gjyqësore.

Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Zoti Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik. Kërkesat e tij të herëpasherëshme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, të cilave ai u është drejtuar sërish me të njejtën kërkesë.

Arrestimi i tij ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Kjo e fundit ka kërkuar lirimin e tij, me pretendimin se janë shkelur të drejtat e njeriut dhe ato të të pakicave, si dhe duke kërcënuar me bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin europian.

Zyrtarët grekë po e ngrenë këtë çështje në instance të ndryshme ndërkombëtare. Nesër, ministri i Brendshëm grek, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të takimit të ministrave të Brendshëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që u mbajt këtë të enjte në Tiranë, pritet të shkojë të takojë zotin Belei, në mjediset e paraburgimit në Durrës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura